Press "Enter" to skip to content

Bij-za (Cikël poetik)

***

Ç’të prek?
Ndershmëria – them ndershëm.
Qaj kur një burrë i mirë beson shitësin e peshkut të qelbur
dhe një grua e vetmuar hekuros ditë pas dite vijën e fatit të saj.
Gëlltis me verë të bardhë dhëmbin e qumështit të sime bije.
Më bie nuri i lehonës mes dy botësh…
Dëgjoj xhaz të vjetër, nga ai që mjalton kujtimet…,
perëndimi vel mobiljet me shpirtin e dritës së ikur…
i kundroj si sipërfaqe çaji…
Nuk ëndërroj.
Ndjell e limoj symbyllur çdo faj.
Përkundem nga një ide e qartë,
buzëqeshje e mëshirshme për gjithçka.
Jam dashuria me njeriun që s’jam më.

 
Bij-za

Si mund t’ju dua si dikur?
Vetëm me zemër,
me damarë rozë,
mollëza zjarri,
pafajësi gërshetash,
dehje gëlqereje e borziloku,
paqe lumi që rrjedh me të mbyturin e ngrohtë…
Si t’ju shpëtoj nga mëshira ime pas çdo përqafimi?
Zvarritni ditët me të folurën tonë të ngutur në telefon,
ilaçe të lira e lajme të pasura me tmerr,
të plakur, të rrudhtë, të hurmët…
Gëzoni si fëmijë kur më shihni.
Më duket se qaj,
kollitem si burrë i brishtë,
më mbyt fara e pendimit.
Shpëtoj me muzikë lemerishëm të ndjerë,
kufje-fshehur në floknajën e hapur.
Ju shoh në sy
me një barrë kurajë
për të qenë e vogël…

***

Shtëpia jonë e veshur me dru arre.
Shtëpia jonë me nur kishe.
Shtëpia jonë e durueshme
kur e përshkon jeta naive,
e freskët, e roztë e vajzës sonë.
E ke kuptuar sa mirënjohës i jemi zërit të saj, që
na zgjon të dielave të bezdisshme, të dielave të tepërta,
që i heqim qafe nëpër aeroporte dhe qendra tregtare.
Shtëpia jonë… ku rrimë
si dy njerëz tmerrësisht të njohur…
që ëndërrojmë të jemi gjithkund
pranë të panjohurish…

1-1

Shkëmbyen një humbje delikate
dhimbje pa palcë,
frymë pa marrje mendsh,
dashuri pa shtrat.
Në tëmtha vuri vaj bajamesh të egra.
Qau butë. Me një këngë fëmijësh.
Dy harabela pa sy i fjetën mbi zemër…

(Shkëputur nga Revista Letrare – Dimër 2022)

Autori
Ilda Mejdani Jeha