Press "Enter" to skip to content

Poezi

Natë vjeshte

Zu e ra nata dalëngadalë nëpër udhën e shkretuar,
ku veç fëshfërin gjethisht e shndritshme edhe fryn plot trishti,
nëpër shpirtin e shkretë ndizet kënga e përmallshme,
dhe zgjon oh aq kujtime, edhe ëndërron aq dashuri.
Qielli i thellë e plot me yje m’zgjon një dhimbje t’madhe sot,
selvi e shndritshme e fëmijërisë dhe gjeth i verdhë në udhë,
hije e zbehtë që nis e shuhem dhe qaj oh bukuri,
zë e hesht dhe hesht mes yjesh, duke ndjerë aq ëmbëlsi.
Erë e vjeshtës që ndez shpirtin e përgjumur prej qëkuri,
nis mahnit sytë e mi mbushur me aq shumë çudi,
edhe shndrit mall i thellë nëpër zemërzën e shkretë,
ah, ndje ti zemër e përvojtur kujtimthellën magji!
Ç’po hesht fare udhë e bukur, veç gjeth i thatë dergjet,
dhe zë vaji të kullojë nëpër zemërzën e mjerë,
melodi e fëmijërisë po këndon në natën e heshtur,
ah, nis lot i dhembshuruar përmbi faqe të më bjerë.

•••

Nëpër ëndërr shpirt i hijshëm,
prej së thelli dashuronte,
prej së thelli nis vajtonte,
duke qarë ndër lot malli.

M’u shfaq vajza bukuri,
Flokartë e syun e zi,
buzën e ëmbël mrekulli,
nëpër sy i shkrepej zjarri.

Dhe nis ecte nëpër rrugë,
plot nur të hijshmen bukuri,
vështrim ndrojtur duke qarë,
e shikoja plot hutim.

Dhe shpejt zë e këndova
nëpër qiell, nëpër erë,
prej zjarrit u dashurova,
dhe mbeta ngacmuar përherë.

Po vjen vajza për së largu,
porsi një hije krejt e zbehtë,
nis më zgjon prej gjumit t’vdekjes,
më ledhaton lehtë e lehtë.

Shpirti im i shuar krejt,
prej mallit të thellë që e breu,
buzëqesh e qan mahnie,
nis e tretet dhembshurie.

Dhe përqafohemi plot dashuri,
krah për krah e gji më gji,
lot i ëmbël ngazëlloi,
shpirt me shpirt, plot dhembshuri.

Jetë a vdekje përqafuar,
malluar thellë e shtrënguar,
gji me gji të magjiruar,
jetë a vdekje përqafuar.

Duke qarë aq dashuri,
duke puthur aq mjerim,
ledhaton plot ëmbëlsi,
dora jote shpirtin tim.

•••

Kur të pashë sykulluar, s’munda ta mbaj vrerin,
vrerin e zemrës së lënduar, që qan e ngashëren,
fjalët e tua, drithërimat, gjer në shpirt më therin,
djeg kjo zemër në kraharuar, egërsisht më shfren.

Ika shpejt i llahtarisur prej flokut tënd argjend,
duke qarë e mërmëritur porsi një fëmijë,
duke qarë i mrekulluar në pika lot të hidhur,
rashë pre e dhembjes, që m’u ndez në gji!

Kjo dhembje e errët, ç’e ëmbël përherë,
kjo dhembja jote, që shpirtin ma mbushi,
në pikla yjesh këto tinguj m’u shkrehën,
me fjalë malli kjo zemër pushtuar.

Kur prej së thelli më vështrove, me sytë e errët ti
dhe dorë e butë seç fërgëlloi plot ëmbëlsi,
ç’u hapën plagët e mallit tim dhe dhembin ndër lot,
ç’u hapën varret e shpirtit tim e veç qajnë sot.

Durrës, 1989

Hidhur syri të vështron

Hidhur syri të vështron
Dhe buza dridhet zbehtë
Fërgëllon plot llahtari
Dhe shuhet lehtë e lehtë.

Fjalë e fikur porsi flaka
Fjalë e ndrydhur prej dhimbje
Zë e flet në fshehtësi
Drithëron oh llahtari.

Errët syri të vështron
Gji i mjerë u llahtarua
Shpirt i qetë u turbullua
Si në ëndërr dhe në jetë.

Dhe hesht buzë e zhuritur
Dhe dhemb i shkreti gji
Tek të kujton i mrekulluar
Në mes të lotëve-flori.

U mbusha me këngën e hidhur
Dhe s’munda më të vajtoj
Prej dhimbjes u ëmbëlsova
Si nëpër ëndërr kur të kujtoj.

U mbusha me mallin e valë
Që buron në kraharuar
U mbusha me dhimbjen në gji
Aq shumë i mrekulluar.

Dridhem prej bukurisë së heshtur
Nis e shuhem porsi drita
Yjtë e qiellit vetëtijnë
Në zemër të ëndrrës arrita.

Shtator 1990

(Këto janë disa poezi me frymëzim Lasgushian, shkruar në kohë të largëta.)

Autori
Artur Spanjolli