Press "Enter" to skip to content

E përditshme

S’mundem me shkrue në këtë gjendje,
dita shumë e shkurtë
për telashet e një gruaje,
andrra shumë e madhe.
Qyteti një hinkë 
që derdh mbi Bunë
edhe komeditë komerciale të një shteti
në grahmat e tij.
Lajme vijnë nga krejt anët
gjermanët, italianët, amerikanët
anglezët,
veç shqiptarët s’duen me ja ditë
për vedi.
Një burrë kujtoi se ranë kufinjtë
dhe bashkë me gishtin
donte seksin.
Njerëzit heshtin
rroga shtyn deri më datë 15
mandej shtyhena vetë
tuj vjedh njeni-tjetrin.
Veç qeveria nuk i ka fajet
pse komunizmin e kena shpirt e atdhe.
Na ngjajmë me ata
por për ata, jena gjithmonë të tjerët, ne.
Fëmijët mbyllën shkollën,
shpenzime ma pak,
pensionistët u rrejtën prapë
me dy kafe të klubi i lagjes,
nga shtesa e pensionit.
Unë i bi botës me mend rreth e qark
ku vallë mund të jetë destinacioni.
Nuk ndij ma asnjë lajm,
televizori, edhe ky një armë
ose opium, për ditë ma pak.
Sërisht do këtë re nesër,
por jo shi,
ah botë e pashpirt, sa më ke lodhë.
Ah sikur të isha një injorante ma shumë
apo veç fëmijë,
për një çast….

Nuk mundem me shkrue në këtë gjendje,
më duket sikur po ju kallzoj
një përrallë që e dini përmendsh.

Na ishte njëherë një vend,
ku hanin kryet e njeni-tjetrit!

Autori
Arjola Zadrima

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *