Press "Enter" to skip to content

Reflektim mbi romanin “Hijet e muzgut”, të autorit Arben Kallamata

Kaq seriozisht e ka shkruar romanin Arben Kallamata, sa që humori vjen krejt natyrshëm. Ky libër përbën një kënaqësi marramendëse leximi. Prej fillimit e deri në fund përshkruhet historia e qytetërimit, ashtu siç na është përcjellë prej librave, legjendave e këngëve. Thua se autori është tmerruar nga mosdija jonë, nga hija që mund t’i ketë rënë kujtesës sonë. Kjo, në fakt, është thjesht manovër. Autori s’vuan nga kjo sëmundje serioze; me romanin e tij nuk do të na rimësojë historinë. Pikërisht e kundërta është e vërtetë; do të na mësojë se si të qeshim. Paskemi harruar se si shkruante Servantesi, Hashek, Kundera, Tuein?
Romani nis me një lloj teksti turbullues, që duket se ka hyrë pa dashje në libër, por që paralajmëron se romani ka të bëjë me qiej, me yje, me habi. Fill pas tij vjen një si punë traktati shkencor, shkruar nga një amator që i pëlqen të merret me gjëra të mëdha, që s’ia mbajnë shpatullat. Kur e lexova, pata përshtypjen se Kallamata ose po tallej, ose, larg qoftë, kishte rrjedhur. Aq më tepër kur pashë që kishte tituj librash e autorësh (në shqip e në anglisht, ju lutem!) e në fund të faqeve kishte edhe referenca, siç bëjnë studiuesit seriozë kur s’duan t’ia vjedhin mendimin dikujt. Në faqen 10 gjejmë këtë fusnote: “Aristidh P. Kola, “Arvanitasit dhe Prejardhja e Grekëve”, botimi shqip i vitit 2002, f. 97-98”. Ky hutim i bukur zgjat edhe në disa faqe, pasi autori e merr shtruar punën e shkrimit. Na “shpjegon” se si u krijua toka, si u nda qielli prej saj, dita prej natës, toka prej ujit dhe, kur fillon numërimi i bimëve, kafshëve e të gjitha gjallesave që do ta popullonin këtë botë, kuptojmë se kemi hyrë në gjuhën e satirës, humorit e të tjera kategorive të qeshjes, me lot, pa lot, me dhimbje, me dashuri, me trishtim: perdja është hapur, skena është ngritur e s’bëhet fjalë për një fshat të humbur apo një metropol, jo, ngjarjet e romanit vendosen në këtë planet, disa prej tyre pak më lart, andej nga endej ai qejfliu që krijoi botën. Koha e zhvillimit të ngjarjeve nuk ka kufizime të tipit para ose pas luftës, para kësaj apo asaj date. Ngjarja kap krejt mijëvjeçarët, krejt kombet e popujt: por, pa panik, ju lutem! Nuk do lexoni historinë universale të qytetërimit në faqet e këtij romani edhe pse pasuria e informacionit në libër është e përmasave të paimagjinueshme. Në fakt, në këtë roman do lexoni se si i reduktojmë e i hiperbolizojmë, se si i marrim seriozisht apo neglizhojmë fenomene e ngjarje, periudha e kultura, se si mund dhe duhet të vëmë në lojë gjithçka e të qeshim, të qeshim duke menduar se sa pak seriozë jemi me veten tonë e fqinjin, me të dashurin, sa të pa shpirt e trushkulur jemi, sa lavdi e gjak kemi qejf të fusim në dorë.
Mirë, do thoni ju, por ky tip lexuesi është i pakët. Si do t’ia bëjë ky roman me ata lexues që duan personazhe, histori dashurie, rrëmbime, dhunë e hakmarrje? Janë të mirëseardhur! Ka personazhe të skalitura aq bukur, saqë, pa dashur të bëj profetin, do i mbeten për shumë kohë letërsisë në gjuhën tonë. Sepse Kallamata ka maturinë e romancierit klasik, ia di hilet rrëfimit, ia di tiparin që e bën të veçantë e të paharrueshëm një personazh, di ta ruajë intrigën nga parashikimi i lexuesit, sado i sofistikuar të jetë. Romani i përmbush pritjet e një kategorie shumë të gjerë të lexuesve, duke përbërë një vepër shumë të rëndësishme të prozës moderne shqipe. Lumturi e papërshkrueshme(!) në fund të romanit: lexuesi ndjehet krenar që është nipstërnip apo mbesëstërmbesë e Gjyqes dhe Palloshit, që një autor shqiptar, më në fund, me seriozitetin më të madh që përmban e qeshura, na ka dëftuar se prej çfarë rrënjësh hyjnore e kemi prejardhjen!
Lexoni një libër të bukur, që vlen shumë të lexohet, më 2020-n: “Hijet e muzgut”!

Autori
Arbër Ahmetaj
Kryeredaktor   | [email protected] | Website

Arbër Ahmetaj lindi në Tropojë në vitin 1965. Është diplomuar për farmaci në universitetin e Tiranës dhe atë të Gjenevës. Në vitin 1986 filloi bashkëpunimin me shtypin shqiptar të asaj kohe dhe më pas punoi si gazetar në departamentin e informacionit në TVSH. Në vitin 1993 iu bashkua Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe u specializua për diplomaci në Oksford, Uashington, Gjenevë dhe Maltë. Pas detyrave të ndryshme në këtë ministri u emërua Sekretar i Parë në Ambasadën Shqiptare në Bukuresht. Nga shtatori i vitit 1997 jeton në Sion të Zvicrës, ku ushtron punën si farmacist. Disa nga veprat e tij në prozë janë "Fletëhyrje për në varr", "Varri i braktisur", "I huaji, ai kosovari", "Një natë te Luiza", "69 gra", "Procesi 3K", si dhe librat me poezi "Më mori malli e dashur" dhe "Poezi". Nga viti 2020 është Kryeredaktor i Revistës Letrare.

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *