Press "Enter" to skip to content

Reflektim mbi romanin “Gruaja me dy zile”, të autorit Mehmet Elezi

Gruaja me dy zile – roman nga Mehmet Elezi
Romani i Mehmet Elezit, “Gruaja me dy zile”, lexohet në dy mënyra. E para është si leximi i notave të një poeme simfonike mbi nostalgjinë. Ky lexim të mbush me hijeshinë e metaforës, me përlotjen e mallit (teksti letrar i Mehmet Elezit të rrëmben, për më tepër të përlot kur e lexon, për mirë a për keq lexuesi shkrihet me shkrimin), me dritën e butë e të ëmbël të imazheve nga fëmijëria. Plotnia e një jete të thjeshtë, me njerëzit e dashur rreth e rrotull, me shkrepjet e përndritshme të shpresave e ëndrrave, përzier me aromën e mirë të luleve e të grave.
Rrëfyesi, një burrë i pjekur në moshë, ndodhet në Paris. Pas një konference kthehet në hotel dhe goditet befas, si me rrufe, nga një ndjenjë nostalgjie. Dada, një grua e afërt në fëmijërinë e personazhit kryesor, e shndërron mbrëmjen e tij pariziane në një gremisje pothuajse psiko-idilike në të shkuarën:
Motori ‘google’ i kujtesës u vu në lëvizje. Po kërkon me ulërimë www.dada.com
Romani merr udhë. Është historia e jashtëzakonshme e një gruaje, Dada, që, e goditur nga një fatkeqësi, shpalos në roman faqe të ndryshme të personaliteti të saj, të shpirtit të saj të rrallë. Kështu nis edhe mënyra tjetër e leximit të këtij autori shumë kurajoz. Stili i tij i afrohet fort atij bisedor. Ndërhyhet pa ndalur në rrëfim. Lëviz e thyhet, ringjitet e merr zjarr, shuhet aty për aty, si biseda e pasionuar mes njerëzve në jetën e përditshme, si syri, që kap për të mijëtat e sekondës një pamje apo imazh, si shqisa e nuhatjes, që kalon në sitë të gjitha aromat e njëvendgjendshme. E truri që i analizon me autoritet sovrani. Ky lexim të kujton disa teknika të Xhojsit. Por, shtrati i dramës nuk cenohet; ajo lidhet, ngjitet, nyjëtohet me fatet e të tjerëve, zgjidhet, ngre pikëpyetje të gjithfarëllojshme e të lë me gojë hapur për nga tragjizmi i fateve, ngjyrimi i përflaktë i karaktereve.
Gjuha e përdorur? Sikur asnjë element tjetër të mjeshtërisë romanore të mos zotëronte Mehmet Elezi (gjithsesi është autor i dymbëdhjetë romaneve), gjuha shqipe në tekstet e tij letrare është në kulmin e festës. Po çfarë ndodh me Dadën e romanit, gruan me dy zile? Çfarë ndodh me ne pas leximit? Çfarë refleksionesh arrihen mbi jetën dhe fatin e individit? Përgjigjet gjenden te secili prej nesh.
Para shumë vitesh, një poet i kritikoi poezitë e mia të rinisë “për figuracion të tepërt”. Deri vonë s’e kam kuptuar kritikën e tij. Duke lexuar këtë roman, m’u rishfaq ajo kritikë, që i bëhej poezisë sime: në prozën e Mehmet Elezit ka shumë poezi! Ndoshta më shumë seç duhet…!

Autori
Arbër Ahmetaj
Kryeredaktor   | [email protected] | Website

Arbër Ahmetaj lindi në Tropojë në vitin 1965. Është diplomuar për farmaci në universitetin e Tiranës dhe atë të Gjenevës. Në vitin 1986 filloi bashkëpunimin me shtypin shqiptar të asaj kohe dhe më pas punoi si gazetar në departamentin e informacionit në TVSH. Në vitin 1993 iu bashkua Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe u specializua për diplomaci në Oksford, Uashington, Gjenevë dhe Maltë. Pas detyrave të ndryshme në këtë ministri u emërua Sekretar i Parë në Ambasadën Shqiptare në Bukuresht. Nga shtatori i vitit 1997 jeton në Sion të Zvicrës, ku ushtron punën si farmacist. Disa nga veprat e tij në prozë janë "Fletëhyrje për në varr", "Varri i braktisur", "I huaji, ai kosovari", "Një natë te Luiza", "69 gra", "Procesi 3K", si dhe librat me poezi "Më mori malli e dashur" dhe "Poezi". Nga viti 2020 është Kryeredaktor i Revistës Letrare.

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *