Press "Enter" to skip to content

Kuaj dhe kalorës

Pasditja më e çuditshme e jetës sime nisi me një shkelje këmbe nga një trashaluq i gjatë, kur po kaloja rrugën nga njëra anë në tjetrën. Në fakt më shkeli me kokën e vet, e cila kërciti fort mbi këpucën e majtë në përfundim të rënies së tij. Ai ngeli shtrirë gjerë e gjatë, ndërsa njerëzit që po kalonin u ndalën dhe më ngulën sytë paksa të habitur nga qëndrimi im i ftohtë përballë përpjekjeve të tjetrit për t’u ngritur, duke u mbajtur te gjunjët e mi. Unë zgjata nxitimthi duart për ta ndihmuar, jo se u preka nga vështrimet e kalimtarëve, por më tmerroi ideja se ai mund të përdorte edhe testikujt e mi si ndihmë për t’u ngritur, gjë që më bëri të dridhesha. Më në fund, gjatoshi u gjend në këmbë para meje dhe kalimtarët vazhduan rrugën në punë të vetë, bashkë me çadrat e tyre të zeza, nëpër shi. Hetuam njëri-tjetrin nga koka te këmbët me vështrime; ai kurioz, unë i çuditur, sepse filloi edhe të më nuhaste nga shpatullat e parakrahët, aq sa u bë gati të më lëpinte duart. Llogarita që nuk mund të matesha fizikisht me një zdap të tillë, si kalë dhe vetëm u kollita si për t’i kërkuar llogari për veprimet. Ai u skuq paksa në mollëzat e faqeve të shëndetshme dhe buzëqeshi me një përulje koke si për t’u shfajësuar.
– Më fal, por nuk shoh mirë nga sytë dhe i nuhas njerëzit për t’i njohur më mirë… – tha mirësjellshëm. – Madje, kam ca kohë që, edhe kur shoh mirë, i nuhas, sepse nuk i rezistoj dot ndjesisë, më duket sikur kam lindur me një dhunti të tillë.
– Çfarë dhuntie? – e pyeta me ton të lartë e nervoz, duke mbajtur njëfarë distance.
Sapo hapi gojën entuziaste për të shpjeguar arsyen, ndjeva mbrapa krahëve një buçimë zërash, ulërimash e hapash. Ktheva kokën dhe instinktivisht u përgatita t’ia futja vrapit, pa ditur ç’po ndodhte. Një turmë e madhe njerëzish me pankarta në duar, të cilat nuk i lexova dot prej shkrimit të keq, më rrëmbeu në gjirin vet. Me sa dukej rastisa në rrugën e tyre, sepse mitingashët nuk më vunë re fare. I dëshpëruar zgjata dorën në ajër për ndihmë drejt trupmadhit dhe thonjtë e mi, nuk e di pse, kapën dhëmbët e nofullës së poshtme të tij, sikur ai t’i kishte vendosur qëllimisht në atë pozicion. Atje u mbajta pakëz derisa zgjata dhe dorën tjetër, thonjtë e së cilës i ngula në mishin e qiellzës së tij. Në mes së gjithë asaj gjullurdie m’u duk se dëgjova një hingëllimë kali, ndërsa duar e mia rrëshqitën në ajër bashkë me ca jargë jeshile. Kujtova se ia çava gojën, por jo: ai luftoi shumë për të m’u afruar e më kapi nga shpatullat me duart e fuqishme, ndërsa shqelmonte si kalë i tërbuar turmën. Ndjeva një dorë që m’u fut rrëshqanthi në pantallona, duke m’i shqyer e duke u përpjekur të më fuste gishtin në bythë. Reagova me një fuqi që nuk e di nga më erdhi dhe shqelmova aq fort, sa për një çast m’u duk sikur pashë përdhe një dorë të këputur nga bërryli e poshtë e të thyer në disa vende, ndërsa pantallonat e mia, megjithëse të shqepura, ngelën në vendin e vet. Turma e mitingashëve u nis drejt qendrës së qytetit, ku dëgjoheshin tinguj këngësh revolucionare. Ngela vetëm dhe, i çmeritur, u ktheva hopthi drejt një hingëllime miqësore prapa krahëve të mi. Ishte bashkëbiseduesi im, që, me sa dukej, më shpëtoi kokën dhe bythën nga ajo turmë kafshësh me rroba. Buzëqeshi qetë dhe më ftoi të rregulloja rrobat e trupit e pastaj për një kafe. Pranova qetësisht, megjithëse përbrenda zieja nga urrejtja për turmën e atyre mitingashëve të çmendur. U ulëm në një kafene buzë rrugës dhe vazhduam bisedën e nisur në rrugë.
– Që thua ti… – nisi ai.
– Hë… – ia zgjata.
– Unë kam një nuhatje fenomenale, ha barishte, jam shumë i fuqishëm dhe vrapoj si askush tjetër!
Dukej sikur kishte kohë që i mbante përbrenda e u çlirua që m’i tha të tëra cilësitë njëherësh.
– Ouuu? Jo more! – mosbesues unë.
– Nuk e di pse po t’i them të gjitha ty tani, por seç kam një ndjenjë… shumë i afërt me ty… – dhe u zgjat të më nuhaste përsëri shpatullat.
Unë nuk lëviza. Sado të largohesha, ai ishte shumë i gjatë e më arrinte vetëm duke drejtuar qafën. Nuk u bezdisa, madje më pëlqeu që dikush ishte i gatshëm të afrohej aq shumë e të më trajtonte si kafsha të zotin.
– Jam gati të të marr kalaqafë tani dhe të të çoj ku të duash ti, me dëshirën më të madhe, madje e ndiej si detyrim… vërtet! – vazhdoi trupmadhi, duke shkrofëtirë mes habisë dhe kënaqësisë sime, ndërkaq filloi të më rrihte veshëve ritmikisht një trokëllimë patkonjsh, si lëvizja nervoze apo e gëzueshme e ndonjë këmbe…
U mallëngjeva aq shumë nga çiltërsia e tij, sa iu hodha në krahë e u pushtuam si dy miq të vjetër, që nuk shiheshin prej kohësh. Unë psherëtiva, ndërsa ai hingëlliu lehtë. Në çast ndodhi një si shkarkesë e fuqishme elektrike mes nesh. Mendova për një grimë se na ra rrufeja. Më buçitën veshët nga trokthe kuajsh, thirrje beteje, kërkëllima kockash e përplasje shpatash, gjuhë të panjohura e klithma vdekjesh, prerje kokash e xixa mburojash nga goditje topuzësh të hekurt. U çpërqafuam ngadalë, duke parë njëri-tjetrin në sy, të sigurt se u kuptuam plotësisht. Ai kishte qenë gjithmonë me mua, gjithmonë kali im nëpër jetë të tjera. Nëpër beteja, pyje e mes egërsirash, më kishte mbrojtur e lajmëruar për rreziqe, më kishte bërë hije në shkretëtira e ngrohur mes borës e stuhive. Unë e kisha kalëruar, dashur e respektuar më shumë se çdo qenie njerëzore, të cilat nuk i kam edhe aq qejf, të them të drejtën. Kisha ndarë ushqimin, bisedat, intrigat, manaferrat e morrat me të. Herën e fundit ishte një kalë i stërmadh e i bukur bardhosh. Vdiqëm të dy në një betejë kundër ca shkurtabiqëve mizorë, larg trojeve tona.
– Po ti? – iu drejtova dyshues, por dashamirësisht. – Si?… Ç’kaq?… – duke i prekur me duar fytyrën e trupin.
Ai tundi kokën lart e poshtë i përmalluar, pa folur apo hingëllirë, i pashqetësuar për të gjetur ndonjë përgjigje, por i lumtur që më kishte gjetur përsëri, ashtu siç bënte njëherë e një kohë kur unë e pyesja duke i shkelur syrin për princesha të bukura, të cilat i rrëmbeja kështjellave mbarë botës. As unë nuk u mundova të gjeja përgjigje, por iu hodha në kurriz e dolëm trokthi nga dera e shqyer e kafenesë. U nisëm drejt ballkonit të një bukurosheje pasanike që kisha njohur kohët e fundit. Kalëruam bashkë nëpër jetë, kohëra, histori, luftëra, planete e ëndrra të tjera. Ndihesha fatlum: isha nga njerëzit e këtij planeti, të cilët e dinë se personat që takojnë, pijnë kafe, punojnë e bisedojnë, janë thjesht kuajt, devetë, gomerët e mjetet e transportit në jetë të tjera.
– Se harrova! – iu drejtova gjithë dashuri që nga kurrizi. Po tani me çfarë merresh? Shoh që je shumë i mbajtur e i pispillosur, si pasanik, të ndrit fytyra!
– Me politikë, nuk më ke parë në televizor mua ti? Po kandidoj për një post shumë të rëndësishëm! Çelësi i fitores sime dhe sekretin po ta them vetëm ty: janë fjalimet që u mbaj turmave. Në të vërtetë janë monologët e tu, që më dalin nga shpirti, gjërat e mrekullueshme që më thoshe pranë zjarrit, netëve bashkëgdhirë pyjeve e shkretëtirave të kësaj bote, kur ishe ende imzot. Ndërsa në kohën e lirë merrem me art, kam fituar edhe disa çmime kombëtare e ndërkombëtare! – m’u përgjigj gjithë mburrje e përulësi njëherësh, ndërsa unë rrëshqita si i sapoplagosur nga vithet e tij. Po ty, si po të ecën jeta?
– Nuk kam televizor… – ia ktheva pothuajse qetësisht. – Dheee… jam shkrimtar… i papunë!
– Po atë atje e njeh? – më pyeti sikur po më bënte një surprizë që do të më linte gojëhapur për shumë kohë dhe drejtoi prapa krahëve të mi gishtin tregues, në majë të të cilit zgjatej një thua i kaftë, jashtëzakonisht i madh, si thundër.
Ktheva kokën vërtikthi dhe me sy kërkues shquajta një ish-punëdhënës, ish-shefin tim, i cili po zvarritej këmbadorazi, gjuhëjashtë e syxixëllues drejt meje. Zgjati putrat e para drejt kofshëve të mia e filloi të më lëpinte takat e larta të këpucëve, me të cilat përpiqesha të mos dukesha shkurtabiq para femrave. I acaruar, madje i tërbuar e duke plotësuar një dëshirën time të vjetër, e shqelmova fort brinjëve. Kuisjen gjysmëqennjerëzore e pasuan ndërgjegjevrarja ime e menjëhershme, katër sy që më shikonin pa dyshimin më të vogël si dritën e zotërinë e tyre të përjetshëm dhe dy duart e mia që ledhatuan gjithë mall dy kokë të përçudnuara, ku shfaqej ndonjë parazit i vogël aty-këtu. Qeni im! Eh, mezi m’u kujtua, megjithëse shumë besnik! I vetmi mendim që m’u vetëmvesh si përkrenare e rëndë në kokë e nuk po më linte kujtimet e lashta të riktheheshin lirshëm, ishte nëse kisha qenë ndonjëherë bari, mbret, shtatëgruadashës a kush e di se çfarë tjetër. Vështrimi më ngriu drejt turmës së mitingashëve, që, me sa dukeshin, ishin gjithë gjallëgjëja e fermës sime të tejhershme, të cilët kishin humbur rrugën, ndalur klithmat shtazarake e zgurdulluar sytë nga ne. Sapo u gatita t’u vërsulja ish-punëdhënësin tim për t’i trembur sadopak ose t’i rrihja me të, u dëgjua kushtrimi i një megafoni të largët nga qendra e qytetit. Turma u zhduk drejt thirrjes si pluhur, pak çaste më vonë u fashit edhe zëri, ndërsa ne të tre çliruam, unë frymëmarrjen e dy të tjerët dihatjet. Shtrëngova përkrenaren pas rrashtës dhe kujtimet i lashë për më vonë.

Autori
Arben Orhani