Press "Enter" to skip to content

Natën kur u shkim nana

Atë natë që u shkim nana, zemra jeme u thërmue në nji mijë copa, me aq dhimbtë t’padurueshme, sa s’ua njoh shoqet. Atë natë që shkoi nana, m’u pre jeta n’dyshaz: jeta me nanën, e jeta pa nanën! Pjesa e dytë, pa nanën, ashtë pashpirtnisht ma e gjatë, njiherësh edhe ma e padrejtë, mbasi kurrkush s’duhet me pasë ma shumë jetë pa njeriun që e do aq fort. Atë natë që u shkim nana, veç njizet e gjashtë vjeç isha, por krejt prej saj i kisha, kurrgja s’kish nevojë me m’dhanë ma; veç me e dashtë m’kish mbetë. Atë natë që u shkim nana, m’u ba e qartë krejt se kisha për të dashni të dëlirë, pa kurrfarë nevoje, pa fije interesi a ndonji sendi që fëmija e pret prej prindit! Në qoftë se do të ishte diçka, do të ishte ai prag në jetë kur sapo isha gati me ia kthye disi asaj; me ba diçka për nanën! Ja sepse bash atë natë kur nana u shkim, gati u idhnova me të! U ndjeva si i premë ne besë, sikur ajo s’donte me m’dhanë asnji mundësi me ia kthye, le t’ishte edhe grimca ma e imtë e gjithësisë që ajo me aq zemër të madhe ma kishte dhanë pa u kujtue nji herë për veten e saj. Por shpejt m’ra ndër mend se ajo s’do ta bante kurrë atë gja! Ajo asnjiherë s’do kishte pranue me marrë diçka n’shkëmbim ta asaj që kish dhanë! Ajo ishte dhuruese, dhuruese dhe vetëm dhuruese. Atë natë që u shkim nana, gjithçka u shkri n’mue pernjiheri; mbas nji grime, gjithçka ngriu. Qysh prej asaj nate s’kam qenë ma kurrë i zoti me e përjetue dhimbtën aq fort e shpresoj e uroj mos me më ndodhë ma, mbasi askush s’ka pse me ndie dhimbtë aq të pashpirt ma shumë se nji herë në jetë. Natën që nana u shkim ishte njizet tetori; në këtë kohë Korçën e mbulon bora e parë! Ja që atë natë s’ra borë, me gjasë ajo që ra në shpirtin tem qe e mjaftë! Nata kur nana u shkim ishte tridhjetë e pesë vjet, ditë, apo minuta ma parë. Atë natë që nana u shkim, ishte shtatë mijë e gjashtëqind kilometra, metra larg apo krejt këtu. Nata kur nana u shkim, s’gjindet n’kohë, as n’hapsinë!
Natën kur u shkim nana…
That night when Mother died.
Pse po e shkruaj në anglisht, pse krejt në gjuhë të huej më shkrepi në tru? A thue se fjalinë:
“Atë natë që nana u shkim”, s’mundem me e shqiptue n’at gjuhë që Nana ma ka mësue!

Përshtati në shqip: Arbër Ahmetaj

(Teksti origjinal u shkrua nga autori në anglisht.)

Autori
Arben Kallamata

Comments are closed.