Ëndrrat e mëngjesit
Ëndrrat e mëngjesit
një grusht rëre hedhur në ujë
që peshqit me magji ushqejnë.
Shigjeta të ndezura
vështrimesh që më zhveshin
ngulur poleskave të dëshirës
ku uni flijohet.
Pastaj…
pastaj…
fillin e ditës rihapin
dhe sytë
për të parë ty.
I huaj
Dehur nga erë bajamesh
mendja si fugë
në shtregull dëshirash
përkundet
mornicat e lëkurës
bulërojnë sythe fjalësh
dhe tinguj pasionesh
që ëndrrash shkruhen.
I huaj,
as dehjen e natës
s’mund ta lexosh dot
në gjuhën time.
Sa keq!
Zhegu i mallit
Shkretinë trupi
shpirti u shkërmoq
si guri
plasi rërë
shkrumb-
syri lotuar
zemra-
gjinkallë që zukat
në zhegun e mallit.
Dhe klithma ime
gong i shurdhuar
për një sipar
që s’po ngrihet…
Pa ty
Fistonët e liqenit
ma prangosën sot
vëmendjen e diellit.
Peshkuar nga tramajtë
e ndërgjegjes
notoj
me vlakun
e vetëflijimit
kular rreth qafës.
S’e shoh bregun,
as dritë nuk shoh.
Ikrat e gjakut
në bregun e fatit
rruzare lutjesh
thurin për mua.

Ana Kove
Anna Kove është një poete dhe përkthyese e njohur. U diplomua në vitin 2001 në Institutin Goethe në Gjermani, me diplomën "Gjermanisht si gjuhë e huaj në teori dhe praktikë". Vazhdoi studimet e masterit në Universitetin Evropian të Viadrina në Gjermani (2002–2004) në "Media dhe Komunikim Ndërkulturor". Gjithashtu u diplomua në "Gjuhën dhe Letërsinë Shqipe" në Universitetin e Tiranës (1986-1990).
Anna Kove është autore e “Shën Valentin ku ishe”, “Djegë Ujërash”, “Nimfa e pemës së humbur”, dhe “Kambanat e së dielës”. Është shpërblyer me shumë çmime në ndryshme konkurse në Shqipëri, Kosovë dhe Mal të Zi. Ajo është një ndër autorët më të dalluar bashkëkohorë në Shqipëri, duke tërhequr vëmendjen e kritikëve, hulumtuesve dhe gazetarëve, të cilët kanë shkruar vazhdimisht për veprat e saj.
Kontributi i saj në përkthime është edhe më i gjerë.







Be First to Comment