Press "Enter" to skip to content

Poezi

Zëri i jetës

Zëri yt, Ajla, erdhi atëherë
kur dita ime memece, e pagojë,
përthyhej nga muzgjet.
Erdhi si për të përzënë orën e lig’,
si për të përmbushur thënien biblike
“Mos e lër ditën të zemëruar para se perëndimi të shkojë…”
Zëri yt, Ajla, erdhi si një pupël shkëputur
nga një krahë dallëndysheje,
për të ngrohur ajrin e marsit rreth meje.
Erdhi si një notë në pentagram
për simfoninë e zogjve,
për t’u bërë e tillë.
Si për të më thënë se është koha
kur mërmërisin luledelet, luleqingjat
dhe lëndinat me emrin Eden
mezi presin ardhjen e tyre!
Zëri yt, Ajla, erdhi si mëndafshi i butë
i fjongove të tua të kaltra,
zbriti paqësisht zemrës sime
për të qetësuar pikëlotin.
Erdhi si një tringëllimë lulezilkash, që çelin në mars
dhe pikojnë mall.
Si për të më thënë: po ti dil nga dhimbja,
bëhu e gjallë!
Erdhi si për të më kujtuar
se ti dhe vetëm ti je epiqendra e kësaj bote,
askush tjetër,
Ti dhe fëmijëria jote!

 

Shira vjeshte…

Ky shi i artë që bie,
dhe lag gjithçka rreth meje,
më ngjan me gishta perëndie
që zbret nga fron i bardhë prej reje…

Çdo gjë e gjelbër sërish u deh
si zgjim, çlirim prej ethesh.
Ky shi i artë aty nën strehë,
tulat dhe zogjtë me krahë prej gjethesh.

Vështrojnë puplorët me shqetësim,
(se disa trille nuk kuptohen),
nuk dinë se shirat janë bekim
dhe gjinjtë e tokës zbukurohen.

Ata janë thjeshtë ca spektatorë,
që diej presin me padurim
dhe pse nën qiej dinë të jetojnë,
edhe të vdesin në fluturim.

“Ky shi që bie s’di përse,
më sjell ndërmend një mit,
çdo pemë më bëhet një Danaj’
që çmendi perënditë…”

 

Në ditëlindjen tënde

Sa shumë do doja sot,
të isha puthja jote e parë,
të isha prekje, një regëtimë,
të ndjeja ty nëpër damarë…

Të isha lidhur me krahët e tu
zgjatim zambakësh të përqafuar,
të thithja erën e trupit tënd,
të ndjeja burrin e dashuruar…

Ndodh dhe kështu i shtrenjti im,
të mos jem pranë në ditën tënde,
por mallin tim sot përvëlim,
e kthej për ty në tingull kënge…

Ndaj sot dhe pse nuk jam pranë teje,
unë prapë jam puthja jote e parë,
unë prekje, mall. Ti regëtimë,
ti ndjenjë e fshehur nëpër damarë.

Autori
Alma Zenellari