Kjo kohë…
Në magje dashurie
nëna ime gatuan bukë,
bukë lepurushi për ne…
E mbështjellë pastaj
dhe ma jep me duar të bardha zambaku.
Por unë e di, e ndjej,
në çdo kafshatë
kapërdij
lot trishtimi,
kuptoj si i endet mbi sy
një re e madhe meraku…
Kuptoj si kjo kohë
m’i këput një nga një
si shira yjesh
lotët e pafaj
dhe më lë hapur derën e mallit
për folenë e dielltë të saj…
Malli
Ikja jote
më kthen vjeshtë,
statujë prej uji,
kur qiell i zemërimit tënd shtrydh retë…
Kur ti ikën,
mbuloj trupin me këmishën e mallit
dhe ndjej si zgjerohet supeve.
Në pritje numëroj diej, stinë, yje…
Zemër
Ti flije me kokën mbështetur në prehrin tim,
gishtërinjtë ngërthyer duarve të mia
dridheshin lehtë.
Unë përgjoja gjumin tënd të trazuar.
Kuptoja
se një ëndërr e bukur shprishej,
nën qepallën e rënduar.
Rënkimi yt
trishtonte,
thante zambakët e zemrës sime…
Unë gjysmëbrinjëza jote e përmalluar,
vazhdoj bëj roj’
në skaj të shpirtit tënd.
Nanuris ëndrrën tonë të përbashkët,
duke të puthur bulëzën e djersës pikuar ballit,
duke përkëdhelur në heshtje
sythet e kallove mbirë pëllëmbëve të tua.
Duke të mërmëritur dhimbshëm mbi sy
“mos u trishto zemër,
jam këtu,
të dua…”
Dromca poetike
1.Mbështetur parmakëve të natës,
Ti në heshtje ndjek farin e vogël.
Unë xixëlloj brenda dhomave…
2.Meraku i nënës,
është pëllumbi i bardhë,
që ulet mbi parvaz të dritares…
3.Mos fli pa më thënë “natën e mirë”
se yjet fiken
dhe nata vdes e verbër…
4.Lagen këmbët e zogjve shirave të pranverës,
kërcejtë e mallit tim harlisen kraharorit
Është prill…
Mungesë
Ka kohë që fjalët nga fletët kanë ikur,
me krahë prej ëndrrash humbasin në erë…
Pa to jam nata me sytë e fikur
Jam si pylli me drurë të prerë…
Uverturë nën shi
Sot binte shi i ngrohtë,
puthte ajrin,
dridhej,
pikonte këmbëve të mia,
mbështillej…
kërcenin balerina piklash me fustan të ujtë..
kërceja edhe unë nën çadër, e lumtur,
pemët vështronin qerpiklagura,
këmishëngjitur, puthitur lëkurës së tyre…
Një uverturë e bukur ngrihej butë-butë qiellit të lagësht,
shoqëruar nga buzëqeshja ime,
nga dashuria ime e zëshme,
e çiltër për Ty.
Ti… ishe aty, në pritje të ëndrrës së ylbertë,
i bukur…
Pse jam kështu pa ty?
Si një mëngjes i ftohtë dimri, i thatë,
pa dritë,
si një ditë e lodhur e paemër, e pakuptim
një muzg i hirtë, i zymtë,
një horizont i tërë pa perëndim…
Pse jam kështu pa ty…
burim i tharë, ujëvarë e ngrirë,
pa ty një humbëtirë,
një bosh,
një hiç i frikshëm jam,
një det pa dallgë, pa klithmë pulëbardhash,
liman trishtimi veten kam.
Pse jam kështu pa ty,
si një qiell i lodhur pa re zogjsh,
si një ikje, si një dhimbje therrëse e pa skaj,
jam natë e heshtur, e mekur,
pa dritën verbuese të yllit të saj.
Pa ty,
Pa ty jam muaj pa ditë,
jam stina e zhveshur nga mrekullitë…
Sa larg
Si erdh kjo kohë i dashur,
ca avuj pritjesh pikojnë mbi dritare.
Kjo kohë e ashpër me dhimbje mbarsur,
ma rrudhi ëndrrën nëpër ditare.
Dikur ditarët i kam urryer,
(sëndukë të vegjël me trishtime),
ndoshta më ngjanin me zogj krahëthyer
fletë të hirnosura me kujtime.
Je kthyer ëndërr nga kjo mungesë,
rrahjet e zemrës më flasin ndryshe.
Unë larg, ti larg, malli në mes,
rreh krahët flokëve një dallëndyshe.
Mbi fletë ditaresh zemra nuk mund,
kësaj kohe t’i bëj ballë.
Nga shtegu i zemrës një lot po shkund,
Një lot të brishtë dhe pakëz mall…







