Koha klith erën e saj
E statujtë vinte koha nëpër vite,
pa thënë asnjëherë diç të re,
e megjithatë shumë herët e kuptova,
përse fjalët më eteshin atje.
Përse shikimet zgjateshin të zinj,
binarë që therrnin fushave të shkreta,
ku kronos` i kuptimit tënd të pamëshirë,
i shqyente sakaq ditët e veta.
Përse muret mbaheshin të fortë,
përse rreth teje zverdhte e vërteta:
se si nuk mund të shembej ai makth,
i ndërtuar veç me buzë dhe letra.
Përse u shtrimë të dy mbi kohën tone,
hekurudhë, përplasje trenash në mesnatë,
ku të vetmit të vdekur ishim unë
dhe një mëkat, që s`kish bërë kurrë mëkat.
E statujtë ngrihet koha brenda teje.
Brenda meje klith koha, klithim ne,
nga dhimbja e pakuptimit të përgjakur
të fjalëve që më eteshin atje
Ende fryn
Ato që vegojnë e feksin thellë gurit,
janë ditë të fshehura këngëzimesh të idhta,
pëshpërimë e mbrame që përskuq perëndimet,
e ngrirë si një kryq nga dhimbja dhe pritja.
Janë ushtarët e fundit ndër dhëmbë bedenash,
pikëllim i përsosur shikimesh të vërteta,
që rrjedhin të bardhë, mbishkruhen mbi mure,
si kumte harrimi, si arratisje nga vetja.
Në skaje nate
Liqen i kaltër, mendim i kaltër,
dhoma bosh nxin e nderet si sy.
Gjithë nata qau në dilemë:
në ishim a s`ishim aty…
Dhe nata kafshonte vetveten,
Ah, dorën… ah, prekjen e vet,
thërrmuar në zemrën e kuqe:
a ishim, a s`ishim vërtet.
Tani nëpër dhomën vetmuar,
shikimi yt i trembur kumbon,
mbi liqen, si një algë ëndërrimi,
lëkundet e drithtë nata jonë.
Kryqëzim fatal
Si u ndeshëm ashtu,
regëtima qiejsh
e u thyem,
tek ramë,
ndër pasqyra të huaja
e më s’u pamë?
Si u ndamë ashtu,
sy mbi ballin
e vetëdijes,
pranë e pranë,
horizontesh të kundërt
e prapë u pamë?








Be First to Comment