Press "Enter" to skip to content

Kangë n’eter

Kangë n’eter

A thue kena me ditë ndonjiherë,
sa buzë e pulsime,
ban rruga prej fjale në kangë,
sa frymë prej meje duhet,
me e rikrijue at’ trup ku çmenden algat,
prej dashnie n’dashni,
me nji liqen t’vogël,
t’mshehun thellë e n’gji?
Apo ndoj ditë,
kanë me dekë dimensionet pa lé,
e ti ke me shpërthye,
nji ditë si t’gjitha tjerat,
kur të rikrijohet trupi yt,
prej pluhunit të pritjes time?
M’kallxo sonte për jetën dhe dekën,
oj gjamë e kaltër hapësine!

Orë fatale

Kohojnë kohët, fatet thonë,
parashikojnë të lumin kumt,
orakull ëndrrash në fron qiellor,
veten e vdes dhe e përhumb.

Më vjen të lind, të qaj sërish,
që mos më njohë tjetër njeri,
të bëhem frut i heshtur malli,
në sytë prej vjeshte që ke ti.

I tretur pluhur hapësirës,
shoh dhimbjen bukur se si dhemb,
si ngel akrep` i orës sime,
në fushën e trishtimit tënd.

Kronikë ajrore

Një flurudhë e rrezikshme, jeta ish,
petale drithërimash mbi qiellin blu.
Pastaj “gabim njerëzor”: avioni puth tokën.
Kujtimet si pasagjerë të vdekur aty-këtu.

Koha heton ftohtë mbi rrënoja dhe bar
të gjejë fakte, këngë, lot apo një sy…
Shpirti si një kuti e zezë avionësh,
ruan në vete vetëm vjershat për ty.

Imazh

Tani në këtë cep të odës së mugëtirtë,
sapo kam hyrë dhe prek zbrazëti.
Ulem pranë oxhakut,
flas me dikë,
por nuk je ti.

Por unë flas prapë dhe shoh habi,
imazhet shprush thellë brenda syve,
afrohem në dritare,
e ato çmenden,
prej qelqeve të tyre.

Vërtitem si mendim cepave të saj,
përflakur nga zjarri që vetë kam ndezur,
i mbetur skelet imazhesh,
të tretur heshtur,
por jo të vdekur.

Tani i vetëm lëpij atë që s`ma ke thënë,
dhe e përkëdhel si rruzare varg e varg,
me duart e mia të djegura,
drejt teje,
me qindra kilometra larg.

Mbrëmë

Shikimet si gota trokasim,
në barin e drunjtë të trupit,
të dehur pimë puthjen e parë,
të helmët pimë puthjen e fundit.

Shikimi më bie, më thyhet,
përtokë regëtima për dreq.
Kujdes kur të ikësh, e dashur,
mos këmbët të shpohen mbi qelq.

Shikimin e fundit të zbrazur,
mbi banak i vetmuar trokas,
tek nata lëkundet në bluz,
tek nata po shuhet në xhaz.

Përftim i pagabuar

Përnatë zëvendësoj ashtin me fjalë,
përditë them fjalë të verdha ere,
që kumtojnë dhimbjet e stinës,
tek mbijnë në shtratin e ajrit rreth teje.

Pastaj bëhem vijë e kuqe kuptimi,
kurban i riciklueshëm tempujsh të akullt,
që shënjojnë e parathonë heshtur,
jetën që vjen e mnershme, e vagullt.

Në fund nuk vjen fundi që pritet në paqe,
tamam si kjo vjershë e verdhë në helm,
e derdhur shkujdesur mbi thelb të kuptimit,
që kurrë as fundin, as fillin s’e gjen.

Drejtpeshim

Tani dua gjithë bukuritë
të rrinë me mua:
pemët, ajrin, objektet qiellore,
shqisat e mia,
gjethet mbi ujë, agimin e ri,
orët e mesnatës…
Tani i dua gjitha këngëtimet,
të tingëllojnë në mua:
serenatat, fjalët e erës,
kumbonat e festës së trishtë,
rënien e gotës vetmitare,
fjalët e mia, thyerjen e shikimit.
Tani dua gjithë vdekjet e kuqe,
të rrinë me mua:
kortezhin që më ndjek nga pas,
lutjet e fundme të muzgut,
duart e mia si epitaf,
ku shkruhet jeta ime,
margaritën që bëhet kurorë.
Tani i dua të gjitha.
Krejt çka është e bukur,
qoftë mbi mua;
e lagësht, e ftohtë si vetmi.

Pastaj, le të ikin të gjitha,
sapo të kthehesh ti.

Akuarium

Liqen i kaltër, mendim i kaltër,
dhoma bosh nxin e nderet si sy.
Gjithë nata qau në dilemë:
në ishim, a s`ishim aty…

Dhe nata kafshonte vetveten,
ah dorën… ah prekjen e vet,
thërrmuar në zemrën e kuqe:
a ishim, a s`ishim vërtet.

Tani nëpër dhomën vetmuar,
shikimi yt i trembur kumbon,
mbi liqen si një algë ëndërrimi,
lëkundet e drithtë nata jonë.

Autori
Alfons Zeneli

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *