Konstante
Paska ardh prap malli
me m’marrë.
Po ai ala s’pat shkue.
Unë sapo ia pata pshtjellë
e dhanë me veti
pak trup, pak lang syni,
nji buzë puthje dhe
nji kokërr qershi t’këputun prej zemre
për me lagë shpirtin kur t’ish i etun.
Po ai sa iku, erdh prap.
Çudi si nuk asht përplas me vetin
te pragu i derës teme.
Certifikatë
Sapo kam lindur,
emrin regjistruar
nën hapat e ardhjes tënde.
Certifikatë e bardhë.
Çfarë po shkruan
me atë trup të hollë,
me hijet e kuqe
mbi fletën e mollës së pakafshuar?
Ja, e para qarje po vjen.
U bë serenatë
thyer xhamash malli.
Nuk më sheh dot.
Çadra atje tej nuk jam unë.
Nën të hijezon ish-qenia ime.
Unë jam vetë shiu qe bie mbi të
dhe këndon akorde të qullura
hepuar mbi lakimet e tua.
Kënga gris kubenë e hirtë.
Ti sheh vetëm dorën që rreh
mbi telat e çmendur
zogjve të padurimit.
Ti,
gjithmonë je shikim,
unë gjithmonë jam sy.
Po sonte që nuk vjen
si ta jetoj gjithë këtë jetë
pa ty?
Postieri
Kam qenë thjesht një sy i vogël
dhe një fjalë e kaltër.
Të vetmin shikim,
të vetmin kumt
ia pata lënë te pragu i derës
që t`i gjente në mëngjes
si një pako postare anonime.
Pakon e përgatisja vetë në mbrëmje
gjithë kujdes e dashuri.
Në secilën mbrëmje
futja gjithmonë nga një gjë më tepër.
Ja dhe këtë, ja dhe këtë, ja dhe këtë.
Një ditë prej ditësh nuk më kishte mbetur asgjë.
Mëngjeseve maskohesha si postier
dhe mbi biçikletë, duke fishkëllyer
ndaloja para portës së saj.
Te porta nuk kishte emër.
Dhe të mendosh që kurrë nuk kisha nevojë
ta kërkoja kudo…
As tani nuk e di se si e dija që ishte ajo.
Një pikë shi
Un’ jam pika e shiut mbi dritare,
ose fjala që ther trupin e k’saj nate.
Retë në qiell sonte nuk janë ajër
janë thjesht mungesë e qenies sate.
Unë jam fati murg i hapësirës
që mëshon për ty botë pas bote.
Shiu përmbi qelq është mall për ty
ndërsa malli është vetë qenia jote.
Gur pa ty
Në fillim me ranë sytë.
Dy fruta të zinj prej degës tënde.
Gjithë bota i shikonte
e ata asgjë.
Asnjë fjalë
nuk frymoi bebeve të tyre.
Pastaj me ranë buzët një nga një.
Secila puthje kish buzën e vet
mbi varr.
Kortezhi fillonte tek unë
e mbaronte tutje në horizont
deri në skajin tjetër të vetmisë.
Pastaj më ranë prekjet.
Mijëra duart e mia
bënin grevë
mirazheve të trupit tënd.
Mbinin luleblu
dhe formonin kurorën e mbrame.
Të gjitha më ranë
në rënie qe s’do të mbaronte kurrë
as përtej fundit tim.
Do ngrija atje poshtë
gur e pikëllim.







