Nëse një ditë toka do përmbyset,
nuk mund të them se s’më vjen keq,
do laget dielli kur qielli të ngryset,
s’do ketë ndryshim, fëmijë a pleq.
Dhe kur kjo botë të ndali tempin,
një tjetër botë do më përpijë,
një vorbull pus, që kohët shembin,
s’di ku shkon, ku do arrijë.
Do kem veshur kostum të bardhë,
kravatë të zezë, me pak shkëlqim.
Do më urojnë: “Mirë se ke ardhë!”,
kur midis ferrit të mbaj fjalim:
Më fal Shën Pjetër, që flas pa rradhë,
kam ardh si mik, s’i futem sherrit,
shqip do t’ju flas nja dy-tri fjalë,
shqip do ja bëj moralin ferrit.
Ju mëkatarë, ju monstra, djaj,
ju që zullumin e trashët një metër,
ju mosmirënjohës, zhytur në faj…
(Më përkthen i shenjti Pjetër).
Këta nuk dinin Kuran e Bibël,
e flisnin shqipen si askush tjetër,
nuk ka ferr që i merr përsipër,
as parajsë, Apostull Pjetër.
Kur ç’më panë sytë, sa ktheva kokën,
i dhanë rryshfet dhe vetë Profetit,
ata që vodhën e zaptuan botën,
kërkonin tokë midis Xhenetit.
“Zoti na faltë!”, lutemi për shpëtim,
në tempuj feje, xhami e kisha,
të dyja botët s’kishin ndryshim,
ferr për ferr, qesh’ mirë ku isha.
Do i rikthehem tokës së premtuar,
do këndoj tekstet që shkrova vetë,
edhe kur shpresat të më jenë shuar,
do kërkoj një botë të tretë.








Be First to Comment