Ngjyra e kësaj stine
Dimri na mbështolli me dy ngjyra,
të Bardhë e Gri, mbi to pranvera,
nxitoi të pikojë të Kuqen…
Kush do bjerë i pari? Unë?
Po i fundit? Ti?
Pyetja merimangë kacavirret mbi glob,
këmbëthyer nisi rrugën ky shekulli i ri.
Nënokja
Eh, moj e ëmbla nënokja ime,
ke lidhur duart e rri menduar,
vështrimin hedhur përtej dritares,
e di ç’mendon, e di se ç’bluan.
Dëborë e bardhë në grackë të zuri,
qëkurse ke ardhur, e më s’t’u nda,
ç’dëborë rënka këtu, moj bijë,
këtu te ju qenka hata!
Mbeskat cicërojnë në telefon,
na mori malli, o nëna, ku je?
Ti ditët me gishtërinj u numëron,
ja erdhi nëna, o shpirt, atje.
Ditët e kthimit numëroj edhe unë,
si do më ikësh kaq shpejt kështu?
Kaq pak do rrish, o nënë me mua,
pangopur më le nga “xhanet” e tua.
Kokën në prehër më merr si atëherë,
djalë i nënës – ty të ka nëna trime,
për ty jam e qetë, me ty u çmalla,
në Tiranë më presin Xhulia, Ana…
Të ka marrë malli?!
Për ç’farë i dashur?
Për fjalët e mia,
që u kthyen
në psherëtima,
për psherëtimat,
që u kthyen në lot,
për “po”-të, që s’i thamë dot…
…për netët pa gjumë,
për fantazitë lum,
për ëndrrat,
që në mes i këputëm,
të mos na marrë malli më,
edhe Zotit iu lutëm.
Për çfarë?








Be First to Comment