Dje preva flokët
I dashur,
dje preva flokët,
flokët e mi të gjatë,
që aq shumë i doje,
flokët që të mbulonin
gjoksin mbrëmjeve,
tek vija kokën
mbi ty.
I dashur,
dje preva flokët,
që të të harroja.
I pashë si u këputën,
si ranë,
një fshesë i mblodhi,
bashkë me plehrat,
tutje i hodhi…
Sot u zgjova
flokëprerë,
qafë zbuluar,
fytyrë e çuditshme,
në pasqyrë
shpërfytyruar,
aspak e lumtur,
aspak e qeshur,
vetes ngërdheshur,
pa ty dhe pa flokët,
dy herë e zhveshur…
Këpucët e Imeldës dhe të miat
(Kronikat thonë që Imelda Markos
iu gjenden 3000 palë këpucë në dollap)
Dikur në Tiranë, të vetmeve palë këpucë,
ua merrja shpirtin nga e hëna tek e shtuna.
Të dielën, të mjerat, gojëhapur,
prisnin në radhë te këpucari,
ndërsa prapa dritares në shtëpi,
unë Hirushja, këmbëzbathur,
lutesha në heshtje, që atë mbrëmje,
në shëtitjen e madhe, në bulevard,
të binte shi, shi…
Shaka e Zotit
O Zot!
Ç’shaka bëre me ne,
kur moshës i dhe vite
e zemrën pa moshë e le?
Maratonë
Ndryshe nga të gjithë,
në këtë botë, unë
erdha më këmbë.
Jeta për mua – një vrap.
Maratonë në dy kontinente,
mbi qiej detesh bëj hark.
Betimi
Në solemnitet,
atë mëngjes u betova,
besnike t’i qëndroj,
flamurit me pesëdhjetë yje të bardhë.
Unë, më e reja amerikane e botës.
Në mbrëmje,
dëgjova himnin kuqezi
e nuk munda të gëlltis lotët…
Dashuria e gruas
Vetëm
një moment
i duhet gruas
të bjerë në dashuri,
ai mund të jetë:
moment admirimi,
sinqeriteti,
boshllëku,
përngjasimi,
ekzaltimi,
rrëfimi,
mirëkuptimi,
keqardhjeje,
pranvere,
rinimi,
iluzioni,
hakmarrjeje,
nevoje.
Vetëm një moment,
për të ngecur,
në grackën e saj
e rreth tij,
të endë,
fijen e mendimit,
tërë jetën…

Be First to Comment