Në fshatin tonë tepër të vogël, për çdo vit, vinin shitës të pazakontë nga vende të ndryshme të rruzullit. Ata nuk shisnin askund tjetër, pos në fshatin tonë, që shtrihej rrëzë një kodre të vogël, ndër më të voglat që ka mundur të shohë syri i njeriut. Ky sy nuk do të mundë të shohë asgjë madhështore në këtë fshat, veç shtëpive përdhese dhe rrugëve të ngushta, thuajse dhiare, që as dy cjep nuk mund të kalonin, po t’u binte të ecnin brinjas njëri-tjetrit. Këtu, jo vetëm shtëpitë dhe rrugët, por edhe njerëzit janë të vegjël e më i gjati prej nesh është Saliu, i cili për dhjetë centimetra më shumë e sfidon gjatësinë time njëqind e nëntëmbëdhjetë centimetërshe.
Ndoshta ju kam thënë edhe më parë se ky fshat dhe njerëzit e tij ishin, si të themi, të harruar edhe nga vetë Zoti, të lënë anash në një cep të humbur të vendit, ku rrallëkush e herë-herë edhe askush nuk hynte në të, pos shitësve që nuk ngjanin në sojin e tyre. Ata shisnin ëndrra, një mall të pazakontë, që nuk shitej askund tjetër. Shitësit vinin zakonisht për çdo vit, në të njëjtën kohë, në të njëjtën ditë, në datën gjashtë të muajit të gjashtë dhe fillonin tregun e tyre në orën gjashtë të mëngjesit dhe, sipas statistikave të tyre, gjatë gjashtë viteve të punës kishin shitur gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë ëndrra. Tregun e tyre e quanin panair, një fjalë e padëgjuar më parë në fshatin tonë.
Kishte ëndrra të ndryshme në këtë panair, nga më të lirat e deri tek ato më të shtrenjtat, që po t’i blije me vullnet, nuk shkonte shumë kohë dhe ato bëheshin realitet. Pak ëndrra të blera, tepër pak, ndodhnin që të mos realizoheshin dhe ato blerësit kishin të drejtë t’i ndërronin me ëndrra të tjera, meqenëse shitësit e huaj e kishin parim pune që të mos i kthenin paratë dhe fshatarët i bindeshin këtij rregulli. Njerëzit tanë blinin ëndrra nga ato më të çuditshmet e deri tek ato pa ndonjë veçanti për t’u theksuar. Ata blinin ëndrra që kishin të bënin jo vetëm me veten, por edhe me jetën e të tjerëve. Ëndërronin dashurinë e tyre, por edhe prishjen e dashurive të të tjerëve, ëndërronin pasurinë e tyre, por edhe zhbërjen e pasurive të të tjerëve. Mbaj mend që Selimi, para disa viteve, kishte blerë një ëndërr për të ndarë Arsimin dhe Besartën dhe pas gjashtë muajve çifti u nda. Po i njëjti Selim, pas një viti, bleu ëndrrën për ta bërë për vete këtë vajzë dhe e bëri. Njashtu, mbaj mend që Hamdiu kishte blerë një ëndërr që të mos rritej më pasuria e Fazliut, i cili, që nga ajo ditë, nuk ia pa më hairin zanatit të tij. Ëndrrat për të tjerët kushtonin më lirë dhe fshatarët tanë, duke qenë të varfër, ato blinin më shpesh.
Një ditë prej ditësh, kur po afrohej ardhja e shitësve, fshatarët ranë në hall se çfarë ëndrra duhet të blinin, pasi shumë prej atyre që kishin shprehur apo që mbanin mbyllur në shpirtin e tyre, tashmë i kishin blerë. “Çka duhet të blejmë, çfarë na ka mbetur ende pikë në zemër? Të blejmë, apo të mos blejmë fare këtë vit…!?”. Këto ishin shqetësimet e tyre, që i linin pa ngrënë e pa fjetur, ngaqë nuk ia gjenin fillin kësaj dileme. Një shqetësim i tillë, “të blesh a të mos blesh”, nuk më pat kursyer as mua e as dy miqtë e mi më të mirë, Aliun dhe Saliun. Tërë ditën na kapluan mendimet se çka të bëjmë, derisa Saliut, që ishte dhjetë centimetra më i gjatë se unë, i shkrepi mendja dhe foli.
– Po sikur të blejmë një ëndërr, që na takon të gjithëve dhe secilit veç e veç?!
– Si mund të bëhet kjo? – pyeta unë me mëdyshje.
– Paj, si të ta them… duket sikur…
– Thuaje de, si? – ngulmoi Aliu.
– U kërkojmë të na shesin një ëndërr, që do na i zmadhojë trupat.
– Oouuu! – u çudit Aliu.
– Boll më jetuam si trupshkurtër. Nuk duhet të jemi ndryshe nga e gjithë bota, kur shumë lehtë mund të jemi si ta. Sot e kemi mundësinë. O tash, o kurrë! – foli Saliu me një ton revoltues, që nuk ia kisha dëgjuar asnjëherë.
Të tre morëm përsipër dhe ndamë detyrat për t’i bindur fshatarët se kjo është ëndrra më e mirë dhe më e vlefshme për t’u blerë. Në fillim na pritën me dyshim, madje kishte sosh që e vrisnin mendjen se a mund të ndodhte një gjë e tillë, a mund të ishim edhe ne trupgjatë si tërë bota. Por, më shumë probleme sesa me ata që hamendësoheshin, patëm me ata që kundërshtonin apriori, duke na i përplasur fjalët turinjve: “Unë nuk dua të jem si krejt bota! Ç’më duhet shtatgjatësia?”, tha prerë Xhemshiti, i pari i mëhallës së Kadriajve. Vështirësinë më të madhe për t’i bindur e hasëm me gratë, sepse ato, si mendjeshkurtra që ishin, besonin se kjo ëndërr do rriste vetëm trupat e burrave, kështu që të shkretat kishin frikën se burrat shtatgjatë do t’i braktisnin dhe do vraponin pas grave të fshatrave dhe qyteteve të tjera. Më kundërshtuesja ndër to ishte Hajria, e cila, siç thuhej nëpër fshat, u kishte thënë grave që assesi të mos i lejonin burrat ta bënin një gjë të tillë, ngase, siç e kishte dëgjuar diku fakirja, me zmadhimin e trupit, burrave u zvogëlohej aleti i tyre mashkullor. “Mund t’u bëhet sa një lyth”, u kish thënë kur ishin mbledhur të gjitha bashkë. Ajo nuk mund ta mendonte që Ferizi, burri i saj, të ishte trupmadh e aletvogël, gjersa ishte bindur po nga i shoqi se ai ishte marrë vesh me burrat e tjerë të fshatit që të kërkojnë nga shitësit pikërisht ëndrrën që i bën zmadhimet paralelisht.
Ishte tejet e vështirë t’i bindnim të gjithë fshatarët, por, pas shumë përpjekjesh të pandërprera, ia arritëm qëllimit dhe, një ditë para se të vinin shitësit në fjalë, të gjithë ishim të një goje. Ramë në ujdi që të nesërmen, të gjithë, burra e gra, të dilnim bashkërisht pak para orës gjashtë të mëngjesit te shitorja e Demës, ku ata ndaleshin zakonisht. Dolëm dhjetë minuta para orës gjashtë, kur hëna veç ishte fshehur përfundimisht në strofullin e saj dhe dielli, i molisur nga gjumi, na përshëndeste ftohtë me rrezet e tij. Vërejtëm shitësit e ëndrrave duke ardhur, të cilët, me siguri, do jenë befasuar kur na kanë parë të gjithëve bashkë. Ishim të ndarë si në taborë atë ag mëngjesi, sa që, po ta shihte dikush tjetër atë pamje, do mendonte se do fillonte një betejë shpatash mesjetare mes dy palëve. Kur u afruam dhe u ngjatjetëm, dikush nga ne u tha se këtë vit dëshironim vetëm një ëndërr. Unë me miqtë e mi ua shpjeguam të huajve se për çka bëhej fjalë. “Ne nuk shesim asnjë ëndërr të tillë”, tha njëri nga shitësit më të vjetër. Por, fshatarët protestuan, shanë dhe u bërtitën shitësve të ëndrrave, gjersa këta të fundit i qetësuan, duke u thënë se do të ktheheshin brenda pak ditësh bashkë me ëndrrën e tyre nën sqetull.
I pritëm të nesërmen e të pasnesërmen, me orë të tëra, i pritëm një javë, dy, por nuk erdhën. Menduam se do vinin pas një viti dhe pritëm kohën e zakonshme të panairit, por asnjë shenjë e tyre. I pritëm edhe pas dy e tre vjetëve, por ata nuk erdhën kurrë më.







