Press "Enter" to skip to content

Një ‘amanet’ në ikje e poetit Hamit Aliaj

“Unë jam bërë ky që jam, se kam pasur mësues Hamit Aliajn”, më shkroi njëherë në “Messenger” Arbër Ahmetaj. Më goditën fjalët e tij e mendova se ia vlente ta filloja me to esenë për poetin tonë. Se kur duan, gjërat bashkohen vetë e, në fakt, ky komunikim qëlloi në kohën kur po i jepja dorën e fundit këtij shkrimi. Shumë monografi dhe intervista poetësh të mëdhenj bashkohen në një pikë: poet nuk je vetëm kur shkruan vargje. Po sa ishte/është fuqia dhe energjia e poetit Aliaj, e njeriut, burrit, që fshihte a e shfaqte brendinë e vet në vargje? Pa frikë e them: e pashtershme! Se as vdekja nuk e shter dot një poet, që na ka dhënë shumë! Por, teksa lexoja poezitë e fundit të Hamit Alisë, në kokë më bubërronte pashmangshëm një fjali: poeti na ka lënë një lloj amaneti në ikje, ikje që e ka paralajmëruar, sidomos në:

  1. “Ka kohë që mungoj”: “Unë gjë nuk di/ Ka kohë që mungoj!”. Mungonte, apo hiqeshin sikur s`e vinin re? “Pritat janë zënë/ Asnjë rrugë për tek e nesërmja”. Ata që i ndërtojnë të parët urat me të nesërmen, janë poetët; ja që atyre duan t`ia mbyllin më parë shtigjet, horizontet, kufijtë. Dramën e një mendjehapuri në kohën e dogmatikëve zor se e dallon me sy të lirë. Laokontin e Kadaresë e merrnin për të gëzuar, ndërkohë që ai vuante.
  2. Në poezinë “Porosi në ikje”: “Shtëpinë e vjetër jua lashë/ Veç një dritare mos ma mbyllni kurrë.” Mungesa në poezinë e parë po bëhet ikje tek e dyta. Vargjet marrin vlerën e një amaneti: “Manin mos ma prisni, as qershinë/ Janë drurët më fisnikë të jetës/ Prej manit bëhet çiftelia”. Një poet i bjeshkëve s`mund të perceptohet pa çiftelinë. Ai vetë është autor i 200 këngëve.
  3. “Kur të shkoj atje”: “Do bëj marrëveshje me vdekjen, kur të shkoj atje/ Do t’i marr leje vetëm për një natë/ Të vij e t’ju shoh edhe një herë/ …Veç një natë të përtejme ndenja me ju!”. A e ka mbajtur fjalën për këtë “natë të përtejme”? Unë them se po. Ndaj porosit t`ia mbajnë dritaren hapur dhe mos t’ia presin drurët fisnikë, sidomos manin nga bëhet dhe çiftelia.

Në moshën 20-vjeçare, Hamit Aliaj botoi librin e parë me poezi, “Bjeshkët janë mbiemri im”, 1974. Pas kësaj, Rexhep Qosja u shpreh: “Poet që të bën mik shpirtëror të përjetshëm. Poet që do ta nderonte çdo letërsi evropiane”, duke i vënë në dukje shpirtin dhe lartësinë e artit.
Mungesa e pranisë dhe prania e dështimit e bëjnë të vuajë njëlloj poetin, që di të qajë edhe për ato që s’i pati, të vajtojë edhe dashuritë që kurrë s’i njohu. Se është i brishtë shpirti i poetit; me dashurinë mbahet. Me dashurinë për atdheun, vendlindjen, të dashurat…
“Jam humbës i madh/ Humba gjëra që s’i kam patur kurrë/ Humbës jam/ Humba të dashurat, që kurrë s’i kam njohur/ I humbur jam/ Humba luftëra që s’u bënë asnjëherë/ Heronjtë në kryq/ Askush s’i merr për darkë”.
Edhe luftërat që s`i ka bërë ndonjëherë, Hamit Aliaj ia njeh vetes si humbje, se kur humbësi e ka emrin atdhe, poeti ndjehet njëlloj përgjegjës dhe askush më shumë se ai nuk lëndohet, as për shpërfilljen e heronjve.
Eskili shkroi për Prometeun kur turma shkonte me dhurata në tempullin e Zeusit. Poeti shkruan për nëntë plagët e Gjergj Elez Alisë, ndërsa plagët e poetit Hamit Aliaj pakkush i sheh.
“Provinca s’i pranon poetët/ Edhe në i pastë lindur vetë dikur/ Tash ka rapsodët e vet”, se provinca “Nuk ka nevojë të lexojë asnjë libër”. Sa i ka dhembur poetit varfëria shpirtërore dhe mosvlerësimi i provincave ndaj poetëve, dalë prej gjirit të tyre. Sistemi i padrejtë ndaj vlerave dhe antivlerave. Këtu duhet ta ketë pasur ngjizjen edhe poezia satirike: “Qyteti i pordhacëve”. Janë pikërisht këta mburravecë, që: “E vrasin lirinë, pastaj e vajtojnë/ E asnjë lule te varri s’i çojnë/ Të nesërmen dalin në tribunë/ Të vramë, se të deshëm shumë”.
Sikurse shihet, poeti u ka hapur luftë si mendjemëdhenjve të artit dhe demagogëve të tribunave, e kjo është njësoj si të ngacmosh folenë e grerëzave, ndaj i kthehet vetes: “E shoh: jam i pandreqshëm/ Kështu thonë/ Shtetarët e Albanopolit”, se: “Shkoj me gra të dyshimta, bie fjala me poezinë/ Përbuz dashurinë serioze të zonjës Karrige”. Dhe shpejt ironia merr nota më të forta sarkazme: “Në lumë është mbytur gaztori i qytetit e unë/ Lumit përpjetë e kam kërkuar/ Të gjithë kanë qeshur me mua/ …Ata që statujat ia kanë ngrehur vetvetes”.
Në të gjitha kohërat, poetët i ngjajnë “heroit të vetmuar”, që armik më të madh ka trishtimin: “Shpesh e më shpesh në pyjet brenda meje/ Ku lisat flenë në këmbë si kuaj/ Po bëhem prralltari që veten gënjej/ Veten e njerëzinë, skaj më skaj”.
Shpesh flitet për “orën e ligë”, por Hamit Aliaj ka ndryshuar qasje: “Ora e engjëjve s’më ka pëlqyer asnjëherë/ Është orë fatale për njeriun”.
Por Hamit Aliaj gjen strehë edhe tek poezia erotike: “Sy më sy u pamë/ edhe gjë nuk folëm/ Ti preke lisin, qe shtatë vjet i tharë/ edhe lisi nisi e gjethoi/ unë preka gurin, qe shtatë vjet pa gojë/ një thëllëzë prej tij fluturoi/ …veç një fjalë që ta thashë dikur/ njëherë u thënka”. Nëse në gojëdhënë, këtë fuqi magjike e kanë zanat, orët e malit, poeti ua jep të dashuruarëve, ku ajo gjethon lisin e tharë dhe ai e nxjerr thëllëzën prej gurit. Një dashuri si kjo të duket baritore, baladeske, për të mos thënë naive, por vargu: “veç një fjalë që ta thashë dikur/ njëherë u thënka”, ia shumëfishon vlerën poezisë. Nuk ka si fjala, që thuhet në kohën dhe në vendin e duhur.
Hamit Aliaj, si malësor, e idealizon bukurinë femërore: “Të shkruhen vjersha për ty/ moj e bukura që i plak pasqyrat!”, por si poet ndërton edhe marrëdhënie realiste: “Jam zemëruar me ty e larg do të shkoj/ nesër do të dal në gjueti arinjsh/ e pushkën do ta harroj në shtëpi/ …asgjë timen s’do të lë, të gjitha do t’i marr/ …pastaj luftë do të shpall/ vetë do jem i vrari i parë i saj, i paemër/ ah, po, para se të iki po të lë diçka/ Zogun e baladës, që të vdekurit i zgjon/ nuk i dihet, ndoshta malli të merr”. Edhe kjo poezi e paralajmëron ikjen e poetit në kushtet e një dashurie pa përgjigje. Ndaj zgjedh zogun e baladës, sepse: “Ti je harrimi/ Se kur të shoh ty, unë harroj të plakem”. I dobësohet inati, pasi amaneti i kthehet në lutje: “E dashur, mos më lër të fle/ Kushedi në ç’planet gjumi më çon”.
Më parë ankohej ndaj atyre që i zinin rrugët drejt së ardhmes, tani pengesat i shfaqen dhe në dashuri: “Sa herë u nisëm te njëri tjetri/ Kërciti një re e ra midis nesh/ E s’na la me u pa”. Më pas është bora që i bllokon rrugët: “E as në lulim të marsit s’u pamë…/ Ruaje zot botën prej bukurisë”.
E kemi të vështirë të kuptojmë arsyet e dramës së heroit lirik, sikurse e do zakoni: për të gjetur fajtorin. “Sytë janë të tutë/ Lotët të një tjetre/ Të kam pasë thënë se ti i plak pasqyrat/ Sytë janë të tutë/ Të tjerave fytyrat”. Por asgjë nuk ka rëndësi më shumë se forca shprehëse e këtyre vargjeve.
“U murosën gra/ Po monumentet pse ngrihen për burrat?”. Meqë në fillim përmendëm nëntë plagët e Gjergj Elez Alisë, përgjatë esesë u ndalëm në brengosjet, lëndimet dhe plagët shpirtërore të poetit Alija. Në poezinë “Porosi në ikje”, lë këtë amanet: “Shtëpinë e vjetër jua lashë/ Veç një dritare mos ma mbyllni kurrë!”, duke paralajmëruar se po bëhej gati të ndërronte banesë. “S`ka lule më të trishta nga të pemëve/ në oborrin e shtëpive të braktisura.”
E teksa shkruaja këto radhë, m’u duk se disi përmbusha një amanet në ikje të poetit.

Autori
Fatbardh Amursi