– Leopold Schmutzler? Si mund të shkosh në atë ekspozitë? Autori ka qenë në Partinë Naziste të tovarish Hitler!
Ngaqë përdorja shpesh në bisedat me të, togfjalëshin Tovarish Stalin e Tovarish Diktator, Zhan Kristof e përdorte edhe për Hitlerin. Pas një periudhe neo-naziste në rini dhe tronditjes së fortë prej një krimi në familje, ku gjyshi ia kishte vrarë të atin, Zhan Kristof, bashkë me diplomën universitare, mori edhe kthesën drejt komunizmit. Hyri në klubin e ngushtë të bankierëve komunistë në Zvicër.
Na kishte lidhur e motra, Rita.
U njoha me Ritën në tarracën e hotelit “Kontinental” në Lozanë para disa muajsh e prej çastit kur e pashë për herë të parë, ajo zuri krejt hojet e gjeografisë sime shpirtërore. Jetonte në Bernë dhe punonte për KunstHause të kryeqytetit, përgatiste dhe botonte librat e artit për çdo ekspozitë. Bukuria e saj më kujtonte linjat e idealizuara të portretit femëror në disa piktura të primitivit neo platonist fiorentinas, Botiçeli.
Shpesh pyesja veten se si kishte qenë e mundur lidhja e Ritës me mua. Ajo ishte e një bukurie të rrallë. Lehtë për një burrë të lëbyrej prej saj, po atë çfarë e kishte shtyrë drejt meje? Por nuk guxoja ta pyesja, nga frika se mos prishja magjinë e marrëdhënies e doja të besoja se edhe ajo më shihte tërheqës, të hijshëm. Në tre muaj të lidhjes ishim ndarë nja tridhjetë herë. Ma bllokonte telefonin të paktën dy herë në njëzet e katër orë, për çdo ditë të javës. Unë? Sapo zgjohesha në mëngjes, i nisja një përshëndetje; humbja trena, autobusë, orare e adresa udhës, se nuk ia shqisja sytë ekranit të telefonit, gjithmonë në përgjim të përgjigjes së saj.
Para dy ditëve u prishëm prapë, por kësaj here seriozisht dhe për çështje parimore. Më ftoi në hapjen e ekspozitës së Van Gogut në Bernë, njëra ndër më të plotat në historinë e artit. Data e hapjes përkonte saktësisht me mbrëmjen ku isha ftuar si animator për përvjetorin e njëzet e pestë të shoqatës “D’ici et d’ailleur”, presidentja e së cilës, Mari Terez, më kishte ndihmuar shumë në fillimet e mia si emigrant. Ia kisha dhënë fjalën para një viti e nuk mund ta haja ashtu, si pa gjë të keq. Rita kishte pak vështirësi me teoritë e mia shqiptare. Dhënie fjale, premtim i vjetër etj. I dukeshin si spartakiada të dielash mes të rinjve me aftësi të kufizuara.
– Si është e mundur të zgjedhësh atë e jo mua?
Ja kështu e shtroi problemin. Të gjitha përpjekjet për t’i shpjeguar se s’bëhej fjalë për “zgjedhje”, se nuk po e “tradhtoja”, se s’kishte rëndësi nëse Van Gogu ishte piktor më i madh se Schmutzler, se e kuptoja që mbrëmja në kryeqytet do ishte e magjishme e s’mund të krahasohej me një darkë “katundarësh valezanë – siç i quante ajo – që mezi presin të hapet shishja e verës, e të tjera, shkuan dëm.
– Shko pra! Veç mbaje vëth në vesh: fshije numrin tim! – më tha duke kërcyer përpjetë si ta kish pickuar grerëza. E ashtu e mërzitur, më ktheu shpinën e mori trenin për Bernë, ndërsa unë për Fully.
Siç duket kishte folur me të vëllain. Zhan Kristof më telefonoi e, siç e ka ai, me të qeshur, por pa ia përtuar të të nisë si pa ia vënë mendjen mesazhin që do, më tha:
– E kishe mërzitur Ritën prapë! E di, s’ka gjë më të lehtë. Po si burrë ballkanas që je, duhet të provosh të kundërtën: ta gëzosh. Kjo është një sfidë e vërtetë. Për ne, pothuajse e papërballueshme. Për ty jo. Ti e di, qysh nga ajo që na ndodhi në familje… Rita preket shumë lehtë.
Ekspozita e rrallë me njëzet e dy punime të Schmutzler u mundësua nga një fondacion privat, emri i të cilit as që figuronte kund në ftesa. Askush s’dëshironte ta “njolloste” emrin me të kaluarën e atij piktori, për të cilin kurrë më parë s’kisha dëgjuar. Në pikturat e tij vendin kryesor e zinin gratë. Të pikturuara si gjysmë portrete, me bustet e tyre të zhveshura, me fustane të mrekullueshme, të stilizuara me pop art, por me detaje të mahnitshme të tipareve, gra të ëmbla, plot dritë e gëzim, aq ftuese për flirt e lehtësi.
M’u kujtua Rita ime, supi i saj i zhveshur, që më pat verbuar krejtësisht nën shkëlqimin e atij dielli mëngjesi, në tarracën e “Kontinentalit”. Mbi fustanin-bust, ku shkrihej bluja e thellë e detit në muzg, dekolteja dhe supet e saj dukeshin marramendëse. E tash, në larminë e atyre pikturave të prajta, në të gjitha portretet dhe figurat e grave, të veshura me atë vërshim ngjyrash e drite, gjeja tipare të Ritës. Një dorë lozonjare, një tufë flokësh si të harruara mbi sy, një formë hovëse e lakmuese, një vetull gjarpëruese mbi ballë, rrëshqitjen vuajtjeshkaktuese mes dy gjinjve…
I përdëllyer prej asaj bukurie, herë-herë hidhja sytë mbi telefon për të parë nëse më kishte “zhbllokuar” Rita. E…, ja. E kishte hapur. E telefonova menjëherë:
– Jam me ty, shpirt, në këtë ekspozitë. Supet e tua delikate janë kudo këtu! Si rreze mëngjesi, që përthyhen në mollët e pjekura…!
Ma mbylli telefonin e më shkruajti: “Kënaqu duke parë piktura ti, dikush tjetër po kënaqet duke vënë dorën në supin tim”.
M’u duk vetja i humbur. I humbur si ky piktor fatkeq, që mund ta kishin respektuar më shumë nëse do kish qenë anëtar i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, zyrtar i Stalinit apo zëvendës i Berias, shefit të KGB-së. Veprat e tij do kishin shkëlqyer.
Befas m’u kujtua një autoportret i Van Gogut, me vesh të prerë; preka vëthin në veshin tim të majtë e hodha sytë nga telefoni: Rita më kishte bllokuar prapë.
Deri kur?
Të tjera nga ky autor:
- Ujk i vetmuar
- Loja, shembja e qiellit
- Zarfi misterioz
- Plaga
- Llambë në dritare
- Verë e pasur
- Dashuri jetëshkurtër tek “Ora e ligë”
- Alpenperle (Pjesa e dytë)
- Alpenperle (Pjesa e parë)
- “Casa-Casino”-roman si një lirikë dashurie
- Arbër AHMETAJ: Në romanin “Dëmtuar gjatë rrugës”, shkrimi është festa e lexuesit
- Arbër AHMETAJ: Drita e Lavinias
- Arbër AHMETAJ: Muzikaliteti i mitit të Kasandrës nëpërmjet përkthimit
- Arbër AHMETAJ: Mbijetesa e një personazhi të vdekur
- Arbër AHMETAJ: Shenjti Valentin
- Arbër AHMETAJ: Burrë i puthur (cikël poetik)
- Arbër AHMETAJ: Refleksione mbi romanin “Biri”
- Arbër AHMETAJ: Guri
- Arbër AHMETAJ: Ora e dashurisë
- Arbër AHMETAJ: Para e madhe, varfëri e madhe

Arbër Ahmetaj
Arbër Ahmetaj lindi në Tropojë në vitin 1965. Është diplomuar për farmaci në universitetin e Tiranës dhe atë të Gjenevës. Në vitin 1986 filloi bashkëpunimin me shtypin shqiptar të asaj kohe dhe më pas punoi si gazetar në departamentin e informacionit në TVSH. Në vitin 1993 iu bashkua Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe u specializua për diplomaci në Oksford, Uashington, Gjenevë dhe Maltë. Pas detyrave të ndryshme në këtë ministri u emërua Sekretar i Parë në Ambasadën Shqiptare në Bukuresht. Nga shtatori i vitit 1997 jeton në Sion të Zvicrës, ku ushtron punën si farmacist. Disa nga veprat e tij në prozë janë "Fletëhyrje për në varr", "Varri i braktisur", "I huaji, ai kosovari", "Një natë te Luiza", "69 gra", "Procesi 3K", si dhe librat me poezi "Më mori malli e dashur" dhe "Poezi". Nga viti 2020 është Kryeredaktor i Revistës Letrare.