Press "Enter" to skip to content

Loja

Shigjeta që tregonte nivelin e benzinës, befas u fundos nga ana e vijës së kuqe. Djaloshi që i jepte makinës sportive u shpreh se po çmendej nga inati që motori harxhonte aq shumë. “Shiko se mos mbetemi pa benzinë”, protestoi vajza (rreth të njëzetave) dhe i kujtoi shoferit se kjo gjë u kishte ndodhur disa herë e në vende të ndryshme. Djaloshi u përgjigj se nuk ndjehej i shqetësuar, pasi çfarëdo që t’i ndodhte, kur ishte me të, kishte thjesht shijen e aventurës. Vajza saktësoi: sa herë që kishte ndodhur diçka, kur ata kishin mbetur pa benzinë nëpër rrugët e gjata, aventura kishte pasur lidhje vetëm me të. E ja se si kishte ndodhur: djaloshit i qe dashur të fshihej dhe asaj të “keqpërdorte” hijeshinë e vet, duke u ngritur gishtin e madh të dorës makinave që rrëshqisnin me shpejtësi, me shpresë se ndonjëra do ndalej për ta dërguar deri në stacionin më të afërm të benzinës dhe pastaj po të njëjtën gjë për t’u kthyer mbrapsht me bidonin e mbushur me benzinë. Djaloshi e pyeti vajzën nëse shoferët kishin qenë bezdisës, meqë ajo po ankohej se puna e saj kish qenë e rëndë. Ajo u përgjigj (me një flirt të fshehur…) që herë-herë ata kishin qenë tmerrësisht të këndshëm, por ç’e do që asaj i qe dashur të mbushte bidonin e të rikthehej përpara se të mund të ndodhte ndonjë gjë edhe më e këndshme. “Dosë”, i tha djali. Vajza protestoi, duke argumentuar se nuk ishte ajo e tillë, por ai qe thi.
Një zot e dinte se sa vajza e kishin ndalur në rrugë kur ai udhëtonte i vetëm dhe i kishin kërkuar t’i dërgonte deri diku. Duke i dhënë makinës, djali zgjati krahun, mbështolli vajzën nga shpatullat dhe e puthi në ballë. Ai e dinte që ajo e donte dhe që ishte xheloze. Xhelozia nuk është ndonjë cilësi e këndshme, por, nëse nuk e kalon masën (dhe nëse kombinohet me thjeshtësinë), larg prej papërshtatshmërive që mbart, ajo ka një farë lezeti. Të paktën kështu po mendonte djaloshi. Ai qe vetëm 28 vjeç dhe megjithatë i dukej sikur njihte gjithçka rreth femrave. Te vajza që kish pranë vlerësonte atë që s’pati mundur ta gjente tek të tjerat deri më sot: pastërtinë.
Kur shigjeta e benzinës po i afrohej fundit, ai shqoi në anë të rrugës një shenjë që tregonte se nja pesëqind metra më tutje ndodhej një pompë benzine. Vajza nuk pati kohë as të tregonte se sa e lehtësuar ndjehej, se djaloshi mbërriti shpejt e po përpiqej të parkonte në hapësirën para pompës. Megjithatë atyre iu desh të ndaleshin pak më larg, pasi një makinë autobot po furnizonte stacionin. “Na duhet të presim”, tha djali, ndërkohë që ajo po zbriste nga makina. “Sa do zgjasë?”, pyeti ai me zë të lartë burrin me uniformën e llastiktë. “Punë minutash”, u përgjigj një ndihmës, të cilit djali iu kthye: “E dëgjova edhe njëherë këtë”. Ai deshi të kthehej në makinë, por vërejti se vajza kishte kaluar në anën tjetër të rrugës. “Po bëj një shëtitje”, tha ajo. Djaloshi e pyeti: “Ku do ta bësh atë… shëtitje?”, me shpresë se ajo do ndihej në siklet. E kishte njohur para një viti, por ajo përsëri skuqej e turpëruar para tij. I pëlqenin pjesërisht ato çaste, se ato e veçonin vajzën nga kopeja tjetër femërore që kish njohur – pjesërisht, se ai ishte i ndërgjegjshëm për ligjin e përgjithshëm të përkohësisë, gjë që edhe skuqjen nga turpi të së dashurës e shndërronte në një gjë të vlefshme për të.

2

Vajzës me të vërtetë nuk i pëlqente që gjatë rrugëtimit (djaloshi mund të udhëtonte për orë të tëra pa u ndalur një herë) të detyrohej t’i kërkonte atij që ta ndalte makinën për pak çaste, diku afër ndonjë grumbulli pemësh. Ajo gjithmonë zemërohej kur ai, me një habi të shtirur, e pyeste se pse duhej të ndaleshin. Ajo e dinte që druajtja e saj ishte e panevojshme,
madje anakronike. Edhe në punë, disa herë kishte vënë re që të tjerët kishin qeshur për skuqjen e saj, madje hapur e provokonin në lidhje me të. Ajo shpesh turpërohej paradhënie, thjesht nga ideja se pas pak do turpërohej. Sa herë kish dëshiruar që të ndjehej e lirë dhe e lehtë prej vetë trupit të saj, siç shumica e grave rrotull saj dëshironin. Madje ajo kishte ndjekur edhe një kurs të shkurtër rreth mënyrave të vetëbindjes: ajo do përsëriste me miliona herë se njeriu, qysh në lindje, merr një nga miliona trupat e mundshëm njerëzorë, po aq shkujdesshëm sa dikush merr një dhomë për të fjetur, nga miliona të tilla të mundshme, në një hotel gjigand. Rrjedhimisht, trupi nuk ishte gjë tjetër veçse një rastësi, pa lidhje me personalitetin, diçka e bërë gati qysh përpara për t’u marrë hua. Ajo mund ta përsëriste këtë ide me mijëra herë e në forma të ndryshme, por nuk arrinte ta ndjente. Ky dualizëm, trup-mendje, qe i huaj për të. Ajo qe shumë e lidhur me trupin e saj dhe mu për këtë shkak e kapte ankthi rreth tij. Ajo e provonte këtë ankth edhe në marrëdhënie me djaloshin, të cilin ajo e kishte njohur prej një viti e me të cilin ishte e lumtur, ndoshta ngaqë ai kurrë nuk shihte ndarje mes trupit, mendjes dhe shpirti të saj, kështu që ajo mund të jetonte me të e tëra. Në këtë bashkim kishte lumturi, veç fill pas shpinës së lumturisë përgjonte gjarpri i dyshimit dhe vajza ishte plot e përplot me dyshime. Për shembull, asaj i dukej shpesh që gratë e tjera (të cilat nuk vuanin nga ankthi i saj) ishin më të shkathëta e më mjeshtërore në tërheqjen e burrave dhe se djaloshi, i cili nuk e fshihte faktin që i njihte mirë këto lloj grash, do mund ta linte ndonjë ditë veç për t’u bashkuar me ndonjë asesh.
(Vërtet që djaloshi kishte deklaruar se kishte pasur boll asesh, sa për t’i mjaftuar gjatë gjithë jetës, por ajo e dinte që ai ishte akoma i ri, më i ri sesa e mendonte veten.) Ajo donte që ai të ishte tërësisht i saji dhe ajo e tija, por jo rrallë i dukej sikur, sa më shumë që i jepej, aq më tepër e privonte atë nga një gjë tjetër: nga ajo gjë, që përftohet nga një dashuri apo flirt i lehtë dhe sipërfaqësor. Vajza trishtohej nga frika se nuk ishte në gjendje të mbante ekuilibrin mes seriozitetit dhe çlirtësisë.
Por tashmë ajo nuk po shqetësohej për këtë gjë dhe mendime të tilla qenë larg mendjes së saj. Ajo ndjehej mirë. Qe dita e parë e pushimeve (dy javë, për të cilat kishin thurur plane e ëndërruar rrotull një viti), qielli ishte blu (rrotull një viti, ajo kish ëndërruar që qielli të ishte blu) dhe ai, ai ishte afër saj. Me pyetjen, “Ku do ta bësh atë… shëtitje?”, ajo qe bërë flakë e kuqe dhe e pat lënë makinën pa thënë asnjë fjalë. Filloi të shëtiste rreth stacionit të benzinës, i cili qe ndërtuar në skaj të autostradës, në një terren krejt të zhveshur. Nja njëqind metra më tutje, në drejtimin nga po udhëtonin, ajo vërejti se fillonte një pyll. U nis drejt tij. U fsheh pas një çufre të dendur dhe…. (Kur ishte vetëm, ajo kishte mundësi të thithte maksimumin e kënaqësisë që i jepte prania e djaloshit që donte. Nëse ai do kishte qenë gjithmonë i pranishëm, ajo kishte frikë se kënaqësia do tretej. Veç kur ndaheshin, e kuptonte se çfarë nevoje kishte për të).
Kur doli nga pylli dhe u afrua buzë autostradës, vërejti se autoboti po nisej dhe se makina e të dashurit po i afrohej më së fundi pompës. U nis me hap të qetë dhe herë pas here kthente kokën pas për të parë nëse djaloshi ishte nisur. Kur vërejti se makina sportive doli në autostradë, u ndal, u kthye me fytyrë nga ajo, ngriti gishtin e madh dhe filloi ta tundte, siç bënte kur ndalte të panjohurit. Makina sportive ngadalësoi shpejtësinë dhe ndali para këmbëve të vajzës. Djaloshi u zgjat drejt dritares, uli xhamin poshtë dhe, duke buzëqeshur, pyeti: “Për ku jeni nisur, zonjushe?”. “A mos po shkoni në Bistricë?”, pyeti vajza duke buzëqeshur flirtueshëm. “Eja, hip”, tha djali, duke hapur derën. Vajza u rehatua në sedilje dhe u nisën.

3

Djaloshit po i pëlqente që e dashura ishte në humor. Kjo nuk ndodhte shpesh; ajo kishte një punë të lodhshme dhe mjedis edhe më të lodhshëm, ndaj shpesh detyrohej të punonte jashtë orarit pa asnjë pagesë e as ditë pushimi. Në shtëpi kishte nënën e sëmurë. Kështu, ajo shpesh ndjehej e lodhur. Nuk kishte as ndonjë farë sistemi të fortë nervor, as vetëbesim e herë pas here binte në gjendje ankthi dhe frike. Ja pse ai e mirëpriste çdo shenjë gjallërie dhe humori që manifestonte ajo, me një farë gëzimi delikat, gati prindëror.
Ai po buzëqeshte dhe pa e kthyer kokën tha: “Paskam fat sot. Tash pesë vjet që i jap makinës e nuk ka rastisur të më bëjë autostop në rrugë një vajzë më e bukur se ju”.
Vajza mirëpriste me kënaqësi të madhe çdo kompliment dhe ledhatim nga ana e tij, por, duke dashur që ta zgjaste edhe pak atë moment të ngrohtë, tha: “Ju jeni mjeshtër në rrena”. “Pse, të dukem si gënjeshtar?!”. “Ju dukeni sikur ndjeni kënaqësi kur i gënjeni femrat”, tha ajo dhe bash në ato fjalë kërciti diku një llambushkë ankthi, sepse ajo vërtet besonte se i dashuri ndjente kënaqësi kur i gënjente femrat.
Xhelozia e vajzës jo rrallë e kishte irrituar, por kësaj radhe mund ta gëlltiste lehtësisht këtë gjë, pasi fjalët e saj nuk kishin lidhje me të, por me shoferin e panjohur. Kështu që, pothuajse kot, pyeti: “Ju shqetëson juve kjo gjë?”.
“Nëse do kisha ndonjë lidhje me ju, sigurisht që do më shqetësonte”, fjalët e saj përmbanin, ndonëse jo fort dukshëm, një mesazh për djaloshin, edhe pse pjesa e dytë e tyre iu drejtua shoferit të panjohur, “por unë nuk ju njoh, kështu që s’kam arsye të shqetësohem”.
“Gjithçka që lidhet me të dashurin e një vajze sigurisht që përbën shqetësim për të”, (tashmë ishte radha e djaloshit për të dhënë mesazhin e padukshëm), “por, përderisa jemi të huaj, ne mund t’ia çojmë mirë me njëri-tjetrin”.
Ajo bëri sikur nuk e kuptoi nëntekstin e mesazhit të tij, kështu që vazhdoi bisedën me shoferin e panjohur:
“Çfarë rëndësie ka, kur ne do ndahemi vetëm pas pak?”.
“Pse?”, pyeti ai.
“Sepse unë do zbres në Bistricë”.
“Po nëse edhe unë zbres me ty në Bistricë?”.
Vajza e këqyri drejt e në sy dhe iu duk saktësisht siç e imagjinonte ajo kur ishte në çastet më të pamëshirshme të kaplimit nga xhelozia. U alarmua nga përsosmëria dhe ëmbëlsia me të cilën ai po e tundonte vajzën e panjohur, që e kishte marrë në makinë rastësisht. Megjithatë u përgjigj me një rrëshqitje provokative: “E çfarë mund të bëni me mua?”.
“Nuk duhet shumë mundim për të menduar se çfarë mund të bëjë një burrë i moshës sime me një bukuroshe si ju”, tha djaloshi, kësaj here duke i folur më tepër të dashurës sesa të panjohurës. Por vajzës, kjo fjali i krijoi përshtypjen se e kishte zënë djalin në grackë për diçka, iu duk sikur kishte shkëputur prej tij një pohim të rëndësishëm përmes një truku të thjeshtë. Ndjeu se si i shpërtheu një shkëndije urrejtjeje ndaj tij dhe tha: “A mos ke pak si tepër besim te vetja?”.
Djaloshi ktheu kokën për ta parë. Fytyra e saj iu duk tërësisht e deformuar nga zemërimi. Ndjeu keqardhje për të dhe qe gati të lutej që asaj t’i rikthehej pamja e zakonshme (të cilën ai e thërriste fëmijërore dhe të thjeshtë). Ai u përkul në drejtim të saj, ia hodhi krahun supeve dhe me butësi i pëshpëriti në rrëzë të veshit emrin e zakonshëm me të cilin e thërriste, duke dashur të tregonte se loja kishte mbaruar. Por vajza u çlirua nga krahu i tij dhe tha: “Ju po e teproni me shpejtësi”. Pas këtij rishpërthimi kundërshtues, ai tha: “Më falni, zonjushë”, dhe vështroi qetësisht përpara, andej nga shtrihej shiriti i asfaltë i autostradës.

4

Xhelozia e pamëshirshme që e kaploi vajzën, u arratis po aq befas sa edhe ç’ishte shfaqur. Tek e fundit, ajo ishte vajzë ndjeshme dhe e kuptonte shkëlqyeshëm që e gjitha kjo qe veç një lojë. Tashmë i erdhi keq që i ishte drejtuar ashtu të dashurit, pa pasur asnjë arsye. Nuk do ishte e këndshme për të nëse djaloshi zbulonte se pse i kishte folur ashtu. Fatmirësisht, femrat e kanë aftësinë e mrekullueshme për ta ndryshuar kuptimin e veprimeve të veta edhe pasi ngjarja ka ndodhur. Duke e përdorur këtë aftësi, ajo vendosi: nuk e kish mërzitur të dashurin se ish zemëruar me të dhe qe bërë xheloze, por se vetëm ashtu do mund të vazhdohej loja, që me kapriçiot e veta i shkonte aq mirë ditës së parë të pushimeve. Kështu, ajo e mbajti akoma rolin e së panjohurës së gjetur në rrugë. Pak më përpara e kishte frenuar shoferin e panjohur për ta shtyrë edhe pak pushtimin prej tij, që ta bënte edhe më eksitues. Gjysmë e kthyer nga ai, i tha me përkëdhelje: “Unë nuk desha t’ju ofendoja, zotëri!”.
“Më falni, zonjushe, nuk do t’ju prek më me dorë”, tha djaloshi.
Ai gati po inatosej me vajzën, pasi ajo po refuzonte të bëhej vetvetja bash atëherë kur duhej dhe kur ai po ia kërkonte një gjë të tillë. Por meqë ajo dëshironte të luante rolin, ai e transferoi zemërimin tek e panjohura. Befas, ai zbuloi edhe tiparet e personazhit që do luante vetë; ndaloi përpjekjet e mëparshme për të gjetur fjalë të bukura e komplimente ndjellëse dhe filloi të luante rolin e djaloshit të ashpër, i cili i trajton femrat me aspektet më ordinere të mashkullit: vullnetin, sarkazmën dhe vetësigurinë. Ky rol ishte tërësisht i kundërt me sjelljen e zakonshme ndaj vajzës. Vërtet, para se të njihej me të, ai ishte sjellë ashpër dhe ftohtë me femrat, më tepër sesa butësisht e me ngrohtësi, por kurrë nuk u kishte ngjarë djemve të pashpirt, sepse kurrë nuk kishte dëshmuar ndonjëfarë vullneti të fortë apo pashpirtësi. Ai nuk i ngjante një njeriu të tillë, se nuk kish dashur. Sigurisht që ishte dëshirë naive, por ja që ai e kishte pasur. Dëshirat fëmijërore u rezistojnë të gjitha kurtheve të mendjes së të rriturit dhe shpesh mbijetojnë deri në moshë shumë të pjekur. Kjo dëshirë fëmijërore ia gjuajti rastin të vihej në provë.
Sarkazma që po përdorte djaloshi, i vinte për shtat edhe vajzës, që e ndihmonte të largohej, më saktë të çlirohej nga vetvetja. Sepse ajo ishte, mbi të gjitha, thjesht një trupëzim i xhelozisë. Në çastin që nuk po e shihte më fytyrën e ëmbël dhe tërheqëse të të dashurit, por një fytyrë tjetër, arrogante e të padepërtueshme, xhelozia i avulloi. Vajza tashmë mund ta harronte vetveten e të zhytej e tëra në lojë, në rolin e saj.
Në rol? Cili ishte roli i saj? Rol i imagjinuar sipas modeleve të letërsisë së keqe. Të panjohurat i ndalnin makinat jo për të përfituar në kohë, që të mbërrinin shpejt në ndonjë pikë tjetër të qytetit, por thjesht për t’i ndjellë shoferët. Ajo, në këtë rol, dukej se do ishte një yll. Kishte inteligjencë dhe bukuri, aftësi për t’i përdorur të dyja sipas situatave. Vajza rrëshqiti në këtë lojë absurde me një lehtësi që e habiti edhe atë vetë, madje e mrekulloi.

5

Gjëja që i mungonte më shumë në këtë jetë djaloshit qe çlirtësia. Rruga e jetës së tij qe pikturuar me një precizion të pagabueshëm. Puna nuk i kërkonte më shumë se tetë orë në ditë. Koha e mbetur mbushej me takime të detyrueshme e të mërzitshme njëherësh, po aq sa me studim shtëpiak; duke qenë se kishte pafund miq, meshkuj e femra, sigurisht që i mbetej tmerrësisht pak kohë për jetën private. Jeta e tij private! Çfarë privatësie ishte ajo, që kurrë nuk mbetej e fshehtë e që, herë pas here, bëhej subjekt barcaletash dhe diskutimesh publike. Madje as dy javët e pushimeve nuk i jepnin përshtypjen e lirisë dhe aventurës; hija gri e planifikimit të saktë binte edhe mbi to. Mungesat e mëdha në hotele dhe shtëpi pushimi në vendin tonë e detyronin atë që të interesohej për rezervimin e një dhome në Tatras gjashtë muaj para, meqenëse për këtë rezervim i nevojitej rekomandimi i zyrës së tij, syrit të kudogjendur, i cili kurrë nuk dështonte për të gjetur se ku ishte e çfarë bënte ai, qoftë edhe për një çast të vetëm. Edhe pse ai ishte pajtuar me këtë gjendje, jo rrallë i ndodhte të pushtohej nga ideja e një jete të ngjashme me rrugën e drejtë dhe të njohur, rrugë në të cilën gjithmonë përgjohej, ku ishte i dukshëm për gjithkënd e prej së cilës nuk mund të largohej. Një ide e tillë iu rikthye edhe në ato momente. Përmes një ndërlidhjeje të çuditshme e të shkurtër të ideve, rruga figurative e jetës së tij filloi t’i identifikohej me autostradën, nëpër të cilën po udhëtonte. Kjo ide e shtyu të bënte diçka thuajse të çmendur.
“Ku thatë se dëshironit të shkonit?”, pyeti ai befas vajzën.
“Në Banska Bistrica”, u përgjigj ajo.
“E çfarë do bëni atje?”.
“Kam një takim”.
“Me kë?”.
“Me një farë zotërie”.
Makina po i afrohej një kryqëzimi të madh. Ai uli shpejtësinë për të lexuar tabelat, pastaj rrëshqiti djathtas.
“Çfarë do ndodhë nëse ju nuk arrini në atë takim?”.
“Do jetë gabimi juaj, ndaj pastaj do duhet të kujdeseni për mua”.
“Me sa po shoh, nuk e keni vërejtur që jam kthyer në drejtim të Nove Zamky”.
“Me të vërtetë? Ju jeni i çmendur!”.
“Mos u shqetësoni, unë do kujdesem për jy.”
Kështu, ata udhëtuan dhe shkëmbyen këso bisedash, ai shofer, ajo një e panjohur. Loja po shkonte për mrekulli. Makina tashmë udhëtonte jo vetëm në drejtim të kundërt me atë të lojës, por edhe me atë të mëngjesit, me drejtimin real, drejt dhomës së rezervuar para gjashtë muajve në Tatras. Imagjinata po e sulmonte ashpër realitetin. Djaloshi po i ikte rrugës së pashmangshme e të drejtë, prej së cilës kurrë më parë nuk kishte mundur të arratisej.
“Por ju thatë se po shkonit në Tatras!”, tha vajza e habitur.
“Unë po shkoj, zonjushë, atje ku më pëlqen të shkoj. Jam njeri i lirë dhe dua të bëj atë që dëshiroj dhe që më kënaq”.

6

Kur hynë në Nove Zamky, qe pothuajse errësirë. Djaloshi s’kishte qenë kurrë më parë në atë qytet, kështu që iu desh pak kohë sa të orientohej. Herë pas here ndalte makinën dhe pyeste kalimtarët e rastit për udhën që të çonte në hotel. Shumë rrugë qenë bllokuar për shkak të kanaleve të hapura. Hoteli qe i shëmtuar, por, ngaqë ishte i vetmi në qytet dhe djali ndjehej i lodhur, ndaluan para tij. “Më prit pak,” tha ai dhe doli. Jashtë makinës qe vetvetja. U trishtua që në mbrëmje u gjend në një vend krejt tjetër nga ai që kishte pasur ndërmend në mëngjes e aq më keq që askush nuk e kish detyruar ta bënte një gjë të tillë, dhe që, realisht, as ai nuk kishte dashur. Fajin e gjeti te vetvetja për këtë budallallëk, por pastaj u desh të pajtohej me të. Dhoma në Tatras mund të priste deri të nesërmen e s’kishte ndonjë gjë të keqe që ata ta festonin ditën e parë të pushimeve në një mënyrë kaq të papritur. Ai i ra përmes restorantit të tymtë, të zhurmshëm dhe plot me njerëz dhe pyeti për sportelin e hotelit. I treguan fundin e një holli, afër shkallëve, ku pas një xhami qëndronte e ulur një pensioniste bionde. Pas shpinës së saj shquhej një tabelë plot me çelësa të varur. Me vështirësi arriti të rezervonte të vetmen dhomë që kishte mbetur. Edhe vajza, kur u gjet vetëm, doli jashtë lëkurës së personazhit që po luante dhe iu kthye realitetit. Nuk po ndjehej keq, edhe pse gjendej në një qytet të panjohur. Aq shumë e donte djaloshin, sa kurrë nuk dyshonte në drejtësinë dhe logjikën e gjërave që ai bënte. Me një mirëbesim të jashtëzakonshëm, ajo mund ta lëshonte çdo grimcë të qenies së saj në duart e tij. Nga ana tjetër, befas i kërceu në kokë mendimi se, ashtu siç po priste ajo sonte, femra të tjera e kishin pritur atë me dhjetëra herë para saj, po në të njëjtën makinë, të cilat ai i kishte takuar në udhëtimet e tij të punës. Por, çuditërisht, nuk u mërzit fare. Në fakt, qeshi me idenë se sa bukur qe të ishe një grua tjetër, siç ishte ajo sot, e papërgjegjshme, vulgare, një prej atyre grave për të cilat ajo bëhej xheloze. Po i dukej se i kishte mundur të gjitha dhe se kishte mësuar të përdorte me mjeshtëri të gjitha armët e tyre, kishte mësuar se si t’i jepte të dashurit të saj atë çlirtësi, mungesë droje dhe paturpësie, që ta fal flirti. Një ndjenjë kurioze kënaqësie e mbush, sepse iu duk sikur ajo qe e zonja të bëhej si të gjitha gratë nga pak dhe, në këtë mënyrë, ta pushtonte (vetëm ajo) tërësisht të dashurin e saj, të mbulonte gjithë interesat e tij. Djaloshi hapi derën e makinës dhe e drejtoi vajzën përmes restorantit. Përmes zhurmave, papastërtisë dhe tymit të duhanit, ai gjeti të vetmen tavolinë të pazënë në qoshe të tij.

7

“E si do kujdeseshit ju për mua?”, pyeti vajza në mënyrë provokative.
“Çfarë dëshironi si aperitiv?”.
Vajza nuk ishte ndonjë përdoruese e alkoolit edhe pse pinte ndonjë gotë verë, ndërsa vermuthi i pëlqente shumë më tepër. Por, tashmë, ajo qëllimisht kërkoi: “Vodkë”.
“Bukur”, tha djaloshi. “Nuk besoj se do deheni sonte, apo jo?”.
“E nëse dehem, çfarë?”.
Djali nuk u përgjigj, thirri kamerierin dhe porositi dy vodka dhe dy biftekë për darkë, i cili, pas pak, solli për provë dy gota të vogla dhe i vendosi në tavolinë.
Djaloshi ngriti gotën: “Për ju!”.
“Nuk mund të mendoni për një dolli më gazmore?”.
Diçka kish filluar ta irritonte; nuk po i pëlqente më loja e vajzës. Ulur përballë saj, vërejti se nuk ishin thjesht fjalët ato që e bënin të huaj, por i gjithë personaliteti i saj kishte ndryshuar, lëvizjet e trupit dhe shprehja e fytyrës. Kështu ajo po u ngjante atyre lloj femrave, të cilat ai i kishte njohur aq mirë e për të cilat pothuajse e kishte marrë malli. Duke mbajtur gotën nëpër duar, korrigjoi dollinë: “Ok. Atëherë, nuk do pi për shëndetin tuaj, por për llojin tuaj, ku gjenden të kombinuara me shumë sukses cilësitë më të mira të kafshëve dhe aspektet më të shëmtuara të qenies njerëzore!”.
“Me lloj, ju keni parasysh gjithë femrat?”, pyeti vajza.
“Jo, kam parasysh vetëm femrat e llojit tënd”.
“Gjithsesi, nuk më duket se krahasimi me një kafshë është edhe aq i gjetur për femrat…!”.
“Ok”, vazhdoi ai përsëri, duke mbajtur në dorë gotën, “atëherë unë nuk do pi për llojin tuaj, por për shpirtin tuaj. Dakord? Për shpirtin tuaj, i cili shkëlqen duke zbritur nga koka në fundbarkun tuaj e që shuhet gjatë rrugës së kthimit për në kokë!”.
Vajza ngriti gotën e tha:
“Dakord, për shpirtin tim, që shndrit kur më zbret në fundbark”.
“Desha ta korrigjoj edhe pak veten”, tha djaloshi. “Për fundbarkun tuaj, ku shpirti juaj rrëshqet”.
“Për fundbarkun tim, atëherë”, tha dhe fundbarku i saj (tashmë që ata po e përmendnin), iu përgjigj thirrjes; ajo po ndjente çdo pjesë të tij.
Kamerieri solli biftekët, ndërsa djaloshi porositi përsëri vodkë dhe ujë të gazuar. Kësaj here pinë për gjinjtë e vajzës dhe biseda vazhdoi me këtë ngjyrim e këtë mungesë të plotë serioziteti. Djaloshit po i vinte gjithnjë e më inat nga aftësitë e së dashurës për të luajtur rolin e një femre thjesht epshore. Nëse ajo dinte ta luante atë rol aq mirë, duhej të kishte qenë dikur e tillë, se, tek e fundit, ndonjë shpirt i huaj nuk kish hyrë në të sajin, ashtu si prej hapësire. Ai rol që po luante qe thjesht vetja e saj, ndoshta ishte pikërisht ajo pjesë e saj, që më parë kishte qenë rreptësisht e mbyllur për djaloshin e që prej pretekstit të lojës kishte rrëshqitur pa dashjen e vajzës nga kafazi. Ndoshta ajo mendonte se duke luajtur ashtu, kishte shkelur rëndë mbi veten, po kush mund ta garantonte djaloshin që nuk qe e kundërta, që bash loja e kishte zbuluar në dritë të diellit? A po çlirohej ajo nëpërmjet lojës? Jo, përballë tij nuk qe ulur një grua e huaj, futur në lëkurën e vajzës që donte, qe ajo vetë, askush tjetër. Ai filloi ta shihte me një mungesë të theksuar qejfi. Gjithsesi, nuk qe thjesht një mospëlqim. Sa më shumë që i largohej ajo fizikisht, aq më tepër e dëshironte ai po fizikisht. Ajo cilësi e huaj në shpirt ia bënte më të dukshëm trupin. Po, vërtet, e ktheu trupin e saj në një trup për të, sikur deri më tash ta kish fshehur për djaloshin nga retë e trasha të pasionit, delikatesës, shqetësimit, dashurisë dhe emocioneve, sikur trupi i saj të kishte humbur nëpër ato re (po, sikur ai trup të kishte humbur). Djaloshit iu duk sikur për herë të parë në jetën e tij po e shihte trupin e së dashurës.
Pas vodkës së tretë, ajo u ngrit dhe flirtueshëm tha: “Më falni pak, ju lutem!”.
Djaloshi, si i zënë në befasi, tha: “A mund t’ju pyes se ku po shkoni, zonjushë?”.
“Të bëj shurrën, nëse zotëria juaj më lejon”, tha ajo dhe kaloi përmes tavolinave në drejtim të daljes.

8

Ajo u kënaq me mënyrën se si e habiti djaloshin me ato fjalë, të cilat, edhe pse të pafajshme në vetvete, nuk ia kish thënë kurrë më parë. Asgjë më e vërtetë në karakterin e gruas që po luante, nuk i dukej sesa sensi i flirtit i vënë në fjalët e sipërpërmendura. Ajo ishte e kënaqur, në hënë të plotë. Loja e kishte pushtuar dhe po i krijonte një ndjesi të cilën nuk e kishte ndjerë deri atë çast; ndenjën e një shkujdesjeje fatlume. Ajo, që ndjehej keq para çdo hapi të ri që hidhte, befas u çlirua. Jeta e huaj ku qe përfshirë qysh në fillim të lojës, qe pa turp e ndrojtje, pa imtësira biografike, pa të shkuar e të ardhme, pa kurrfarë detyrimi. Qe një jetë tmerrësisht e lirë. Ajo mund të bënte ç’të donte, çdo gjë që i lejohej një vajze që ndalonte makina të panjohurish nëpër rrugë. Ajo mund të thoshte, të bënte e të ndjehej si t’ia kishte ënda. Eci përmes restorantit e bindur që të tjerët po e shikonin. Qe një prekje e përnjëhershme e dhjetëra shikimeve, ndjenjë që në fillim nuk e njohu, kënaqësia e paturpshme, shkaktuar nga trupi i saj. Deri atëherë, kurrë s’kish qenë e zonja ta hiqte qafe turpin e vajzës 14-vjeçare, që ndihej në siklet dhe skuqej nga gjinjtë e vet, që i dukej tmerrësisht i paturpshëm shpërthimi i tyre jashtë linjave të mëparshme të trupit. Edhe pse ndjehej krenare për bukurinë, kjo ndjenjë i përmbysej menjëherë nga turpi. Ajo kishte arritur të zbulonte se bukuria femërore funksiononte kryesisht si provokim seksual dhe qe zhgënjyer nga kjo gjë, ndaj dëshironte që trupi i saj të kishte lidhje vetëm me njeriun që donte. Kur burrat nëpër trotuare ia ngulnin sytë në gjoks, i dukej sikur po i pushtonin njërën prej pjesëve më sekrete të fshehtësive, e cila duhej t’i përkiste vetëm asaj dhe të dashurit. Por tashmë ishte një vajzë e lirë; në këtë rol, kish mundur t’i këpuste litarët magjikë të dashurisë, që e mbanin të lidhur, e filloi të bëhej thellësisht e ndërgjegjshme për trupin e saj. Sa më shumë sy të huaj që e shihnin, aq më në pah dilte trupi i saj.
Nuk kish kaluar akoma në tavolinën e fundit, kur një burrë i dehur, duke dashur të kallëzonte klasin e tij botëror (!), iu drejtua në frëngjisht: “Commbien, mademoiselle?”.
Vajza e kuptoi, i dha një të shtyrë përpara gjoksit, bëri një përdredhje të vitheve, akt të cilit ia shijoi gjithë lezetin, e doli përjashta.

9

Qe një lojë plot kureshtje. Ky kuriozitet kish dalë në pah, bie fjala, në faktin që djaloshi, edhe pse vetë po e luante mrekullisht rolin e shoferit të panjohur, asnjëherë nuk kishte dështuar që, brenda vajzës që donte, të shihte të “panjohurën”. Pikërisht kjo gjë po e dërrmonte. Po shihte me sytë e vet se si e dashura po ndillte një të huaj dhe, më e keqja, ai kishte privilegjin e hidhur të ishte prezent e ta shihte nga shumë afër se si dukej, dëgjonte se si i fliste atij (si i kishte folur apo si do t’i fliste). Kishte nderin paradoksal të ishte vetë pretekst i pabesisë së saj. Kjo gjendje keqësohej pa masë edhe për shkak se ai jo thjesht e donte, por e adhuronte atë vajza. Gjithmonë i ishte dukur se natyra e saj e brendshme qe e vërtetë vetëm brenda kufijve të pastërtisë dhe besnikërisë dhe se pas atyre kufijve, ajo thjesht nuk ekzistonte. Pas atyre kufijve, ajo pushonte së qeni vetvetja, ashtu si uji nuk është më ujë, por avull, pas pikës së vlimit. Tani që po e shihte se si ajo i kapërcente ata kufij me një elegancë sfiduese, u mbush plot me zemërim. Vajza u kthye pas pak dhe u ankua:
“Një burrë atje më pyeti: Combien, mademoiselle?”.
“S’ma merr mendja të jeni habitur”, tha djaloshi, “pasi ju dukeni si një kurvë”.
“E dini që kjo është gjëja, që më shqetëson më pak?”.
“Atëherë, ju mund të shkoni me atë zotërinë!”.
“Po, unë ju kam juve!”.
“Mund të shkoni me të, pasi të mbarojmë bashkë. Shkoni e përfitoni ndonjë gjë prej tij”.
“Nuk m’u duk shumë tërheqës”.
“Nejse, por në princip nuk keni asgjë kundër. Mund të shkoni me shumë burra brenda një nate”.
“Pse jo, nëse më pëlqejnë”.
“I preferoni njëri pas tjetrit, apo në të njëjtën kohë?”.
“Të dyja”.
Biseda po zhvillohej në drejtim të skajeve më të largëta të vulgaritetit, gjë që e mundoi vajzën, por nuk mund të protestonte. Edhe në lojë ndjehej zvarritja gjarpëruese e mungesës së lirisë. Loja qe një kurth për vetë lojtarët. Nëse nuk do kishte qenë lojë, vajza me kohë do ta kishte sharë e fyer shoferin e panjohur dhe do ishte larguar. Por s’kishte shtegdalje nga loja. Skuadra s’mund ta braktiste fushën e lojës, po ashtu si edhe gurët e shahut, para se ajo të mbaronte. Kufijtë e fushës së lojës janë të fiksuar. Vajza e dinte se do t’i duhej t’i pranonte të gjitha format që mund të merrte loja, thjesht për faktin se ishte lojë. Ajo e dinte se sa më në skaje shkonte, aq më tepër lojë bëhej e sa më e plotë që ish ajo, aq më përvujtësisht u duhej bindur rregullave të saj. Dhe qe me rëndësi të ruhej gjakftohtësia, madje këshilloi shpirtin e saj që të rrinte sa më larg lojës, të mos e merrte seriozisht. Sepse ishte thjesht një lojë. Ja pse shpirti i saj nuk kishte frikë, ja pse nuk e kundërshtoi lojën e si e dehur u zhyt thellë e më thellë në të. Djaloshi thirri kamerierin, pagoi, u ngrit dhe iu drejtua vajzës:
“Shkojmë!”.
“Ku?”, bëri vajza sikur u habit.
“As mos pyet, hajt, çohu!”.
“E pse po më flet kështu?”.
“Kjo është mënyra me të cilën u flas kurvave”, tha djaloshi.

10

Ata u ngjitën shkallëve të ndriçuara keq. Në pushimoren e parë, para se të dilnin në katin e dytë, një grup të pirësh po rrinin ulur. Djaloshi doli nga mbrapa vajzës, ia futi duart poshtë krahëve dhe mbushi pëllëmbët me gjinjtë e saj. Të dehurit e panë këtë skenë dhe filluan të klithnin. Vajza deshi të çlirohej, por i panjohuri (i dashuri) i thirri: “Mos luaj!”. Burrat e përshëndetën këtë gjë me një bulurimë të eksituar e lëshuan dhjetëra fjalë të pista në drejtim të saj. Mbërritën në katin e dytë. Ai hapi derën e dhomës dhe ndezi dritën. Qe një dhomë e ngushtë me dy shtretër, një tavolinë të vogël dhe një lavaman. Djaloshi mbylli derën dhe u kthye nga ajo, që rrinte përballë tij me pamje sfiduese dhe sensualitet brutal në sy. Ai u përpoq të zbulonte, pas kësaj pamjeje, tiparet e saj të dikurshme, ato me të cilat ishte aq i familjarizuar e që i donte çmendurisht. Po i dukej sikur shihte dy fytyra përmes një palë syzesh. Dy fytyra të mbivendosura mbi njëra-tjetrën. Këto pamje të mbivendosura i bënë me dije djaloshit që gjithçka gjendej brenda vajzës që donte, që shpirti i saj ishte tmerrësisht i shformësueshëm, që ai përmbante besnikërinë dhe tradhtinë, poshtërsinë dhe pafajësinë, virtytin dhe flirtin. Kjo rrëmujë trishtuese në shpirtin e saj po e gërdiste, si pamja e atij që kërkon gjëra të vlefshme në koshin e plehrave. Të dyja pamjet plotësonin njëra-tjetrën dhe djali vërejti se e dashura e tij ndryshonte nga femrat e tjera vetëm në sipërfaqe, pasi në thellësi ishte si ato: plot me gjithfarë mendimesh, ndjenjash, vesesh, të cilat justifikonin të gjitha paragjykimet dhe i shkonin për shtat xhelozisë. Përshtypja se ajo kishte disa tipare që e veçonin si individ, qe vetëm një zhgënjim, subjekt i të cilit qe ai vetë. Atij iu duk se vajza që ai kishte dashur, kishte qenë më tepër krijesë e dëshirave, mendimeve dhe besimit të tij, se vajza e vërtetë, ajo që po rrinte para tij, qe tmerrësisht e huaj, dëshpërimisht e shformësuar. Ai po e urrente.
“Çfarë po prisni, zhvishuni!”, tha ftohtë.
“Është kjo e domosdoshme?”, pyeti vajza, duke ngritur ballin lart.
Toni me të cilin i shqiptoi ato fjalë, atij iu duk i njohur. Po i bëhej se shumë kohë më parë e kishte dëgjuar të njëjtën gjë të shqiptuar nga një grua tjetër, veç nuk po i kujtohej se cila qe. Tashmë donte ta poshtëronte, jo më të panjohurën, por të dashurën e tij. Loja u përzje me jetën, loja e poshtërimit të së panjohurës qe thjesht një pretekst për të poshtëruar të dashurën. Ai tashmë kishte harruar që po luante. Thjesht e urrente femrën që i rrinte përballë. Duke e vështruar, futi duart në xhep, nxori një kartëmonedhë pesëdhjetëkoronëshe dhe, duke ia zgjatur vajzës, e pyeti:
“A ju mjafton kjo?”.
“A nuk ju duket se kushtoj pak më shumë?”, pyeti vajza duke e marrë kartëmonedhën.
“Jo, nuk vleni më”.
Vajza po i përkëdhelej djaloshit:
“Ju nuk mund të më fitoni kaq lehtësisht, duhet të provoni ndonjë mënyrë tjetër, duhet të lodheni pak më shumë.”
Ndërkohë, ia kishte hedhur krahët në supe dhe kishte afruar buzët në drejtim të tij. Ai ia vuri gishtat në buzë dhe, duke e shtyrë lehtësisht, i tha:
“Unë puth vetëm gruan që dua”.
“E ju nuk më doni?”.
“Jo!”.
“Po kë dashuroni?”.
“E çfarë ka të bëjë kjo me ju? Zhvishuni!”.

11

Ajo kurrë nuk qe zhveshur më parë kësisoj. Druajtja, turpi, njëfarë paniku i brendshëm, dridhjet, gjithë ato që kishte ndjerë kur zhvishej para të dashurit të vet (tani ajo nuk mund të maskohej në errësirë) qenë zhdukur. Ajo rrinte para tij me vetëbesim, sfiduese, e larë në dritë, e habitur dhe e mrekulluar njëherësh që befas kishte zbuluar lëvizje, gjeste, më parë të panjohura për të, të një zhveshjeje të ngadalshme, provokuese. Në sytë e tij, ajo rrëshqiti çdo pjesë të rrobave me lëvizje ledhatuese, duke iu kënaqur çdo çasti të këtij ekspozimi.
Por, befas, ajo u gjet lakuriq para tij dhe atë çast i shkëlqeu nëpër mend ideja se tashmë loja duhej të merrte fund. Tashmë, ajo i kishte hequr rrobat, ndaj duhej të hiqte edhe maskën e vënë sa për të luajtur dhe, meqenëse ishte cullak, duhej njëherësh të ishte vetvetja. Duhej që edhe djaloshi t’i afrohej, të bënte ato veprime e lëvizje që mund ta degdisnin larg prej tyre gjithë makiazhin e komedisë që kishin luajtur. Vetëm pas kësaj do mund t’i riktheheshin dashurisë, përvëlimit të saj intim, si gjithmonë. Kështu, e zhveshur, përballë të dashurit, ajo e ndërpreu lojën. Menjëherë ndjeu turpin dhe në fytyrë iu shfaq buzëqeshja, e cila vërtet i përkiste, një buzëqeshje e ndrojtur dhe konfuze.
Por djaloshi as nuk iu afrua, as nuk e përfundoi lojën. Ai nuk e vuri re atë buzëqeshje familjare. Shihte para vetes vetëm trupin e bukur e të huaj të së dashurës, të cilën e urrente. Urrejtja ia kishte shpërlarë edhe ndjeshmërinë më të imët. Ajo deshi t’i afrohej, por ai i tha: “Rrini aty ku jeni, dëshiroj t’ju këqyr nga larg”.
Nuk donte gjë tjetër veçse ta trajtonte thjesht si një kurvë. Por djali kurrë nuk kishte pasur marrëdhënie me një të tillë. Njohuritë për to i kish prej librave e më së shumti nga thashethemet. Kështu, iu kthye këtyre dijeve dhe gjëja e parë që i erdhi ndërmend qe një grua me të brendshme të zeza (dhe me çorape të zeza), që kërcente mbi kapakun e shndritshëm të një pianoje. Meqë në dhomën e hotelit nuk kishte piano, ai e urdhëroi vajzën të ngjitej mbi tavolinën e vogël, ngjitur në mur. Vajza bëri gjoja sikur po ngjitej, por djali ia preu shkurt: “Unë ju kam paguar, ë?”. Kur ajo vërejti hijen e palëkundshme të fiksimit të tij, vazhdoi përsëri lojën, edhe pse nuk deshi dhe nuk dinte si ta vazhdonte. Me lot në sy u ngjit mbi tavolinë. Sipërfaqja e saj qe a s’qe dyzet centimetra katror dhe meqenëse një këmbëz e saj qe më e shkurtër se të tjerat, qëndrimi sipër qe i vështirë. Por djaloshi tashmë ndjehej i kënaqur me figurën e lakuriqtë që ngrihej mbi kokën e tij dhe pasiguria e turpshme e vajzës e kënaqi dukshëm arrogancën e tij. Dëshironte t’ia shihte trupin nga të gjitha anët e prej të gjitha pozicioneve, ashtu siç po imagjinonte se e kishin parë dhe do ta shihnin edhe burra të tjerë. Kishte degraduar. Po përdorte fjalë që ajo kurrë më parë nuk i kishte dëgjuar prej tij. Ajo dëshironte të kundërshtonte, të çlirohej nga ajo lojë. E thirri në emër, por ai i tha se nuk kishte të drejtë t’i drejtohej me aq intimitet. Kështu, në rrëmujë e sipër e në prag të shpërthimit të lotëve, ajo iu bind; u përkul përpara, bëri gjithfarë këndesh e gjithfarë përdredhjesh në përputhje me dëshirat e djaloshit. Gjatë një lëvizjeje të shpejtë, kur këmbët iu ngatërruan nëpër rrobat e saj në dysheme e qe gati duke rënë, djaloshi e priti me krahë dhe e hodhi drejt e në shtrat. Bënë seks.
Ajo qe e lumtur që së fundi loja do mbaronte, ata do ktheheshin siç kishin qenë më parë dhe do ta donin njëri-tjetrin. Afroi buzët drejt tij, por ai ia shtyu kokën, duke përsëritur që puthte vetëm vajzën që donte. Ajo shpërtheu në dënesa të forta, por nuk iu lejua as të qajë, sepse pasionet e rrëmbyera të djaloshit ngadalë fituan mbi trupin e saj, që bënë të heshtnin ankimet e shpirtit të saj. Në shtrat shpejt u bënë një trup i vetëm në harmoni të plotë, dy trupa të ndjeshëm, edhe pse të huaj për njëri-tjetrin. Pikërisht kësaj gjëje ajo i ishte ruajtur më së shumti në jetë, e kishte shmangur me mjaft mjeshtëri deri më sot: të bërit seks pa emocionin e dashurisë. Ajo e kuptoi që e kishte kapërcyer kufirin e ndaluar, por çau përmes pa ndonjë vërejtje të madhe, si një pjesëtare e plotë – vetëm diku larg, në një qosh të ndërgjegjes, ndjeu tmerrin e idesë se kurrë më parë nuk kish ndjerë kënaqësi më të madhe sesa në këtë moment, pas atij kufiri.

12

Pastaj gjithçka mbaroi. Djaloshi u shkëput prej vajzës, zuri me dorë kordonin që zgjatej mbi shtrat dhe fiku dritën. Nuk donte t’ia shihte fytyrën. Ai e dinte që loja kishte mbaruar, por nuk po i bëhej të kthehej në marrëdhënien e tyre të zakonshme, të mëparshme. Po i trembej rikthimit. U shtri në atë mënyrë, që trupi i tij nuk e prekte atë të vajzës. Pas pak ndjeu dënesat e saj të buta. Dora e saj, plot druajtje fëmijërore, preku të tijën. E ciku pak dhe u tërhoq, kështu edhe njëherë, edhe njëherë tjetër, pastaj dënesat e saj e thyen përfundimisht heshtjen e, në mes të qarave, thirri:
“Jam unë, jam unë…!”.
Djaloshi vazhdoi të heshte e të mos lëvizte. Ai e ndjente boshllëkun e trishtë që mbarte thirrja e vajzës, ku e panjohura shprehej me sasi e terma të ngjashme. Ajo shpejt kaloi nga dënesat në të qara me zë të lartë dhe pafundësisht përsëriste të njëjtat fjalë të dhimbshme:
“Jam unë…, jam unë…, jam unë…!”.
Djalit iu desh të thërriste në ndihmë mëshirën (ta thërriste nga shumë larg, pasi ajo nuk gjendet kurdo afër) për ta qetësuar vajzën.
Kishin përpara edhe trembëdhjetë ditë pushime…!
Përktheu: Arbër Ahmetaj

Të tjera nga ky autor:

Arbër Ahmetaj

Arbër Ahmetaj lindi në Tropojë në vitin 1965. Është diplomuar për farmaci në universitetin e Tiranës dhe atë të Gjenevës. Në vitin 1986 filloi bashkëpunimin me shtypin shqiptar të asaj kohe dhe më pas punoi si gazetar në departamentin e informacionit në TVSH. Në vitin 1993 iu bashkua Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe u specializua për diplomaci në Oksford, Uashington, Gjenevë dhe Maltë. Pas detyrave të ndryshme në këtë ministri u emërua Sekretar i Parë në Ambasadën Shqiptare në Bukuresht. Nga shtatori i vitit 1997 jeton në Sion të Zvicrës, ku ushtron punën si farmacist. Disa nga veprat e tij në prozë janë "Fletëhyrje për në varr", "Varri i braktisur", "I huaji, ai kosovari", "Një natë te Luiza", "69 gra", "Procesi 3K", si dhe librat me poezi "Më mori malli e dashur" dhe "Poezi". Nga viti 2020 është Kryeredaktor i Revistës Letrare.