Ngurrim ndjenjash
Të quajnë të pavendosur, mos i dëgjo;
i ndjeshëm je, ngurron
të zgjedhësh, përgjithësisht vështirësohesh
të refuzosh.
Kaq kohë që rropatesh mes
njërës a tjetrës gjë
u lidhe ngushtësisht me to.
Ndjenjë bëhet në fund dyzimi
do që të dyja t’i mbash
por është ligj – të parapëlqesh.
Zgjidh atëherë
atë që të sugjeron pasiguria.
Rrallë ndodh të gabojë.
Mos kërko cila është më e mira.
Më e mira destinohet
për zotin tonë më mirë.
Njëjtë me yjet
Më fajëson që s’jam
mikpritëse ndaj të kërcënuarve.
Gabon. Jam mikpritëse
jo vetëm me ta
por edhe me
krejt të pambrojturit
që u kanoset një rrezik i madh.
Duhet të përllogaritësh edhe të vdekurit.
U pëlqen të qëndrojnë këtu
s’e merr dot me mend sa hapësirë jete zënë.
Mos më fajëso, i mirëpres të gjithë
edhe gjithçka tonën
brenda këtyre rreshtave.
Po të hapësh shkrimet tona të shenjta
ndodhemi të tërë aty.
Ngjeshur-ngjeshur sigurisht
ndaj s’na sheh
por veçse disa
metra katrorë – fjalësh kam në zotërim.
Jepna ndonjë hektar më tepër
nga i pafundmi qiell
që të shtrihemi pakëz më tej.
Na riformëso
që të banojmë ne njerëzit afër teje
dhe adhurimi ynë të arrijë
me ëndje të kundrojë yjet
si të qemë të njëjtë.
Ujku dhe kecat
I Plotfuqishëm
ndryshe i mendonim
ndryshe na erdhën.
Ortodokse u mat
feja e besimit tonë
dhe sado që
depërtoi
një dyshim
idhujtar
kurrfarë rëndësie nuk i dhamë
asgjë nuk e pakësoi
besimin në tërësi
mbi ty
u dhamë plotësisht.
Të sigurt u qetuam
të hapura tejpërtej linim dyert
hynin e dilnin yjet
rojtarë jashtë qëndronin ëndrrat
i mori gjumi një natë
hyri ujku
i copëtoi
gjithë kecat.
Vallë shpëtoi a s’shpëtoi
keci më i vogël
fshehur pas orës së dorës?
Edhe ai, atje e gjeti të fshihej
në gojën e ujkut?
Përktheu: Eleana Zhako
Të tjera nga ky autor:
- Kiki DIMOULA: Mbi kufoma
- Kiki DIMOULA: Përpikëri
- Kiki DIMOULA: Fraksion
- Poezi (Shkëputur nga libri “Mbartës melankolie”)
- Kiki Dimoula: Letër
- Tri tregime të shkurtra
- Eleana ZHAKO: Kaktus
- Eleana ZHAKO: Poezi
- Trofe – Plagë – Ëndërr (Cikël poetik)
- Televizori
- Krishtlindje 1948
- Derisa viktima të bëhet e jona
- Balta (fragment)
- Janis RICOS: Fjalë mishtore – Erotika
- Ahileas KIRIAKIDHIS: Në radë¹
- Zirana ZATELI: Epsh ndër tëmtha (fragment)
- Miltos SAHTURIS: Tri poezi
- Dimitris DIMITRIADIS: Apokalipsi i Kasandrës (fragment)
- Janis RICOS: Histori erotike
- Koha kalon përmes syve të saj