Dashuria për ty… është një hall i madh,
hall fizik,
gjuhësor
dhe kulturor.
Krahët i kam të shkurtër,
ndërkohë që lastarët e tu janë plot fruta…
Flatrat i kam të thyera,
sakaq qielli yt është stolisur me kanarina…
Fjalori im është i kufizuar,
kurse kurmi yt është akademi mbretërore
ku arkivohet poezia
dhe shpiken gjuhët…
Me ty…
nuk ka gjysmë zgjidhje,
as gjysmë qëndrime,
as gjysmë ndjenja.
Me ty,
gjithçka duhet të jetë
tërmet ose hiçgjë…
Me ty, çdo ditë,
duhet të jetë grusht shteti ose hiçgjë…
Çdo puthje e buzëve të tua
duhet të jetë ferr…
ose hiçgjë!
I tillë jam unë…
që kur ia mora dorën dashurisë
dhe të shkruarit,
nuk ka poemë që më buis ndër gishta,
që të mos jetë e nxehtë si një bukë e sapopjekur.
Çdo grua që prek me dorë
mbars në barkun e saj
pesëdhjetë hëna…
Me ty…
nuk ka klimë të butë,
as armëpushim të gjatë,
as paanësi absolute.
Neutraliteti me një grua si ti,
ujdisur me bajame e mjaltë…
me qumësht feminiliteti…
me melodi krehri dhe unazash…
është një luks kulturor,
që s’kam këllqe ta përballoj,
dhe dorëheqje absurde
nga hingëllima e burrërisë sime…!
Me ty…
dashuria nuk ka një skenar të vetëm,
seksi nuk ka veçse një stil
dhe meshkujt nuk kanë veç një aromë.
Me ty,
gjithçka është luftë absurde, pa fitimtarë,
ku thyhen byzylykët mbi byzylykë…
vathët mbi vathë…
krehrat mbi krehër
dhe poezitë e mia…
mbi majat e gjinjve të tu mbuluar me borë…
Me ty…
nuk ka një vijë të drejtë
dhe as një udhë të drejtë.
Ti je një vepër abstrakte dhe misterioze,
ku përzihet e kuqja… me blunë…
me portokallinë…
me poezinë… me prozën…
me rregullin… me kaosin…
me qytetërimin… me barbarinë…
me ekzistencializmin… me mistikën…
Me ty…
burri lind dhe vdes rastësisht!
Si t’ia bëj
që të lidh paqe me shkundullimën,
tufanin
apo me një xhungël afrikane, të marrë flakë?
Si të bëj paqe me një bletë,
që planifikon të pijë gjakun tim?
Si t’ia dal
të mirëkuptohem me kurmin tënd,
ndërkohë që ai nuk flet veçse gjuhën e vet?
Si ta fitoj betejën,
ndërkohë që jam burrë i vetëm…
kurse ti një fis i tërë grash?
Me ty…
mbivendosen kohërat,
vendet
dhe tekstet e poezisë.
E unë, nuk e di nga,
nuk e di si
dhe as që më intereson të konsultohem me yjet
apo të lexoj hartat.
Një ashik i madh
është ai që hidhet në detin e ashkut
pa busull…
pa hartë…
dhe pa certifikatë sigurie…
Unë nuk kam profesion tjetër,
në këtë jetë,
përveç dashurisë për ty…
E nëse më ndodh, të heq dorë
nga kjo marrëzi e bukur,
dije se kam mbetur i papunë!
Dashuria tek unë
është një instinkt i lindur,
jo zakon i fituar
apo natyrë e dytë…
Nëse më sheh një mëngjes
të ngjitem si krimb mëndafshi
mbi pemishten e dy gjinjve të tu…
dije se industria e mëndafshit
është pjesë e pandarë
nga trashëgimia ime damaskiane…
E dashura ime,
nuk jam më
i zoti të dashuroj me këste…
t’i puth buzët e tua me këste…
apo të qëroj mollët e duarve të tua… me këste…
Sot jam bërë burrë pragmatik
e besoj se një grua e përgjumur
në pëllëmbën time
është më e mirë se dhjetë gra në pemë…
Besoj se biseda me kurmin e Afërditës
është më e rëndësishme
se biseda me të gjithë engjëjt!
Zonja ime:
më lejo ta shpreh paksa fëmijërinë time
dhe ti vë pikat mbi shkronjat e marrëdhënies sonë.
Që kur dola nga barku i poezisë…
nuk besoj më në të mesmen e artë,
as në dashuri, as në të shkruar
dhe as në flirtin e grave…
Pragmatizmi në dashuri është feja ime
dhe e refuzoj fjalën e urtë, që thotë:
“Dashurinë e sotme lëre për nesër”.
E si ta shtyj një grua që e dua sot
për një ditë tjetër?
Për një muaj tjetër?
Për një vit tjetër?
Për një kohë tjetër?
Për një njoftim tjetër?
Sytë e mëdhenj nuk lihen për një kohë tjetër…
Shirat tropikalë nuk shtyhen për një kohë tjetër…
Stuhitë me rrufe nuk shtyhen për një kohë tjetër…
dhe poezitë e jashtëzakonshme…
nuk shkruhen veçse një herë të vetme…
Përshtati: Elmaz Fida
Të tjera nga ky autor:
- A ke ndonjë zgjidhje për hallin tonë?
- Dëshmoj se nuk ka grua tjetër si ti
- Tri poezi
- Shtatori
- Nizar Kabani: Poemë e egër
- Nizar KABANI: Bota ma hedh fajin mua
- Nizar KABANI: Të premtova
- Nizar KABANI: Mes një dashurie dhe një tjetre
- Një aktoreje dështake
- Gruaja që nuk u përsërit në jetën e Gibran Khalil Gibran
- Zemërohu!
- Mendova se vdiqa…
- Jetë në parkim
- Para portës tënde
- Takime sekrete
- Faqe të mbyllura
- I urrej pyetjet (Poezi)
- Dy mikrotregime
- Ku ka dashuri, ka paqe (Cikël poetik)
- Poezi