Kam lindur në një zonë rurale, ku njeriu nuk korr dot sukses, çfarëdo që të bëjë, veçse duke ndjekur rrugën e babait të vet. Unë nuk përngjasoja me tim atë, përveç tipareve të fytyrës, gjerësisë së shputave të këmbëve dhe qerosës që i kishte pushtuar gjithë kokën.
E doja shumë tim atë, doja vendosmërinë e tij, këmbënguljen, thjeshtësinë dhe trimërinë. Isha shumë i vogël për t’i ngjarë dhe shumë i brishtë për t’u bërë si ai.
Im atë ishte bujk dhe i dashuruar me punën, sakaq, unë ëndërroja të bëhesha inxhinier; atij i pëlqente jeta e fshatit, kurse unë dëshiroja të jetoj në qytet. Rrugët tona ishin të kundërta, destinacionet larg njëri-tjetrit, ashtu siç ishin vështrimet tona të ndryshme, pavarësisht ngjashmërisë së syve.
U rrita larg tim eti, pavarësisht se gjendesha gjithmonë përbri tij; e shoqëroja në fushë me shpresën se një ditë do arratisesha. E shtrëngoja draprin me duar, sikur po shtrëngoja ëndrrat që do ndiqja pasi ta kaloja atë fazë jete.
Por, gjithçka mori fund me vdekjen e babait. Pas largimit të tij, m’u desh t’i palosja të gjitha ëndrrat dhe tri ditë më pas u zgjova me qëllimin që të shkoja në fermë dhe të bëhesha bujk, të kujdesesha për shtëpinë dhe ta ndërtoja jetën në fshat. Të gjithë njerëzit përreth më nxitën ta ndjek këtë drejtim. Të gjitha rrugët e tjera m’u mbyllën, përveç njërës dhe atë ndoqa.
Vdiq im atë, e parkova jetën time anash dhe vazhdova jetën e tij.
Përktheu: Elmaz Fida
Të tjera nga ky autor:
- Para portës tënde
- I urrej pyetjet (Poezi)
- Fund i parezistueshëm
- Gruaja që nuk u përsërit në jetën e Gibran Khalil Gibran
- Zemërohu!
- A ke ndonjë zgjidhje për hallin tonë?
- Mendova se vdiqa…
- Unë jam burrë i vetëm, kurse ti je fis grash
- Takime sekrete
- Faqe të mbyllura
- Dy mikrotregime
- Dëshmoj se nuk ka grua tjetër si ti
- Ku ka dashuri, ka paqe (Cikël poetik)
- Poezi
- Poezi
- Unë jam nëna e të gjithëve
- Tri poezi
- Shtatori
- Nizar Kabani: Poemë e egër
- Nizar KABANI: Bota ma hedh fajin mua