Insanis
Jetonte me një të krisur
djalë i ri, verdhosh,
herë hynte, herë dilte nga fiqiri,
përbuzës, arrogant, i zgjuar,
me shpirt gjysheje, kapriço gruaje
dhe reagim fëmije…
trup engjëlli i thërrmuar brendshmi në mijëra fije
nga një sëmundje me bazë neverie…
E dinte si qe formuar bota,
polak,
i shtrydhur nga Lindja dhe Perëndimi,
i ngucur nga roli dhe tjetërsimi… banor,
që e thërrisnin Hënor, kaq ndryshe nga njerëzia…
Qe rraskapitur prej tij, jo thjesht nga ligia e shëndetit,
sa nga britmat, alarmet e pashkak,
thyerjet e sendeve… sjellje e çuditshme e gjitha kjo…
e huaj për midenë e një fineje… si ajo.
Porse, ai moment kur ajo pranë tij më në fund epohej…
Atij i qetësohej fytyra, i mbylleshin sytë,
një buzëqeshje paralumturore i ikte e vinte faqeve,
në pritje të përkëdheljes që ia parandiente kënaqësinë,
me një eros të parashkruar imagjinate,
si një etje fyti që i jep shije të çmendur ujit…
dhe bëhej i bukur si brokë
e priste si gotë…
Femika
Kur ti të jesh magjia ime, shpirt,
do të jemi bashkë të dy të pandarë,
do të gëzojmë dashurinë e madhe
të festimeve të qetësisë…
Çamarrokët do jenë lodhur nga prapësitë e frikës,
do të fashitet natyra, qyteti, deti – nuk do të ketë më ngjarje
e do të hapesh ti si e vetmja qenie…
Dërdëllima dhe këto vetëtima,
të gjitha do të vdesin në dëgjimin tënd,
kur të hapet prezenca jote e madhe
e njohjes pa fjalë, e mendimeve pa gjuhë,
kur ti të biesh në gjendje…
Njeriu lind plot dije instinkti,
foshnja që ikën nga shtëpia
vrapon në drejtim të errësirës
dhe nuk ka frikë nga nata, pi ujë ku etet,
fle gjumë ku shakulliset e lodhur
dhe pastaj kur e gjejnë, i fusin një shuplakë,
që nxjerr xixa nga sytë.
Bijtë e natyrës iu dorëzuan vdekjes,
për hir të sigurisë së madhe…
Po ne do të jemi bashkë, o shpirt,
sepse ti je magjia ime…
Njeriu i orës së fundit.
Ai ishte njeriu i orës së fundit,
i përjashtuar, megjithatë, dukej sikur
nuk mundnin ta hidhnin në mbetjet…
Brenda tij ishte emëruesi i së përbashkëtës,
i fshehur thellë trupit të tij, frymës së tij
dhe pulsit që gjakonte atë orë aksioni në pritje,
të minutës së fundit, të atij vullneti që përmbys këndin
dhe rrafshon raportin
në finalizim plani…
Ai ishte njeriu i orës së fundit
në emëruesin e vazhdimit…