Press "Enter" to skip to content

Para portës tënde

Teksa qëndroja buzë jetës tënde
testoja dy udhët: vajtje dhe ardhje
dhe përgatisja veten për dy alternativat:
të vazhdoja drejt pafundësisë…
apo kthimin te hiçi emocional,
aty ku s’ka fillim tjetër.
Vëzhgoja tjetrën botë tënden
dhe gatuaja ndjesitë e mia,
që të mos vijnë të papërpunuara.
Para kësaj, shijoja vendmbërritjen,
nuk prisja pranim; e stisja atë,
nuk i shmangesha as refuzimit;
më shkaktonte të dridhura kthimi pas,
ndërkohë që isha veç një hap larg nga përjetësia!
Të pashë,
teksa shtrëngoje emrin tim mes syve të tu,
hidhje vështrimin ngado
dhe buzëqeshe kur ma ndjeve vështrimin,
i cili qëllimisht ndaloi te faqet e tua të njoma.
Ta dallova hijen që herë afrohej e herë largohej…
herë shfaqej e herë fshihej…
Ti ishe pas saj,
një herë e hapje shulin…
e herës tjetër e mbyllje.
Secili nga ne
dashuroi sipas mënyrës së vet,
unë hapëroja dhe buzëqeshja…
ti qëndroje e ndrojtur,
unë nxitoja,
ti ngadalësoje.
Mbërrita para portës tënde, i qetë,
ti qëndroje pas saj gjithë ankth,
nëse do isha fëmijë, do trokisja dhe do ia mbathja vrap,
nëse do isha kalimtar, do trokisja dhe do kërkoja diçka,
nëse do isha mysafir, do trokisja butësisht dhe do përshëndesja,
nëse do isha i poshtër, do trokisja fort dhe do e shkallmoja,
por unë jam fisnik
e një fisnik nuk troket mbi një portë,
vetëm se e di që do t’i hapet,
ai troket nga besimi i palëkundur
për ndjenjat që e presin nga ana tjetër…!

Përktheu: Elmaz  Fida

Të tjera nga ky autor:

error: Content is protected !!