Press "Enter" to skip to content

Gruaja që nuk u përsërit në jetën e Gibran Khalil Gibran

Mary Haskell, edhe pse ishte dhjetë vjet më e madhe, është gruaja që nuk pati një të dytë të ngjashme në jetën e poetit libanez Gibran Khalil Gibran; ajo ishte gruaja që nuk përsëritet, ishte nëna, motra, e dashura, mikesha dhe ashikja e pashoqe.

Në Bostonin e vitit 1904, poeti Gibran prezantohet me Mary Haskell, në studion e fotografit dhe botuesit Fred Holland Day, gjatë ceremonisë së hapjes së ekspozitës së parë të poetit, me piktura me qymyr. Asokohe Gibran ishte 21 vjeç, kurse Mary dhjetë vjet më e madhe.
Që atë ditë, Mary Haskell hapi portat e stimulit moral dhe material për talentin e Gibranit. Asokohe, Mary drejtonte institutin e femrave në Boston, ku dhe i krijoi mundësinë e ekspozimit të veprave të tij. Më pas i sugjeroi të ndiqte studimet në kryeqytetin e kulturës franceze, në Paris, për t’u thelluar në pikturë në akademinë “Julian”. Me kalimin e ditëve, Gibranit i shtohej admirimi për idetë, qëndrimet dhe gjithçka që kishte të bëjë me Mary Haskell.

Në një letër dërguar një mikut të tij, Gibran e përshkruante Maryn me fjalët: “Një engjëll po më udhëzon drejt një të ardhmeje të ndritur dhe po më hap udhën e suksesit intelektual dhe material. Dita kur do deklaroj se jam bërë artist i vërtetë falë Mary Haskell nuk është larg.”.
Kurse në një letër që ia dërgonte mikeshës së tij Mary, i thoshte: “Ti puth duart me qepallat e syve të mi, o nëna e shtrenjtë e zemrës time. Po Mary, ti je nënë, një nënë shumë e dashur.”.

Gibran pa te Mary më shumë sesa një dashamirëse, ai dalloi një shpirt bujar, një grua me dhembshuri të pashoqe dhe të gatshme të zhytej në skutat më të thella të shpirtit të tij për ta kuptuar. Falë bujarisë së saj, ai zbuloi veten si artist, kurse falë dashurisë së saj, ai zbuloi veten si burrë.
Në ditën e Vitit të Ri, ai i shkroi: “Të kam në mendje sot, mikesha ime e dashur, siç nuk kam menduar për askënd tjetër. Ndërsa ti endesh nëpër mendjen time, jeta bëhet më e mirë, më e vlefshme dhe më e bukur. T’i puth duart, e dashur Mary, dhe duke i puthur ato bekoj veten time.”.

Në ditarin e saj, Mary Haskell ka shënuar shumë mesazhe dhe letra që shkëmbeheshin mes saj dhe Gibranit, ku përshkruan çfarë po ndodhte mes tyre. Ajo flet dhe për vendimin e saj për mos u martuar me Gibranin, pavarësisht vazhdimit të marrëdhënies së tyre, dhe arsyen e refuzimit. Ajo shkruan:
“Në ditëlindjen time të tridhjetë e shtatë, Gibrani e kaloi mbrëmjen me mua. Ai më tha se më dashuronte dhe donte të martohej me mua, nëse ishte e mundur. Iu përgjigja se për shkak të moshës sime, kjo gjë është e pamundur, ndërsa ai më tha: “Sa herë orvatem të afrohem më shumë me fjalë, sa herë përpiqem të jem më pranë teje, ti më çon në hapësira të largëta, që nuk i arrij dot”. Unë i thashë: “Dua që miqësia jonë të zgjasë dhe i druhem prishjes së saj nga një lidhje dashurie, që është e destinuar të dështojë”. Pavarësisht këtij vendimi, lidhja jonë jo që nuk pësoi asnjë krisje, por u forcua edhe më shumë. Unë sapo kisha vendosur për përjetësinë e lidhjes sonë emocionale”.

Një muaj nga refuzimi i saj për t’u martuar, Gibrani i shkroi nga Parisi: “Sapo u ktheva nga muzeu. Ti nuk e di sa do doja t’i shihja këto gjëra të bukura me ty. Duhet t’i shohim bashkë një ditë. Më kaplon një ndjenjë e rëndë vetmie kur qëndroj para një vepre arti kaq të bukur… Edhe në parajsë, njeriu duhet të ketë një të dashur për ta shijuar plotësisht… Natën e mirë, e dashur! Puthje duarsh dhe sysh”.

Teksa muajt kalonin, letrat e tij gradualisht filluan të fitojnë atë përzierje të rrallë mes pasionit, nostalgjisë së furishme dhe sinergjisë solide, që buronte nga një lidhje e fortë. Ai i shkruan më 31 tetor 1911: “Letra jote e fundit është një flakë, një diell me krahë, një valë nga ai ishulli i muzikës së çuditshme për të cilën më tregove. A e di se çfarë do të thotë të digjesh e të digjesh dhe të kuptosh se, nëpërmjet kësaj djegieje, ne çlirojmë veten nga çdo gjë përreth? Dhe tani më lër të bërtas me gjithë zërat brenda meje: Të dua…!”.

Me të njëjtin pasion poetik, Mary Haskell i përgjigjet: “Dora ime e dashur, syri im i çmuar, mendimi im i shtrenjtë, zjarri im i ngrohtë, i shtrenjti im që dashuroj. Ti je në zemrën time. Kur kthej shikimin pas, ndjej që kjo gjendje shtrihet gjithë viteve të shkuara. Gjëja e vetme që ka ndryshuar është thellësia jote në zemrën time. Përse krahët e tu nuk janë të gjatë gjashtë orë, që të mbërrijnë deri tek unë në Boston? Kur do të më surprizosh në ëndërr e të ma ëmbëlsosh natën?”.

Më vonë, Mary Haskell ndërroi mendje dhe u martua në vitin 1926 me dikë tjetër, por miqësinë e saj me Gibranin e ruajti. Kur Gibran ndërroi jetë në vitin 1931, Mary Haskell u angazhua që veprat e tij artistike të dërgoheshin në qytetin e lindjes, në Liban.

Përgatiti: Elmaz Fida

Të tjera nga ky autor: