Në Revista Letrare – Vjeshtë 2023 do lexoni dosierin e plotë “Gjerdan i hollë britme”, mbi jetën dhe krijimtarinë e Ilir Belliut, shumë poezi dhe disa proza të shkurtra poetike, përgatitur dhe mbledhur nga shkrimtari dhe miku i tij, Agron Tufa.
“Ilir Belliu (1971–2001) lindi në qytetin e Korçës. Kaloi një fëmijëri dhe rini të vështirë. Nëna e la të vogël dhe u rrit me njerkën. Shtatmesatar, brun, me fokë të qethura shkurt, me syze optike, përtej të cilave të nguleshin dy sy të kaftë me bebëza të bymyera, sikur sapo kishin pikasur tek ti njëfarë zbulimi, ecje gjithnjë e shpejtë, nervoze, a thua se gjithmonë ngutej të arrinte diku. Ku? Kështu e mbaj mend Ilirin, d.mth., zbehtë, pa asgjë të veçantë në dukjen e jashtme. Asgjë për t’u veçuar, përpos një përhënieje… E tërbonin sjelljet e rëndomtësisë njerëzore, mënyra si mendonte gjindja në përgjithësi.
Kishte një natyrë të pavarur edhe si krijues, andaj nuk binte pre e manive pas poetëve të veçantë, nuk krijonte idhuj. Iliri sikur i dorëzohej njëfarë ekstaze dehëse kur përgatitej të shkruante. Përqendrohej, kridhej, kërkonte ethshëm ritmin, lëvizte me ecejake nervoze nëpër dhomë, gjithë si lunatikët (siç kam pas rastin ta shoh disa herë kur bunte tek ne në konvikt), ndërkaq që mërmëriste me vete diç të turbullt, siç ndodh kur turbullohet majëmalesh qielli dhe shpërthen syri i furtunës. Vijonte ecejaket, mërmërimat, kthehej papritur te letra mbi tryezë dhe hidhte një varg, mandej sërish sillej e sillej në atë ecejake nervoze e mërmëritëse, mu si pantera e Rilkes brenda kafazit. Ngjante më shumë me një shaman, se sa me një poet. Dehja, fluturimi pindarik, transi i tij, bëhej për të nxjerrë nga përzierja e ethshme alkimike e fjalës metaforën e duhur si veshje, si petk i përshtatshëm, të cilën gjithmonë e perceptojmë në poezinë tij si materie muzikore. Po, Ilir Belliu nuk shkruante, por kompozonte në frekuenca muzikore fjalësh”. Agron Tufa
Pesë poezi nga Ilir Belliu
Rekuiem për doçkën
e ngrënë të tokës
Zot, na ruaj,
Njerëz të zinj
Peshkojnë braktisje
Në ujërat ulokë të dhimbjes…
E çuditshme,
Çdo gjë feks e vdes,
Brenda lëkurës së vet.
Ç’muzikë, pikë-pikë,
Gjarpërinj lëvrijnë,
E i hanë tokës
Doçkën e dëlirë…
Poezi e errët
Gjarpërinj lëvrijnë
Dhe ty s’të zë gjumi
Në morgun e Fundit…
FUND e krye FUND
Sepse mezi gjendem
Kur tjetër dimension
Gëzoj ligsht e trembem…
Vrap e nuk më puth
Ai që kyç në tru
Të kahershmin kurth!…
Mbylla sytë
Mbylla sytë
E gjumi ndjell gjumin
Në kopshtijen e të vdekurve…
Oh, gjumi është kali
Që ëmbël thërrmohet
Në fushën foshnjarake
Të syve blu të Zotit…
I merr gjumi të mbyturit
Pas vajit të majit
E flenë e s’flatrojnë
Nën pemëzën e zezë
Të ashtit të akullit…
I vjen gjumi tinëz,
Burrit të rëndë të dheut
E tash
Fle i përqafuar ëndërrisht
Me frymën e vet të brishtë…
Triptik
E pashë…
Në një vreshtë dhëmbësh.
Shfarosësin që nxit
Gijotinën e Hënës.
Shfarosësi s’plas,
Shfarosësi s’flet.
Dheut i rëndon
Pupël i lehtë…
Me frymë në rrymë
Si mjegullinë e treti
Vejushën që mëkon
Ca këlyshë tërmeti…
Marshimi i të vdekurve
Marshojnë të vdekurit…
Mbi supe u qëndrojnë
Shqipe të egra
Kanosjesh brengosëse…
Marshojnë…
Dhe i bën me lot
Gjakpirësi yjor…
Marshojnë…
Dhe tym të gjelbër belbëzimi
Ju nxjerrin gojët foshnjore…
Marshojnë…
Dhe toka ulërin
Si kafshë e trembur!
Të tjera nga ky autor:
- Dashuria është – “Çfarë torture do?”
- Rrëshira e zezë
- Fragment nga romani “Ngjizja e papërlyeme”
- Agron TUFA: Boshi i burrave (fragment nga romani “Fabula rasa”)
- Agron TUFA: Poezi
- Agron TUFA: Cikël poetik
- Agron Tufa: Fqinja
- Shkëlqime humaniste mes llumnajës bashkëkohore
- Jug
- Atdheu i çdo letërsie është gjuha në të cilën është shkruar
- “Ngjizja e papërlyeme”, një roman i pashmangshëm
- Vladimir MAJAKOVSKI: Re me pantallona
- Arbër AHMETAJ: “Fabula rasa” – personazhi pa rrëfim
- Ervin NEZHA: “Fabula Rasa” – gjurma më e dallueshme e romanit “eksperimental” shqiptar
- Cikël poetik nga Zbignjev Herbert dhe jetëshkrimi i tij
- Botohet në Zvicër libri i ri me poezi i Agron Tufës
- Agron TUFA: Pesë romanet e një autori
- Smerald