Kyça derën dhe çelësin e futa në xhep,
mbylla dritaret dhe lëshova perdet,
i fshiva pluhurin pasqyrës, tavolinës dhe gjyzlykëve.
Krasita lulet e mbjella në vazo
dhe ndeza një nga ‘Netët e Chopin’.
Hoqa fishën e telefonit;
s’doja të më shqetësonte mikesha ime,
me pyetjen: “Çfarë po bën sonte?”.
Çfarë t’i thosha?
Jam në një takim sekret me veten?
Murmurita: bota nuk është më një vend i sigurt…
Prita takimin me veten pa e bërë qejfin qeder.
Hodha pak verë të kuqe në dy gota,
ndërkohë që mendoja se çfarë do t’i thosha vizitores…
vetes.
M’u kujtua aftësia e saj e veçantë,
për të m’i hequr të gjitha maskat
dhe ndërmenda pyetja e saj ironike: “Që kur s’jemi parë?”.
Unë do i them:
Që kur je ngopur me mua e jam ngopur me ty,
që kur përvetësove imazhin tim dhe përvetësova tëndin.
Ajo do më pyesë: “Atëherë, përse nuk ke harruar të më harrosh?”.
E do t’i përgjigjem: nuk doja që rastësitë të vjedhin
shanset në rrugën time drejt të panjohurës tënde.
Do më thotë: “Asgjë nuk kuptova”,
e do t’ia kthej: as unë. Bota nuk është më një vend i sigurt
dhe dua t’më shpëtosh… Përse u vonove në takim?
Ajo do më pyesë: “Në cilin takim?”.
Do t’i përgjigjem: këtë takim. Mos harrove?
Nuk dëgjoj asnjë përgjigje.
Hedh vështrimin te gota, ama nuk është aty.
Pi gotën time dhe, pasi dehem, them:
Qenkam krejt i vetëm brenda rraqeve të mia.
Fus fishën e telefonit dhe formoj numrin e telefonit të mikes.
Iu përgjërova: të lutem, eja tek unë!
M’u përgjigj: “Nuk mund të dal nga shtëpia,
kam një takim sekret me… veten time!”.
Përktheu: Elmaz Fida
Mahmud Dervish (Mahmoud Darwish) ishte poet dhe autor palestinez. Ai konsiderohet si poeti kombëtar i Palestinës.
Lindi më 13 mars 1941 në al-Birwa, në Galilenë Perëndimore, në Palestinë, në një familje – pronarë tokash. Nëna e tij ishte analfabete, por gjyshi e mësoi të lexonte. Gjatë luftës arabo-izraelite të vitit 1948, fshati i tij u pushtua nga forcat izraelite dhe familja iku në Liban. Fshati i lindjes u shkatërrua plotësisht për të parandaluar kthimin e banorëve në shtëpitë e tyre, ndaj një vit më vonë familja Dervish u vendos në zonën e Akrës, që tashmë ishte pjesë e Izraelit.
Mahmud botoi librin e tij të parë me poezi, “Zogjtë pa krahë”, në moshën 19-vjeçare, pasi i botoi fillimisht poezitë në “Al Jadid”, gazetën periodike letrare, ku u bë edhe redaktor i saj. Ai u largua nga Izraeli në vitin 1970 për të studiuar për një vit në universitetin shtetëror të Moskës në Bashkimin Sovjetik, përpara se të transferohej në Egjipt dhe Liban. Kur ai iu bashkua Organizatës për Çlirimin e Palestinës më 1973-shin, atij iu ndalua hyrja në Izrael.
Dervish u martua dhe divorcua dy herë. Gruaja e tij e parë ishte shkrimtarja Rana Kabbani, ndërsa e dyta, një përkthyese egjiptiane, Hayat Heeni. Ai nuk pati fëmijë. “Rita” e poezive të Dervishit ishte një grua hebreje, të cilën ai e donte kur jetonte në Haifa. Në një intervistë me gazetaren franceze Laure Adler, zbuloi se emri i saj është Tamar Ben-Ami. Marrëdhënia e tyre u bë subjekti i filmit “Shkruaj, unë jam arab”, nga regjisori Ibtisam Mara’ana Menuhin.
Vepra e Dervishit ka fituar çmime të shumta dhe është botuar në 20 gjuhë. Tema qendrore në poezinë e tij është koncepti i atdheut dhe Palestina. Shkrimet e hershme të Mahmudit janë në stilin klasik arab. Ai shkroi poezi monorime, duke iu përmbajtur metrikës së poezisë tradicionale arabe. Në vitet ’70, ai filloi t’u largohej këtyre parime dhe adoptoi një teknikë të “vargut të lirë”, që nuk u përmbahej rreptësisht normave klasike poetike. Shumë nga vargjet e tij frymëzuan kompozitorë të ndryshëm arabë.
Dervish vuante prej kohësh nga zemra. Ai bëri dy operacione, në vitin 1984 dhe 1998, ndërsa ndërhyrja e tretë rezultoi fatale. Vdiq më 9 gusht 2008, në moshën 67-vjeçare, tri ditë pas operacionit në zemër në spitalin Memorial Hermann në Hjuston, Teksas. Para operacionit, ai kishte nënshkruar një dokument, ku kërkonte të mos ringjallej në rast të vdekjes së trurit. Në testament kish kërkuar që të varrosej në Palestinë. Kryebashkiaku i Ramallah, Janet Mikhail, vendosi që Dervishi të varrosej pranë Pallatit të Kulturës në Ramallah, në majën e një kodre me pamje nga Jeruzalemi, ndërsa presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, shpalli tri ditë zie në nder të tij.
Më 5 tetor 2008, Festivali Ndërkombëtar i Letërsisë në Berlin mbajti një lexim përkujtimor për Mahmud Dervish.
Të tjera nga ky autor:
- Mendova se vdiqa…
- Gruaja që nuk u përsërit në jetën e Gibran Khalil Gibran
- Zemërohu!
- A ke ndonjë zgjidhje për hallin tonë?
- Unë jam burrë i vetëm, kurse ti je fis grash
- Jetë në parkim
- Para portës tënde
- Faqe të mbyllura
- I urrej pyetjet (Poezi)
- Dy mikrotregime
- Dëshmoj se nuk ka grua tjetër si ti
- Ku ka dashuri, ka paqe (Cikël poetik)
- Poezi
- Poezi
- Unë jam nëna e të gjithëve
- Tri poezi
- Shtatori
- Nizar Kabani: Poemë e egër
- Nizar KABANI: Bota ma hedh fajin mua
- Nizar KABANI: Të premtova