Press "Enter" to skip to content

“Gjuetari i balonave”, romani i vetëgjyqësisë

Ndёr adhuruesit e letërsisë, që mpleksen zhurmshëm nëpër baret e Tiranës me gjithçka tjetër: politikën, ekonominë, thashethemet rozë apo big bradhërizmat, është përmendur gjithmonë me entuziazëm edhe pritja e mirë që i është bërë një letërsie, si ajo e Khaled Hossein dhe romanit të tij “Gjuetari i balonave”.
Bëhet pyetja: përse ky libër u bë menjëherë i yni?! Mua ma rekomanduan ta lexoja ca miq, andej nga viti 2006, fill më pas, unë ua rekomandova ca të tjerëve. Kjo është metoda e parë e qarkullimit të librit që me lindjen e tij.
Më pas, jehona e reklamës e bëri librin një must që s’duhej humbur. Edhe kjo i përket metodave të mbara për qarkullimin e një libri.
Ngjarjet i takojnë periudhës së ardhjes dhe përmbysjes së talebanëve në Afganistan dhe nëpërmjet një drame familjare e njerëzore kemi rindërtimin e fatit njerëzor, në përgjithësi, me efekt të shumëfishtë, që merr përmasa kombëtare.
Librit i janë bërë vlerësime të shumta, por ajo çka më grishi të shkruaja, është se dua të rrekem t’u përgjigjem disa pyetjeve, si për shembull: pse shqiptarët e përpinë këtë roman, apo pse ky roman na ngjiti kaq shumë?
Arsyet janë të shumta. Së pari është faktori kohë, që duket sikur nuk ndryshon. Edhe pas gati tri dekadash hapjeje ndaj krijimtarisë bashkëkohore, asaj moderne dhe post-moderne, receptuesit shqiptarë sërish rendin drejt teksteve letrare që kanë strukturë klasike. Rrëfimi në romanin “Gjuetari i balonave” është tërësisht klasik. Kemi të bëjmë me një vijë lineare të rrëfyeri dhe ngjarjet ndjekin njëra-tjetrën, duke luajtur gjithmonë me padurimin e fjalisë së fundit, që të kujton pikë për pikë rendjen në romanin klasik.
Personazhet janë reale në rrëfimet e tyre dhe receptuesi nuk duhet të lodhet për të bërë zbërthime të njëpasnjëshme të tij, të të tjerëve, të botës, (tipike për tekstet moderne), por mjaftohet thjesht me një perceptim besnik e të sinqertë, domethënë, me të njëjtin perceptim që ka autori.
Receptuesi qan apo gëzon bashkë me karakteret në roman dhe kjo mbetet përsëri tipar i letërsisë klasike.
Edhe fundi, pak a shumë optimist, e kënaq receptuesin shqiptar, aq sa na bind se shija e këtij receptuesi ka mbetur ende te receptimi i tekstit klasik. Vlen për t’u studiuar ky fenomen, po të mendosh se po jetojmë në periudhën postmoderne të letërsisë.
Lind pyetja: ç’ka ndodhur me letërsinë moderne? Po me atë postmoderne? Përse ende sot ato nuk shijohen e nuk kuptohen nga receptuesi shqiptar?
Ka disa arsye:

  1. Ka ndodhur shfazimi në kohë. Kjo do të thotë se letërsia moderne nuk u lexua në kohën e duhur, domethënë, nuk u lexua kur u shkrua.
  2. Nuk kemi ende kritikë letrare, që duhet t’i paraprijë çdo botimi, dhe kjo përbën një tjetër vështirësi për “hallakatje” në botën e madhe të botimeve me apo pa kriter.
  3. Nuk kemi vijë lineare botimi. Kjo do të thotë që, një shtëpi botuese, përpara se të botojë krijimtarinë filozofike të ekzistencialistëve, bie fjala, boton krijimtarinë letrare të tyre, gjë që e bën më të vështirë interpretimin e receptuesve, pasi, siç dihet, nuk mund të kuptosh letërsinë ekzistencialiste pa njohur më së miri krijimtarinë filozofike të këtyre autorëve. Si pasojë e kësaj kulture botimi, vjen indiferentizmi i receptuesve, shkëputja apo edhe mosnjohja në shijimin apo moderimin e këtyre autorëve.

Këto janë probleme që ndoshta do të donim t’i trajtonim në një shkrim tjetër, por që i shënuam këtu pasi janë arsye të rëndësishme që përcaktojnë pritjen e mirë të këtij romani te lexuesi shqiptar.
Arsyet që përmendëm edhe më sipër janë universale, çka do të thotë se gjithmonë ka disa plane të vetë veprës, që e bëjnë ose jo atë të arrijë suksesin në një zonë të caktuar receptuesish. Megjithatë, këtij libri i dha sukses edhe aktualiteti i subjektit. Receptuesit shqiptarë e njohin historinë e ardhjes së talebanëve në Afganistan si një ngjarje tronditëse të historisë moderne botërore. Kësaj njohjeje i vjen emocionalisht një fiction, i cili ndalet në historinë e dhembshme të një familjeje afgane që, më pas, detyrohet të emigrojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndërkohë, rrëfimi i zgjedhur nga autori është tërësisht klasik, që do të thotë se ka një vijë lineare, me personazhe që rrëfehen nga protagonisti kryesor, i cili të rrëmben pikërisht në çastin që gjykon vetveten. Kjo mënyrë e vetëzbërthimit është goditëse në letërsi, pasi kthehet në një lojë me veten, në një dialog me ndërgjegjen, ku ballë për ballë janë pikërisht ndërgjegjja dhe pandërgjegjja. Është dhe mbetet ky dialogu më i vështirë i njeriut. Është dhe mbetet kjo beteja më e vështirë për t’u fituar. Pikërisht, rrëfyesi ynë, që në mënyrë të natyrshme prezantohet edhe si protagonisti kryesor gjatë historisë së rrëfimit të jetës së tij, arrin të pranojë mëkatet e veta, arrin t’i gjykojë ato, por në luftë me vetveten arrin edhe të gjejë arsyen e reagimeve që ka patur dhe e gjitha kjo vjen si një rrjedhë e natyrshme vetërrëfimi.
E thënë në formë empirike, ky fiction amerikano-afgan, (nëse do ta cilësonim të tillë, për arsye se shkruhet nga një autor afgan, që jeton dhe është bërë pjesë e shoqërisë amerikane) në vetvete ka dy plane kryesore të ngjeshura mes tyre. Së pari, ka planin historik, që mbetet edhe më pak i rëndësishmi për vetë faktin se është thjesht dekor në funksion të fateve të individëve. Dhe së dyti e më kryesori, ka planin e raporteve shpirtërore të karakterit qendror, Amirit, me shokun e vetëm të fëmijërisë, Hasanin, që rezulton të jetë edhe shërbëtori i tij. Shumë kohë më vonë, Amiri do të marrë vesh që fati i tij do të ishte i lidhur përjetësisht me këtë njeri, që është edhe vëllai i tij e që do të mbetej përjetësisht edhe besniku i vetëm i tij. Ngjarjet në vijim tregojnë se Hasani do të kishte një djalë, që do t’i shpëtonte jetën pikërisht Amirit, kohë më vonë, ndërkohë që, ky i fundit, 26 vjet më parë, nuk kishte lëvizur as gishtin për ta shpëtuar nga dhunimi dhe përbuzja Hasanin.
Ka dy drama morale në gjithë këtë fiction. I ndërtuar në një botë arabe, vetë realiteti nuk del nga këto korniza. Baba ka një djalë jashtë martese, që nuk guxon ta deklarojë, por me të cilin është shpirtërisht tepër i lidhur. Ky është Hasani, që së bashku me Aliun, atin e tij “të dukshëm”, shërbejnë pranë familjes së Babës. Ndërkohë, Baba ka edhe një djalë, rrëfyesin tonë, Amirin, që kurrë nuk e gjeti arsyen e përkushtimit të të atit ndaj Hasanit. Asnjëherë nuk e kuptoi përse i ati nuk e veçonte Hasanin, që megjithatë mbetet gjithmonë në rangun e shërbëtorit, të të injoruarit apo të keqtrajtuarit nga shoqëria. Ai mbetet bastardi i pashpresë, i pafat, që jeton një jetë të destinuar për të vuajtur.
Edhe atëherë kur duket sikur për Hasanin gjërat ndryshojnë, përmbysen për keq, edhe atëherë kur duket sikur për fëmijën e tij do të vijë më në fund fati i bardhë, ai shembet përsëri. Edhe atëherë kur balonat do të ngrihen përfundimisht lart, nuk do të ketë zë të thërrasë në këtë gëzim, pasi djali i Hasanit, Sohrabi, mbetet pa zë, si vetë mëkati i heshtur i gjyshit të tij. Destini i një mëkati që nuk u pranua kurrë, ka ecurinë e një fatkeqësie, për aq kohë sa mbetet i fshehtë. Ky është një ndër mesazhet e romanit. Baba bën një mëkat dhe për ta fshehur nuk e pranon si fëmijën e tij legjitim Hasanin, jeta e të cilit shtyhet nga fatkeqësia në fatkeqësi. Djali i tij i ligjshëm, Amiri, sheh para syve si i përdhunojnë shokun (Hasanin) dhe nuk tregon, nuk denoncon, por, përkundrazi, vazhdon ta poshtërojë duke ndier një kënaqësi të vetëdijshme dhe e gjitha kjo ndodh thjesht për të marrë më shumë dashuri nga i ati, që shpesh e përçmon.
Drama njerëzore në roman të dhemb. Një moral shterpë që sjell fatkeqësi pas fatkeqësish dhe nuk bën asnjë të lumtur. Edhe atëherë kur mbërrin në botën e ndjenjave të sinqerta e mbetesh memec. Kjo është historia njerëzore e një familjeje afgane me emra aq të përdorur në shoqërinë shqiptare, si: Ali, Hasan, Amir, Arif, etj.
Kjo është edhe drama e romanit “Gjuetari i balonave”, roman që do të vazhdojë të lexohet gjatë edhe për shumë kohë nga lexuesit tanë, derisa balonat e çlirimit shpirtëror të ngrihen lart. Por për këtë, kam frikë se do të duhet të presim edhe ca kohë.

Të tjera nga ky autor:

error: Content is protected !!