Ka shumë forma për të më hequr qafe…
si djegia, për shembull.
Por ti mos e përdor këtë metodë,
sepse, nëse nuk të neveritet kundërmimi,
do të përcëllohesh nga flakët.
As plumbat, thikat, hekurishtet
apo shtypja me makinë,
nuk janë mënyra të përshtatshme.
Unë të njoh mirë,
nuk e përballon dot të shohësh gjak,
do të bjerë të fikët
dhe nuk do ta fshish dot atë imazh nga mendja.
Do ta kesh pothuaj të pamundur
ta fshehësh skenën e krimit.
Ti i ke fobi edhe lartësitë,
do të humbisje ekuilibrin nga paniku,
para se të ndërmarrësh aktin e fundit
e të më shtysh nga tarraca.
Mbase, ideja e helmimit duket e përshtatshme,
por inati yt është aq i madh,
sa që nuk mund të shuhet nga një vdekje,
që ngjason me një aksident.
Është një vdekje që nuk ta shuan inatin.
Le ta pleqërojmë këtë punë
dhe të pajtohemi për një mënyrë më të përshtatshme,
më të sigurt për të dy,
një mënyrë që do të të qetësojë
e do ta kryejë me sukses punën,
e, padyshim, do të jetë e përshtatshme
dhe për mua.
Mesa shoh, na ka mbetur veçse një mënyrë
dhe ajo është të më mbysësh me duart e tua.
Mund ta bësh krejt lehtësisht:
do të mbërthehesh pas meje,
do m’të dihatësh frymën në frymë,
sytë do t’zgurdullohen kur të shohin të mitë
dhe me të dyja duart do më mbërthesh prej fyti.
Mu në ato çaste të pavdekshme,
do kafshosh buzën nga inati,
teksa tiparet e fitores të vizatohen në fytyrë.
Më beso, as që do ta çoj ndërmend arratinë,
nuk do ta shmang as vështrimin thellë syve të tu.
Nuk mundem ta refuzoj një vdekje të tillë,
është një fund, të cilit nuk i rezistoj dot.
Përktheu: Elmaz Fida