Press "Enter" to skip to content

Kjo është ajo stinë (Poezi)

Shfletoj netët

Shfletoj netët si fletët e një libri,
ku pres të shfaqen fotot e ëndrrave me ty,
një libri me fjalë në formë yjesh, me pasthirrmën
e kafshuar të hënës në titull.

Shfletoj netët dhe simetrinë e verbër
të mungesës tënde me ngjyrë sysh,
të heshtjes së gjatë që mjegulla shkruan
mbi qelqe, tani që koha ftohu, tani që shirat
fshijnë gishta fëmijësh
nga ana tjetër e botës.

Gjumi im shkruan letra që unë i ruaj kujdesshëm,
poshtë jastëkut që duhej të të mbante kokën,
bri frymës sime që gdhend profilin tënd,
mbi shkëmbin e duarve të mia të ftohta…

Kjo është ajo stinë…

Kjo është ajo stinë e yjeve që bien
në oborre zemrash, mbi pjergulla fryme

Gushti iku nëpër plasat e hijeve
si një gisht në sy që helmon ngjyrat
me frikën e verbër të së verdhës

U derdhën heshtjet ndër zabele të zbehur
ndër boka zogjtë po flasin për shiun
me këngë shtegtarësh që e dinë se të ikësh
është veç gjysma e imët e rrugës; s’ka qiell

për atë që i ka mbyllur sytë

Kjo është ajo stinë e yjeve që bien
si duart pas përqafimit…

Nature morte

Çfarë trishtimi është muzgu,
sytë e mbyllur të mbrëmjes,
zëri yt si një re e ikur larg,
horizonti i fikur,
rënia e zogjve prej qiellit drejt e në foletë e heshtjes,
në pëllëmbët e padukshme të kripës
mbi brigje.

Era shkruan me breil lëkura fëmijësh,
dita zhvesh këmishën e përdiellur të pritjes:
ti s’je këtu tani dhe kjo është më e trishtë
sesa ta dish se shpejt

do të vijë vjeshta, do të nisin shirat,
rrugët do t’i krehin flokët e hirtë me stuhi,
lulet do të bien nga pemët drejt e në sy
kujtimesh,
ëmbëlsisht Hëna do të ikë përsëri,
si britm’ e lamtumirës që lëshojnë fëmijët
nga karroca e fundit e cirkut,

në muzg
është kaq vështirë të jesh pa ty…

(Shkëputur nga Revista Letrare – Dimër, 2021. E gjeni në Amazon)

Të tjera nga ky autor: