Press "Enter" to skip to content

Testamenti i Frederik Rreshpjes

Frederik Rreshpja është si një rrugicë e vjetër, që të gjithë e njohin mirë e që nga lagjet e varfra të çon në qendër të qytetit, në “pjacë”, ku bota kuvendon për filozofinë, dashurinë dhe harrimin. “Rrugica” e tij është nga ato që urbanizimi i poezisë shqipe nuk i ka prishur dot, sepse, kur ecën në të, dëgjon hapat në kalldrëm dhe zhurmën e lumit përtej, e bukuria arkaike e saj zbut edhe zemrat e ngrira.

Rreshpja nuk u mërzit kurrë me vargjet, sepse të paktën poezia ishte i vetmi “biznes” i tij, që i rezistoi kohës dhe kur e lexon, të duket sikur pas shpine ia ndjen qeshjet tek tallet me të shkuarën dhe vuajtjet, me madhështinë e një luftëtari të lodhur në një fushë beteje, ku gjithkush tjetër është shtrirë i vetëvrarë nga hipokrizia e vet.

Varrosur e tretur që prej 17 vjetësh, si sot, është veç trupi i tij, që, si gjithçka fizike, nuk diti ta mbante mirë.

RL


Testament

Që fëmijë e kam kuptuar se kisha lindur
i mallkuar me art.
Gjërat i shihja ndryshe:
Nëpër shirat e vdekur peshqit fluturonin drejt
Çerdheve, te yjet. Në vend të borës binin zogj
në çdo dru.
Era si ketër brente degët.
Qante mbi mua nëna, Shënmëria ime. Ave nëna ime!
Mos e pastë njeri këtë fat!
Kam dashuruar një Afërditë në Olimpin
e trëndafilave.
Pastaj erdhe ti tërë ikje.
Më vonë vije vetëm nëpër ëndrra, si perënditë ilire.
Kështu iku edhe rinia, filigrami i djalërisë,
i mallkuar me art.
Mos e pastë njeri këtë fat!
Tani që po vdes ëndërroj vetëm një kryq te koka
dhe të harrohem se nuk dua që edhe pas vdekjes
të më ndjekë mallkimi i artit.
Mos e pastë njeri këtë fat!
Po kur të vdes portreti im ka për t‘u shfaqur nëpër gjethe,
se unë kam patur miqësi me çdo dru.
Në stinën kur bien gjethet
do të bien edhe sytë e mi.
Tani e tutje shirat do jenë lotët e mi.
Mos e pastë njeri këtë fat!

Të tjera nga ky autor:

error: Content is protected !!