Trofe Plagë / Ëndërr
Të mundesha të shndërrohesha
në dhe rërë gur
nën terrin e ndriçuar
të përgjegjësisë
të mundesha të bëhesha
fryt i ëmbël
në hijen e atij ulliri
Por, jam
vragë e pashmangshme
jetoj brenda rropullive të tua
krejt i vetëm
duke kaluar
-nëntë muaj e tre stinë –
përmes plagës
së zemrës sate
ndërmjet kolonave të errëta
të të vdekurve të tu të dashur
diçka nga zjarri yt
hyn me dhunë
në gjumin tim arkaik
më jep një shkak,
diçka, që të jetoj
kërkon mrekullinë
por jam fillim i përcaktuar
s’mundem të lëshoj fryt
vetëm
një ndriçim i zbehtë
mbi cipën
e buzëve të tua
ruan zërin tim
end vragën e thellë
në flokët e mi
lakra të egra, hithra,
pëlhurë pranvere të largët
freski e brendshme
ëndrra të nëndheshme
duan të ekzistojnë
bashkë/dhe larg
Trofeu i nënës
E dua
kur më puth në qafë
dhe më thotë që gjithçka do të shkojë mirë
e dua kur më merr mbi supe
që të përshkojmë detin me not
më shumë ama e dua,
kur përgjon rreziku
dhe përpiqet të më përgjumë me pështymat e saj
kur na arrestojnë
dhe ajo fut dhëmbët e qenit në qafën time
duke më dhuruar një lloj përjetësie të rreme
(E ka origjinën nga jugu – u vizatua në rrugë /
vdes vazhdimisht më parë se unë / zëri i saj më mbërrin
në vesh, si fishkëllima e një princeshe të palindur)
Luftë / Athinë
Kjo luftë ndodhi
në terrin e frigoriferit
mungesa e ushqimeve shtohej
kapërceu nevojën e saj dhe ngriu
nuk zotëroje vetveten
nuk zotëroja mungesën time
në thellësi, një domate e braktisur
gjysmë e kalbur me rropullitë
e përhapura në buzë të turbullirës
jepte ndjesinë e përfundimit të luftës
një shi i kuq natën si kamzhik
Danub / Holy Wars
Më kujtohet si u prisnin duart
u prisnin këmbët
u vulosnin plagët
me lule të egra fushe
si u shkulnin sytë
që të mos shihte i vdekuri barbarizmin,
qetësinë e zotave që mblidhnin shpirtrat
si u mbyllnin shpellat e syve
me dyllë letrash dashurie
të padorëzuara
si u lexonin urime të vjetra marksiste
si i stivosnin në pianot e vjetruara
të ushtrisë
dhe i hidhnin në lum sipas drejtimit
të erës
Im atë duhej të udhëtonte natën
pas procedurave të domosdoshme
e ngjyen me vaj, e shoqëruan
duke lënë mbi të një tufë xixëllonjash
Për shekuj zbret Danubin i vdekur
me një luftë që i vlon ende
mes rropullive
në numrin njëjës
Përktheu: Eleana Zhako
(Shkëputur nga libri “Kënd lojërash”, Botimet Kihli, Greqi)
Të tjera nga ky autor:
- Tri tregime të shkurtra
- Eleana ZHAKO: Kaktus
- Eleana ZHAKO: Poezi
- Televizori
- Krishtlindje 1948
- Derisa viktima të bëhet e jona
- Balta (fragment)
- Janis RICOS: Fjalë mishtore – Erotika
- Ahileas KIRIAKIDHIS: Në radë¹
- Zirana ZATELI: Epsh ndër tëmtha (fragment)
- Miltos SAHTURIS: Tri poezi
- Dimitris DIMITRIADIS: Apokalipsi i Kasandrës (fragment)
- Janis RICOS: Histori erotike
- Kiki DIMOULA: Mbi kufoma
- Koha kalon përmes syve të saj
- Nikos KAZANTZAKIS: Asketika (fragment)
- Kiki DIMOULA: Përpikëri
- Maria PATAKIA: Cikël poetik
- Yannis TZANETAKIS: Cikël poetik
- Takis SINOPULOS: Kënga e këngëve