Press "Enter" to skip to content

Gjurma e “këpucës së aktorit” në letërsinë tonë

“Këpuca e aktorit” roman, Visar Zhiti, “Onufri”, Tiranë 2022

Më shumë se për një shekull rrëfim, me dije të thella, ndjeshmëri të lartë e halucinacione të përndezura, ky libër mjeshtëror i Visar Zhitit sjell për lexuesin të kaluarën dhe të sotmen, duke rindërtuar përmes lojës, teatrit, vënies e heqjes së maskave, një rrëfim të plotë, ironik, aty-këtu me detaje të imta e herë tjetër me imazhe nga larg, si pamje të marra prej satelitëve. Me stilin tashmë të konsoliduar, të tipit Céline, rrëfimit shumë zanor e përmasor, të brendshëm e të jashtëm, Visar Zhiti, pas monumenteve në prozë “Rrugët e ferrit” dhe “Ferri i çarë”, e shumë veprave të tjera në prozë e poezi, vjen me këtë libër për të vendosur emrin e tij si romancier në një lartësi shumë të lakmueshme në letrat shqipe.
Rrëfimi në roman, ani pse i ndarë si në akte, që ndjekin kronologjikisht njëri-tjetrin, në fakt nuk kufizojnë asgjë, asnjë zbritje, kthim mbrapa apo parabola e rrëfime distopike, të cilat konfirmohen me pashpirtësi në kapitujt e ardhshëm.
Ëndrra e gjyshit për t’u bërë aktor, edhe pse në realitet bëhet, mbetet e gjymtë për shkak të kohës, urgjencave të saj e, për më tepër, për shkak të vrasjes së tij. I shituar prej ëndrrës së të atit, Hektori, personazhi kryesor, arrin të diplomohet e të shkëlqejë. Po me çfarë drite, me çfarë çmimi? Këqyrur prej larg, personazhi i ka të gjitha: hijeshinë, talentin, prejardhjen, vullnetin, shkollimin dhe inteligjencën. Ai do të duhej të bënte mrekullira për atdheun, me lojën e tij ta bënte të paktën për të qeshur. Por ai është një gaztor me pagesë; lojën – atë lojë që ua ngriu gazin në buzë personazheve të librit – e luan dikush tjetër.
Hektori ka epërsinë se mbijetoi gjallë, anipse me ecje të penguar; – ecjevjedhur – a nuk është tronditëse kjo fjalë? Mbijetesës së tij ia di për nder edhe autori, pasi ajo siguroi rrëfimin për këtë roman. Hektori rrëfen si përrua i tërbuar, me një mijë zëra, secili më tragjik, më i thellë, ironik herë-herë, cinik, i lig, i egër, i rrëzuar, i pashpresë, i ringjallur prej dashurisë, prej shpresës, i rrëzuar prapë, me dy këmbët në një këpucë, me trastën e maskave me vete. Në lojë, në teatër, duke e luajtur lojën, duke ia luajtur lojën, duke e humbur ngadalë aftësinë për të shquar fytyrën e vet të vërtetë, prej numrit të pafund të maskave që i duhet të përdorë, që sheh se si i përdorin të tjerët, që nuk janë aktorë, për që u duhen për mbijetesë, për të arritur atje ku duan. Rrallë në letërsinë shqipe, në mos qoftë libri i vetëm, ku përmes një sage familjare të romanizuar sillet krejt atdheu i sapodalë prej Perandorisë Osmane, luftërave ballkanike, humbjeve të përgjakshme të copëtimit të tokës sonë, luftërave botërore, që nuk sollën lirinë, por, tragjikisht, një robëri të pashembullt e mizore. Përmenden në roman sarajet e stërgjyshit, diku pranë Tomorit, udhëtarët, ushtarët italianë, grekë, gjermanë që kalojnë aty. Edhe flaka që i rrafshoi, përmendet. Pas njëzet e tetë nëntorit të 1944, apo pas datës njëzet e nëntë? Se kjo është çështja! Se ka njerëz që “djegin veten për Shqipërinë, politikanët djegin Shqipërinë për veten e tyre. Kaq!”.
Nga ana e shkrimit, tekstit, s’duhet harruar se bëhet fjalë për një romancier poet, për një poet të jashtëzakonshëm. Do kisha dashur të sillja qindra shembuj nga mrekullia e shkrimit, nga loja me fjalët, nga nëntekstet e pamëshirshme, herë të lexueshme lehtësisht, herë të fshehura pas një pezmi të lehtë, por po me aq rezonancë e forcë. Sa për të ilustruar romancierin poet: “Ngjan me një pikturë kubiste, vizatuar nga një fëmijë në spital; …lulëkuqe si plagë skllevërish; ç’shkresë do shkrehësh shkrepshëm shkrepave; po rrija ashtu… i pikëlluar që nga fëminia”. Mund të nënvizohen qindra citate e mençuri, të sjella me figuracion e origjinalitet.
E nëse Hektori sillet në skenë, (apo atdheu?) ka dhjetëra e dhjetëra personazhe, që sjellin për lexuesit një pasuri të pabesueshme tipash e karakteresh, nga të gjitha skajet e vendit, prej të gjitha shtresave, nga Enver Hoxha, para bustit të të cilit Hektori lutet: “Më shpëto që mos të më shqyejnë këta, …me dhëmbët e tu” e deri te Mërkoshi në Dumre të Shpatit, nga Odisea Elitis, poeti nobelist grek me nënë arvanitase, e deri tek opinionistët e tranzicionit: Frrok Nano, Albert Çupi, Mustafa Rakipi etj., nga shenjtorja Terezë e deri te Çaçua, nga Lejlaja, një jevgë e bukur e kohëve të arta të fëmijërisë, te kukulla Barbi, Atjoni, Marini, Irisi, Erika… e kështu rrëfimi kalon prej notave të zymta e të dhimbshme në ato me dritë, me shpresë, me dashuri e me art, me art mbi të gjitha. Me teatër…! Me dy aktorë të talentuar shqiptarë, Irisin e Marinin, njëri nga Shqipëria e tjetri nga Kosova, që japin shfaqje nëpër botë, me të atin që jep shfaqje duke përdorur si skenë një kovë ekskavatori, pikërisht atë që ka rrëzuar teatrin. “Çdo vend ka teatrin që meriton”, thuhet diku në libër, në këtë libër ku gjenden të mëshiruara në personazhe e situata jetësore, kodet më të vjetra etike të religjioneve e qytetërimeve të mëdha.
Letërsia shqipe e meriton këtë roman.
Visar Zhiti ka nënshkruar kryeveprën e tij të deritanishme.

Të tjera nga ky autor:

Arbër Ahmetaj

Arbër Ahmetaj lindi në Tropojë në vitin 1965. Është diplomuar për farmaci në universitetin e Tiranës dhe atë të Gjenevës. Në vitin 1986 filloi bashkëpunimin me shtypin shqiptar të asaj kohe dhe më pas punoi si gazetar në departamentin e informacionit në TVSH. Në vitin 1993 iu bashkua Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe u specializua për diplomaci në Oksford, Uashington, Gjenevë dhe Maltë. Pas detyrave të ndryshme në këtë ministri u emërua Sekretar i Parë në Ambasadën Shqiptare në Bukuresht. Nga shtatori i vitit 1997 jeton në Sion të Zvicrës, ku ushtron punën si farmacist. Disa nga veprat e tij në prozë janë "Fletëhyrje për në varr", "Varri i braktisur", "I huaji, ai kosovari", "Një natë te Luiza", "69 gra", "Procesi 3K", si dhe librat me poezi "Më mori malli e dashur" dhe "Poezi". Nga viti 2020 është Kryeredaktor i Revistës Letrare.