∗∗∗
I urrej pyetjet,
i shmang sa mundem…
Kur më lind ideja për të shtruar një pyetje,
e kthej majtas e djathtas,
ia heq shenjën e pikëpyetjes,
i fshij një fjalë dhe i shtoj një tjetër
dhe e shndërroj në fjali të rregullt,
ndonjëherë pa pikë kuptimi.
E rëndësishme është të mos jetë pyetje
dhe më surprizuesja është se
pres përgjigjen.
Ah, sa do doja ta njihja veten nëpërmjet perceptimit tënd.
Sa dëshirë kam ta shoh fytyrën time vezulluese brenda syve të tu.
Sa etje kam t’i shoh buzët e tua të pëshpëritin
fjalë që më gjallërojnë teksa i dëgjoj…
Por unë, mbi të gjitha,
nuk do të të pyes: mos të shkova ndërmend sonte?
As nuk do të t’them: a nuk ke vend tjetër,
përveç mendjes time, për t’u strehuar?
Përkundrazi, do të t’them:
Ti, në një mënyrë a në një tjetër,
ia shton trurit tim dozën e zgjuarsisë, mbi normën e zakonshme.
Nuk do të t’pyes: a të mungoj?
Por, do të t’them: më mungon.
Nuk do të t’pyes: a më dashuron?
Por do të t’them: Të dashuroj.
Dhe pastaj do të pres.
∗∗∗
Do të kthehem,
sepse nuk po orvatem të mungoj
dhe as që e kam ndërmend të dorëzohem.
Do të kthehem,
sepse nuk u bëj bisht premtimeve që bëj
dhe nuk e kam zakon arratinë në çaste të vështira.
Do të kthehem,
që t’i palos ditët e mia të hapërdara
e t’i jetoj nga e para.
Do të kthehem,
sepse ti e dëshiron dhe unë nuk e kam problem.
Do të kthehem për shumë arsye:
malli nuk është një prej tyre.
∗∗∗
U rrita dhe zbulova që avionët,
sado lart të fluturojnë,
mbeten larg qiellit.
Zbulova që fjalët,
sado sinonime të kenë,
nuk përngjajnë me përvojën.
Zbulova që e qara
nuk është strehë e të dobëtit,
madje kërkon shumë forcë.
Zbulova që bota nuk e ka ndryshuar realitetin e vet,
nuk ka ndryshuar fytyrë
dhe nuk e ka hequr maskën.
Në fakt, unë i keqkuptoja.
Përktheu: Elmaz Fida
Të tjera nga ky autor:
- Fund i parezistueshëm
- Zemërohu!
- Takime sekrete
- Faqe të mbyllura
- Dy mikrotregime
- Dëshmoj se nuk ka grua tjetër si ti
- Ku ka dashuri, ka paqe (Cikël poetik)
- Poezi
- Poezi
- Unë jam nëna e të gjithëve
- Tri poezi
- Shtatori
- Nizar Kabani: Poemë e egër
- Nizar KABANI: Bota ma hedh fajin mua
- Nizar KABANI: Të premtova
- Nizar KABANI: Mes një dashurie dhe një tjetre
- Nizar KABAN: Kaposhi delenxhi