Press "Enter" to skip to content

Cikël poetik

***

seksi kërkon pranimin e të dyve
nëse njëri s’bën asgjë e rri veç shtrirë
sepse akoma s’është gati
nuk është në qejf
a thjesht nuk do
tjetri bën seks veç me trupin
kjo nuk është dashuri
por përdhunim

***

më thua të hesht
se mendimet ma heqin bukurinë
por zjarri brenda meje
nuk është ndezur që të fiket
fjalët e mia të ëmbla
nuk më bëjnë të gëlltit lehtësisht
u krijova e rëndë
gjysma teh e tjetra mëndafsh
që nuk harrohet lehtë
e që mendja lodhet ta ndjekë

***

sa i ngjan sat’ ëme
ndoshta se kam ëmbëlsinë e saj
të dyja sytë i keni njësoj
sepse lodhjen e kemi njëjtë
po duart
të dyja me gishtat plasaritur
por inatin që jot’ ëmë nuk e ka
drejt
kjo është e vetmja gjë
që kam nga im atë

(Homazh për “Trashëgimi” e Warsan Shire)

***

Baba. Gjithnjë më telefonon pa thënë asgjë të veçantë. Më pyet se ç’po bëj a ku jam dhe kur heshtja shtriqet si një jetë e tërë mes nesh, përpiqem të gjej pyetje të vazhdoj bisedën. Dëshiroj aq shumë të them se e kuptoj që kjo botë të ka thyer e këmbët t’i ka lodhur. Nuk të vë faj që nuk di si të jesh i butë me mua. Nganjëherë rri zgjuar e mendoj për gjithkund që të dhëmb e nuk do as t’i përmendësh. Edhe unë vij nga i njëjti gjak plot lëngim. Nga i njëjti asht, aq i dëshpëruar për vëmendje, sa më shemb mbi vete. Jam jot’ bijë. E di, bisedat tona të rastësishme janë e vetmja mënyrë që ti di të më thuash se më do, sepse është e vetmja mënyrë që unë di të të them se të dua.

***

Problemi me një prind
të alkoolizuar
është se një prind i alkoolizuar
nuk ekziston
sepse
një i alkoolizuar
nuk rri dot esëll
aq sa të rrisë fëmijët

***

dashuria do vijë
dhe kur të arrijë
do të të përqafojë
do të të thërrasë në emër
dhe ti do shkrish
nganjëherë
do të të lëndojë
padashur
nuk do luajë
sepse e di që jeta
ka qenë e vështirë para saj

***

dua dikë
që di ç’është mundimi
ashtu si unë
dikë
që të m’i mbajë këmbët në prehër
në ditët kur nuk ngrihem dot
një njeri që jep
atë që më mungon
para se ta di se më duhet
një të dashur që më dëgjon
edhe kur nuk flas
këtë lloj mirëkuptimi
kërkoj

– ky është i dashuri që dua

***

ai veç pëshpërit të dua
e rrëshqet duart
brenda rripit
të pantallonave të tua
këtu duhet
të kuptosh ndryshimin
mes dua dhe më duhet
mund ta duash atë djalë
por sigurisht
nuk të duhet

***

mos mendon se jam një qytet
i madh sa për ikje fundjave
jam fshati që e rrethon
e që nuk e ke dëgjuar kurrë
por që gjithnjë i kalon përmes
nuk ka neone këtu
as gradaçela e statuja
por ka rrufe
sepse i bëj urat të dridhen
nuk jam ushqim rruge
por reçel shtëpie
i trashë e më i ëmbli
që buzët do të të prekin
nuk jam sirenë policie
jam shkëndija në vatër
mund të të djegë, por ti prapë
nuk m’i heq dot sytë
sepse jam aq e bukur kur ndrijë
ti skuqesh
nuk jam dhomë hoteli jam shtëpi
s’jam as uiski që ti do
por uji që të duhet
mos eja me shpresë
se do të bash pushime tek unë

***

nëse ai
nuk rri dot
pa përçmuar gra të tjera
kur këto nuk e shohin
nëse gjuha e tij
është helm
mund të të mbajë
ëmbël në prehër
mjaltë
mund të të ushqejë ëmbëlsi
e të të lajë me ujë trëndafili
por e gjithë kjo
nuk e bën të ëmbël
– nëse do ta njohësh se ç’burrë është

Përktheu nga anglishtja Dritan Kiçi

Të tjera nga ky autor:

error: Content is protected !!