Kur erdhëm për herë të parë familjarisht në Greqi, rrinim bashkë me punëtorë të tjerë tokash nga Shqipëria, në ca dhoma pa kuzhinë e pa banja. Ishte vendi ku pronari i tim eti, depozitonte veglat e tij bujqësore. Banjat qenë jashtë, të bëra shkel e shko dhe pa dushe. Që të laheshim, ngrohnim ujë në sobë ose në bombël gazi. Në çdo dhomë gjumi ku kishte bombël gazi, ndodheshin dy tenxhere e dy tiganë për nevojat e gatimit. Qemë familja e vetme atje. Pronari e njihte babain tim prej dy vjetësh. E kishte caktuar si shofer e mekanik, por pa e paguar kushedi sa më tepër nga punëtorët e tjerë. Nëpër dhoma, nuk kishte televizor. Gruaja e pronarit, zonja Vasilika, kishte simpati për mua dhe motrën, që ishim fëmijët e vetëm të punëtorëve. Na ftonte shpesh në shtëpinë e saj, fillimisht gjithë familjen, ku shikonim televizor, na gostiste me ëmbëlsira, pije freskuese dhe na mësonte greqisht.
Në fillim, shkonim njëherë ose dy herë në javë. Më vonë, zonja Vasilika e mori më me zjarr dhe i tha tim eti të shkonim në shtëpinë e tyre çdo mbasdite që të shihnim televizor dhe të na mësonte greqisht sa më shumë të qe e mundur, derisa të hapeshin shkollat. I shoqi, pronari, nuk ishte aq entuziast me idenë, por nuk shprehu ndonjë kundërshtim. Na uronte gjithmonë mirëseardhjen, duke ndjekur lajmet dhe duke sharë, sa herë që dëgjonte ose lexonte fjalën PASOK¹. Ndonëse bashkë me motrën na vinte shumë turp, shkonim sepse na pëlqente të shikonim televizor. Natyrisht, na pëlqenin edhe ëmbëlsirat e zonjës Vasilika. Për më tepër, shtëpia e tyre ngjante si pallat, në krahasim me dhomat ku jetonim familjarisht. Një pasdite, vajtëm në orën e caktuar. Trokitëm, por nuk na e hapi kush. Dera qe gjysmë e hapur. Hymë brenda me ngurrim, duke thërritur emrin e zonjës Vasilikë. Asnjë përgjigje. Nga brenda, dëgjohej televizori. Menduam se do qe në banjë dhe u ulëm në vendet tona të zakonshme, duke ndryshuar kanalet e televizorit. S’u shfaq askush për njëfarë kohe. Fillimisht na erdhi turp të hynim brenda dhe të uleshim pa na thënë kush. Më pas, na erdhi turp të iknim. Mos na shihte dikush duke dalë. “Do të mendojnë që erdhëm për të vjedhur”, i thashë sime motre, kur më kërkoi ngultazi të iknim. Kështu, vendosëm të uleshim, derisa të kthehej znj. Vasilika. Për fatin tonë të keq, i shoqi, pronari, u kthye i pari në shtëpi nga kafeneja, ku ndoshta e kish dëgjuar shumë herë fjalën PASOK. Sapo na pa, hodhi një vështrim rreth e rrotull dhe filloi të thërriste Vasilikën. Na pyeti ku ishte dhe kur me greqishten tonë të çalë, iu përgjigjëm që nuk e dinim, filloi të na shante më keq nga ç’shante PASOK-un. Pothuajse na nxori me shqelma. Nuk shkuam te shtëpia e tyre për muaj të tërë dhe, kur i ndeshnim rrugës, unë bëja sikur merresha me diçka, ndërsa motra fshihej pas dikujt. Por, as ai s’na jepte më rëndësi. Një ditë, pas lutjes së zonjës Vasilika, na ftuan në “armëpushim”. Ndjenim frikë e turp, por, fatmirësisht, shkuam me prindërit tanë. Motra u fsheh pas babit. Me kalimin e kohës, më shumë na vinte turp sesa frikë. Që nga ajo ditë, shkuam dy herë të tjera, për hatër të zonjës Vasilika. Pas gjashtë muajsh, babi solli televizorin që kishim në Shqipëri, të cilën e kish sjellë dikur nga Greqia. Tashmë nuk shkonim më në shtëpinë e pronarit. Ndërkaq, zonja Vasilika vazhdonte të na jepte ëmbëlsira dhe lekë, sa herë që na shihte në rrugë. Deklaronte se qe shumë krenare për ne dhe na quante “fëmijët e vet”.
¹ Partia Socialiste Greke, themeluar nga Andreas Papandreu
Përktheu nga greqishtja: Eleana Zhako
(Nga libri “Të gjitha macet janë të bukura”, Elson Zguri)
Elson Zguri lindi në Belsh të Elbasanit. Bashkë me familjen, emigroi në Greqi në moshë të vogël. Ka shkruar disa tregime në gjuhën greke, të cilat janë botuar në vëllime të përbashkëta autorësh grekë. Libri “Të gjitha macet janë të bukura”, është libri i tij i parë në greqisht, i cili është ribotuar disa herë. Gjithashtu, ka përthyer në gjuhën greke librin e Rudi Erëbarës, “Epika e yjeve të mëngjesit”.
Të tjera nga ky autor:
- Tri tregime të shkurtra
- Eleana ZHAKO: Kaktus
- Eleana ZHAKO: Poezi
- Trofe – Plagë – Ëndërr (Cikël poetik)
- Krishtlindje 1948
- Derisa viktima të bëhet e jona
- Balta (fragment)
- Janis RICOS: Fjalë mishtore – Erotika
- Ahileas KIRIAKIDHIS: Në radë¹
- Zirana ZATELI: Epsh ndër tëmtha (fragment)
- Miltos SAHTURIS: Tri poezi
- Dimitris DIMITRIADIS: Apokalipsi i Kasandrës (fragment)
- Janis RICOS: Histori erotike
- Kiki DIMOULA: Mbi kufoma
- Koha kalon përmes syve të saj
- Nikos KAZANTZAKIS: Asketika (fragment)
- Kiki DIMOULA: Përpikëri
- Maria PATAKIA: Cikël poetik
- Yannis TZANETAKIS: Cikël poetik
- Takis SINOPULOS: Kënga e këngëve