Shënime mbi romanin “Kohë dashurish të harruara”, Ardian Cerga, “Albas”, Tiranë 2022
“Kohë dashurish të harruara” më rrëmbeu e më hodhi emocionalisht në atë kohë të trishtë e të tmerrshme ku kemi jetuar dikur. Ardian Cerga, nëpërmjet rrëfimit të tij detajist, e ka sjellë atë realitet, atë tragjikomedi, lakuriq, thuajse të papërpunuar, me të gjitha dhimbjet dhe dramat që mbante në vetvete.
Romani nis me vrasjen apo vetëvrasjen e një komunisti ekstremist, ish-kryeministrit gjakatar, dhe mbyllet me vdekjen natyrale të diktatorit. Në 140 faqet e këtij udhëtimi letrar përjetohet intensivisht realiteti i viteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar në Shqipërinë e robëruar.
Nani, personazhi kryesor i romanit, që është njëkohësisht edhe autori i këtij rrëfimi, që të lë pa frymë, është një aktor i talentuar, që “internohet” nga Tirana për në teatrin e një qyteti periferik të atdheut. Atje gjen njerëz po aq të talentuar, po aq të dëshpëruar, po aq të shpërfytyruar, sa çka lënë në qytetin e tij të zhurmshëm. Ilaçi i vetëm që shëron sadopak sëmundjen epidemike, që ka pushtuar qytetin dhe të gjithë personazhet e tij, është rakia, rrallë apo shumë rrallë gjendet ndonjë shishe verë, që shitet kontrabandë poshtë banakut, bashkë me sardelet e peshkut, sikur të ishte droga e realitetit të sotshëm.
Letërsia dhe muzika, sidomos ato që lexohen dhe dëgjohen fshehurazi, janë të vetmet rrëke të pastra, që ujisin kopshtin e vogël të mbijetesës dhe shpresës së cunguar… Dashuria e seksi nuk janë ndaluar me dekrete apo ligje, por sigurisht që nuk mund t’u shpëtojnë primitivizmit vulgar të opinionit.
Nani, Ana, Baçi, Titi, Daniela, Shpetimi, Lola, Vasili, qeni i Yzedinit, Çimi, Tani dhe Adi, Vitoja, Krenari dhe Tefta, memeci dhe burri me kostum bojëhiri, janë galeria e personazheve të këtij romani, që sjell tek lexuesi i ditëve tona peizazhin e zymtë të dhjetëvjeçarit të fundit të diktaturës.
Secili prej personazheve është njëri prej nesh, që e kemi përjetuar në lëkurë atë kohë të errët.
Në çdo rresht ndihet pezmi, lodhja dhe refuzimi i sistemit të kalbur, që e kishte tejkaluar edhe filozofinë e vet, duke e tjetërsuar njeriun dhe duke e shndërruar në një send pa vlerë.
Nani rrëfimtar nuk godet asgjë dhe askënd. Nuk denoncon, nuk ulërin, madje as nuk revoltohet; thjesht rrëfen atë jetë, që ngjet pikë për pikë me personazhet e romanit të famshëm distopik të Oruellit, “Ferma e kafshëve”.
Si në një film bardhë e zi, aktori dhe regjisori i talentuar, tashmë në rolin e autorit, na ka sjellë një copëz drame e imazhi nga atdheu i lodhur, i degraduar, por jo i dorëzuar.
Romani lexohet lehtësisht dhe prej kujtdo, ka një gjuhë të thjeshtë të së përditshmes, të pangarkuar me sofizma apo spazma boshe. Të emocionon e sjellë në kujtesë dhe në letërsi botën e djeshme, diku me ironi e diku me nostalgji të natyrshme.
Sugjeroj që këtë roman ta lexojnë jo vetëm lexuesit e ‘brezit tonë’, por sidomos të rinjtë…