Zizinё nuk e kisha parë ende, por bëzajta ma kishte sjellë shёmbёlltyrёn e saj. Kaq më mjaftonte ta fotografoja me mendje, siç bёja me dritёhijet qё mё ngacmonin sa herё merrja aparatin fotografik nё dorё. Ia shihja flokët e mbuluar me namazbezen e zezё dhe tё rёndё. Ballin e lartë, buzët e plota vishnje, lëkurën e zeshkët e të lëmuar, mollëzat e kërcyera, fytyrën e stёrgjatur nё formё vezake. Shenja tё njё shartimi arabo-indian, gjak i hershёm nё zemёr tё Afrikёs. Kështu kishin mbërritur tek unë të gjitha ato hire, ende pa e prekur Unguja-n, siç e thёrrasin vendasit ishullin e erёzave, Zanzibarin, ku zagushia tё mbyt si rënkimet e njё gruaje.
Udhёtoja me anijen e linjës qё vinte nga Pemba, ishulli i dytё i arkipelagut. Prisja tё prekja atё butёsi, mbuluar kokë e këmbë me rrobën e gjatë e pёrpiqesha tё thithja me tё gjitha shqisat ngjyrat e detit, qё i mungonin portretit tё zi tё Zizisё. Rrekesha tё gjeja mёnyrёn si ta kapja si gjёsend atё bukuri e ta fusja nё fotografi. Përfundimisht, Zizija, e zёnё nё grackёn e pёrjetshme tё njё çasti, nё grackёn time tё përkohshme. Mbi gjithçka mё kishin rrёmbyer sytë, e vetmja pjesë e zbuluar e saj.
Mësova se ata banorë të tokës së diellit, krahas ekzotizmit të ishullit të tyre, u kёshillonin edhe sytë e Zizisë turistëve që vinin nga të katër anët e botës tё thithnin ajrin, tё adhuronin detin, tё vёzhgonin me nge atё copё qielli e tё shijonin jetёn pa frikёn e kohёs qё rrjedh.
“Do të dashuroheni vërtet me sytë e saj”, më thotë Ahmedi, shoqëruesi im.
Me dhjetëra fotografë e kishin fotografuar Zizinë e punёt e tyre shiteshin nё çdo cep tё Zanzibarit si kartolina qё ngjallin kujtime. Mё ndillte kujtimi i tё tjerёve pёr kёtё tё panjohur, mbuluar me shifon të zi e të grirë në formë hojesh të vogla, të qëndisura anash, nga ku mezi dallohet njё pjesë fytyre dhe ca sy gati të fjetur.
Ata sy tё mbuluar me mister, “sytë e mrekullueshëm të Zizisë”, siç shkruhej me shkronja tё vogla e gati-gati tё tepёrta mbi kartolinё.
Bëra pyetjen e çuditshme për të gjithë në atë anije. Shtyheshim nё biseda e pёrfytyrime tё ngeshme për të mos e ndjerë udhëtimin.
“Me ç’ngjyra vishet Zizija?”. Zёri mё doli i mekët, nё pikё tё mjerueshme fantazia.
“Ju s’ditkeni asgjë për ishullin ku po shkoni”, më thanë. “Tek ne gratë dhe vajzat vishen me të zeza, edhe pse dielli të përvëlon në të perënduar. E zeza është ngjyra e jetës sonë. Ne jemi ndryshe nga ju”.
Shoh kёtё peizazh tё pёrflakur nga dielli, nga mendimet, dёshirat e mё duket se do tё mbetet malli im i pёrjetshёm. Oqeani Indian më shket ndër sy i qetё, i pёrmbajtshёm e përmallem edhe me heshtjen e njohur, nanuritёse tё ujit. Dau, barkat me vela tё bardha, zmadhohen e zvogëlohen sa herё, derisa, të lodhura nga kotjet prej djallushkeje të anijes, vendosin të mos na shoqёrojnё më. Ndjek pikat e bardha atje tej, në mes të blusë, që formojnë rrathë gjigandë duke u ngutur të vijnë tek unë.
“Ndryshe”. Ç’domethёnё “ndryshe”? Ndoshta s’flasin, ndoshta s’kёndojnё?! Mendja kapte pa radhё çdo hollёsi, fjalё apo ngjyrё, çdo lёvizje dore qё tregonte mall, harresё, dhembje, dashuri. Doja tё gjeja ndryshimin, po pёrfytyrimi i Zizisё s’mё ndihmonte. A kёndonte Zizija?! Shpesh. Ndonjёherё pёrshpёriste. A qante?! Po. Ndonjёherё pёrpёlitej. Atёherё, ajo nuk ishte “ndryshe”, ajo ishte njё grua. Njё grua tashmё e njohur pёr sytё e mi, pёr aparatin tim: dritё-hije fotografish tё dikurshme, tё ngrira, tё harruara prej kohёsh nё arkiva tё rrëmujshme.
“Zizinë e shohim si jo të kësaj jete. Ajo është prej kohësh e pikëlluar”, dёgjoj tё thotё Ahmedi.
Sёrish atje, në fund tё kiçit. Ndjek me pёrtesё gjurmёn e përkohshme që lë pas dashuria e anijes sime me oqeanin e mendoj pёr braktisjen qё vjen gjithmonё njё çast mё vonё. Pёshtjellim, zbrazje, vetmi. Zizija nё vetminё e dhomёs sё madhe, nё shtёpinё e vjetёr me dyer qё kёrcasin nga ndryshku. Porta e madhe e drunjtё, portat e mrekullueshme tё Zanzibarit, si porta pallate sulltanёsh. Mjeshtёrisht tё punuara, tё gdhendura si vepra arti, gur i rёndё porta e Zizisё, perde qё fsheh çastet intime tё njё gruaje nga bota e madhe, e rrёmujshme. Nё mes tё rrёmujёs, unё dhe aparati, bota qё pret tё marrё njё kuptim, bukuria qё fshihet. Fshehtёsi qё tenton tё mbushё zbrazjen. Pёshtjellim nё flokёt dhe sytё e saj.
Zizija qё priste te pragu i portёs sё rёndё qё mezi hapet. Mё shumё brenda sesa jashtё, mё shumё mungesё sesa prani. Ja, ashtu, si nё zgrib tё çdo gjёje e pёrfytyroja. Si tё ishte nё prag ikjeje, braktisjeje, marrёzie tё fshehtё. Mё shihte edhe Zizija kur ulte kryet e me njёrёn dorё tentonte tё fshihte atё copё fytyre tё zbuluar, atё copё qielli tё turpshёm.
Për t’ia fotografuar sytë, duhej t’i dilja përballë. A shihej pasqyrimi i diellit nё sytё e saj?!
“Edhe vetë dielli është i trishtuar në sytë e Zizisë. A e dini?”, thotё shoqëruesi. “Njëri nga fotografët thotë se ajo bën të vdesë edhe diellin”.
Nuk e di pse i përfytyroja pa dritë sytë e saj. Jo të qelqtë. Për një çast mendova se ç’mrekulli do të ishte po të arrija të fotografoja vdekjen e saj, si vdekjen e njё dielli.
Ndjek lojёn e oqeanit me shkumёn e bardhё, qё seç më sjell ndёr mend. Seç më kujton e bardha, kjo madhështi qё mё bёn tё kuptoj se i përkas më shumë detit, qiellit. Toka ёshtё larg, i pёrket asaj, ёshtё e zeza e Zizisё.
Silueta tё zeza qё i shoh gjithkund. Afrikanё: burra, gra, fёmijё. Pёrbri tyre, kafshё: pula, qengja, qen, mace. Njё lopё indiane me gungёn mbi shpinё pret e hutuar tё zotin, qё lutet nё gjunjё. Sot, dje apo nesёr, kёto kafshё do tё shiten nё sokoni, nё tregun e zhurmshёm tё Zanzibarit. Ёshtё teatёr pozash tregu afrikan. Hutohesh nga moria e ngjyrave tё ndezura, erёzat qё tё shpojnё hundёn, nga tregtarёt qё shesin shkathtёsinё si mall e ekzotizmin si gjёsend. Me thirrje tё gёzueshme, çirrje tё dёshpёruara, lajka, miklime, pёrulje, pёrqeshje, pёrgjunje, mijёra aktorё, çdo ditё, luajnё secili rolin e vet, nё skenёn e kёtij teatri tё rrёmujshёm.
Figurat e zeza tё anijes sime. Mes kёtyre njerëzve qё hanё e shtrihen si unё¸ qё ndoshta edhe mendojnё pёr Zizinё, shkrihem e ndihem i mbrojtur, i mbuluar nga një perde e padukshme në trajtë ngazëllimi të fshehtë. Mё rrethojnё, mё prekin, mё dalin pёrpara, anash, pas. “Pole”[1], thonё e fjala u ngjit. Qeshin, kёndojnё, kёrcejnё, luajnё, bisedojnё tё ulur e tё ngjeshur turma- turma nё ndenjёset e ngucura e tё ngrёna si mos mё keq. Shoh tё tjerё tё shtrirё mbi disa dyshekё tё vjetёr e tё pistё, ku pas pak mbёshtetem edhe unё. Hutimi ёshtё i madh. Sapo kam dalё nga restoranti i sajuar nxitueshёm, aty nё tё djathtё dhe mbaj njё pjatё pilau[2], qё duhet ta ha me dorё. Mendja heziton, ngrijnё gishtёrinjtё e pamёsuar. Nё anije s’ka lugё, pirunё, thika. Ahmedi zgёrdhihet. Mё shpjegon se zakoni e do qё tё gjithё tё mblidhen nё tryezё e ushqimin ta marrin me duar. Duar tё mёdha, tё vogla, tё gjata, tё holla, tё reja, tё plakura, tё trasha, me kallo, me gunga, tё shёmtuara apo tё vizatuara me kёna, s’ka dallim. Tё gjitha duart zgjaten drejt njё tepsie tё madhe, mbushur me ushqim, qё vihet nё mes e aty takohen. Ahmedi mё thotё se duhet tё ndihem i privilegjuar. “Njё pjatё tё tёrёn pёr vete, uauuuu! Dora e bardhё e mzungu-t[3] s’ka nevojё tё takohet me ndonjё dorё tjetёr”, mё cyt. Fёmija brenda meje turbullohet.
Nё njё cep, njё braktisje. Njё grua e pafuqishme, shtrirё pёrtokё. Zbathur, mbuluar kokё e trup. Njё grua bantu, me foshnjёn bantu. Poshtё kanga-s[4] sё saj tёrё rombe, me ngjyra tё gjalla dikur, foshnja pi gji. Pa kёngё, pa ledhatime. “Dritё mёmёsie e fikur, jetё e lodhur afrikane”, mendoj. Njё tjetёr foshnjё qё do tё rritet pa tё ardhme, si tё gjithё fёmijёt e mjerё qё janё pjella e tё gjitha fajeve, si turpi i tё gjithёve ne, fajtorёve indiferentё.
“Nga se u vjen vdekja grave të këtushme, Ahmed?”, pyes. Mendohet, ndriçon. “Nga pikëllimi, zotëri”, përgjigjet. “Nga pikëllimi, besoj, si të gjitha grave të kësaj bote”.
Mё tregon legjendёn e Zizisё. Se vajzat e bukura pasohen nga legjendat, gjithmonё e gjithkund. Se vajzat e bukura tё vёnё nё provё kujtesёn e fitojnё: bёhen tё paharrueshme.
Legjenda e do qё njё djalё tё binte nё dashuri me Zizinё. Ajo ngurronte, s’guxonte t’i shfaqej, e donte e dashuri s’premtonte. Se vajzat nuk duhet tё mendojnё pёr dashurinё. E mbysin si tё jetё magji qё s’duhet pёrfolur, se prishet e tё braktis. Vajzat duhet tё presin me durim e nga pritja bёhen magjike. E nga magjia bёhen tё paprekshme, ndёrkohё qё ёndёrrojnё tё jenё tё prekshme.
“Por ju duhet ta merrni me mend si janë këto punë këtu. Zizija e shihte me bisht të syrit e priste”, dёgjoj. Ёshtë Ahmedi qё flet me duar.
Vazhdon me djalin e pёrndezur qё tretet nga pezmi i njё dashurie tё pakapshme. Vijon me Zizinё qё ёndёrronte njё dashuri tё madhe e pёrndizej sa herё shihte djalin. Pёrfundon me djalin qё çmendet e vdes. Kalon një natë të tërë lakuriq, majë një baobabi, duke pritur Zizinё. E gjetën pa jetё, mbi “pemёn e jetёs”. Këmbët i ishin zgjatur e i ishin bërё rrënjë. Krahët i ishin bërё degë, qё dukeshin sikur do të të përqafonin. Trupi i ngurtësuar ishte bërё njësh me trungun. Në sytë e tij tё hapur fort, bënё fole korbat. Prandaj dhe baobabët janë pemë të zhveshura e të thata, me degë të shkreta dhe pa gjethe, ashtu, disi të gërryer nga brenda, të rrethuar nga një kurorë që i zbukuron në mënyrë të çuditshme, në mënyrë mortore.
Nё tё vёrtetё, si lindin baobabёt?! Si lulёzojnё?! Sa zgjat bukuria e këtij druri tё drejtё e tё fryrё nё mёnyrё groteske nё fund tё trungut, fillimisht tёrё gjelbёrim, me kurorё gjethesh e lulesh nё majё, si hijeshi mbreti?! Asgjё. Asgjё nё krahasim me njё stёrmundim tё madh pёr t’i mbijetuar thatёsirёs. Duket sikur kёto mendime janё kaq tё pёrcipta e kaq e brishtё kjo jetё e gjatё prej baobabi. E shohim kёtё pemё dhe mendojmё vdekjen. Lёngu ёshtё brenda tij, rrjedh po nuk shihet, si dashuria. Ёshtё histori dhembjesh, ёshtё koha e njё psherёtime.
“Që prej asaj dite kemi filluar të mos i duam baobabët. Lakuriqёsia ёshtё paturpёsi, nuk mbahet”. Ndёrhyrje, bezdi, pafuqi pёr tё prishur rregulla tё ngurta, pёr tё shembur mure, edhe nё kёtё cep tё largёt tё botёs.
“Prapё ti Ahmed?”, pyes “Flet ti, apo legjenda?!”. Qesh e nuk pёrmbahet. Mё vonё do tё mendoja se me atё qeshje Ahmedi i ngjante mё shumё tё birit sesa tё atit. Dhёmbё tё bardhё nё fytyrё tё zezё. Kontrast ngjyrash, zёrash, pёrrallash. Vend ndryshe, dashuri e huaj. Vdekje e njёjtё.
Shoh Zizinё e pikёlluar, qё lё sytё nё anije dhe ikёn. I njoh mirё, janё sytё e njё tё marri. Shohin ngulshёm, pёrtej trupit tё tyre dhe duket sikur nuk shohin askund.
Mё sheh, mё flet. Dёgjoj, humbas. “U linda në mes të detit, një natё dashurie si kjo, që shkrin valët. Ime ёmë mbeti si anije e zbrazur, e braktisur, kur iu përvodha dridhjeve të saj. Dola në breg, në rërën e bardhë, si një gaforre qё herë i gëzohet ujit e herë nxehtёsisё”. Hija zbehet. Prek njё hamendje: Zizinё e shoh tё dyzuar mes baticёs e zbaticёs. Kёnaqёsinё e prek, e lё.
“Ёshtё turp të vdesësh për një grua, zotёri… po andej nga ju, a ka vdekur kush pёr sytё e një gruaje?”. Sёrish Ahmedi, kёto pyetje prej fёmije qё botёn s’e njeh, por e pёrfytyron.
“Jo, Ahmed. Askush nuk vdes pёr sytё e njё gruaje, as andej ”, mёrmёris. “Kёshtu mё duket… ose e kemi harruar”, shtoj, pёr tё mos zhgёnjyer veten deri nё fund. Mё vijnё ndёr mend qindra sy grash: tё njohura, tё panjohura, tё dёshiruara, tё dashuruara, tё pёrçmuara, tё zhgёnjyera prej meje, prej tё tjerёve, tё gjithёve ne, qё sytё e tyre i kundrojmё tё mbyllur. Si arka tё vulosura sytё e grave, tё lёna, ashtu, si rropatje e patёkeq nё jetёn e dikujt. Diku e dikur na kishin qenё nazike, ndoshta dhe ecnin si peshё pupёl nga ёndrrat. Ngjyra nё sy, gratё, ashtu, njёsoj sqimatare si nё kёmbё, si gjysmё tё shtrira. Tё etura, tё hutuara, tё lodhura, tё sfilitura, tё pёrpёlitura e tё pёrgjёruara nё sytё e burrave, qё turpёrohen t’i shohin siç janё nё tё vёrtetё: tё lakuriqta e tё bukura.
Hije tё tjera tё zeza, tё largёta, na e bёjnё me dorё. Atje, në portin e zhurmshëm, ku qindra njerëz ngarkuar me valixhe, plaçka, dёngje me banane, mango, papaja, pirgje drush, thasё me erёza, presin të bëhen dashnorët e ardhshëm të anijes sime. E shoh që larg atë buzëqeshje djallëzore që tregon padurim. Ua ndiej ofshamat e dёshirat e fshehta pёr ta mposhtur anijen, pёr t’ia mposhtur lirinё, si liria e mposhtur e Zizisё sime.
Të paqtë, të ngathёt, tё gёzueshёm edhe nё mjerim, afrikanёt zbresin pa u ngutur. Shkallët e lëvizshme prej litari tё ngrёnё mblidhen, rropaten, zgjaten, i lёshohen tokës.
Lëviz ngeshёm drejt daljes ku zënë radhë njerëz, baule, mendime. Lë sytë e mi atje, në fund, ku e vetmja dashuri nuk mund të shterë.
Sa herё do tё zbrisja mё vonё nё portin e Zanzibarit, do mё kujtohej ai udhёtim i parё. Nё ditё tё lodhura shfletoj fotografitё e asaj kohe, qё mё shpien nё mendime tё lehta vere. Supe gjysmё tё zhveshura, krahё tё nxirё, buzёqeshje jo rastёsisht naive. Shoh Stone Town dhe ndiej nostalgjinё pёr njё vend qё tё ngjall mall, pa e parё, pa e prekur. Pikturё me motive natyraliste, barka druri si barka prej letre, deti qё zbukuron, teatёr grotesk me diellin qё çuditёrisht varet nga lart e s‘bie.
I ka tё gjitha ngjyrat ai port, si pazar oriental. Era e detit, shija e kripёs, loja imagjinare e peshqve, çdo magji e ujit, qё ngutet tё pёrzihet me aromat e tokёs.
Aty pranë shihen peshkatarët qё kanё hedhur grepin e presin. Kalisin durimin e tyre, atё tё peshqve e durimin e njё fotografi plangёprishёs, qё i vёzhgon nga lart. Koha s’ka kuptim, rrahjet e zemrёs janё prekje tё kujdeshme valёsh. Pёrmenden vetёm nga dridhjet e peshqve, qё nё çast tё fundit bëhen nazelinj si burrat: i pret, i përkëdhel, u ndien aromën, u prek dridhjet. Mё pas, peshkatarёt lёkunden, sytё u qeshin nga euforia, dhёmbёt e bardhё u duken nga triumfi. E triumfin e fusin pёrfundimisht nё stomak.
Hamejtë presin që anija të prekë sterenë. Janё tё djersitur, tё rreckosur, tёrё muskuj, buza vesh mё vesh. Vendosin trarë, lidhin litarë e, kush me duar, kush me karrocё, nxitojnё tё zbrazin anijen. E zbrazin me zell të tepruar siç zbrazet hambari në dimër.
Ndërsa anija ime është zemërgjerë. Qindra njerëz e ndajnë nga deti i saj, por ajo pret. Lёshon me nge aromat ekzotike që i mbushin barkun. Karafil, ananas, kanellё, arrё kokosi, xhenxhefil, piper, spec djegёs, kafe, vanilje, kurkuma, arrёmyshk, manioka, kёrri, shafran, susam, aroma ndjellёse qё dalin si nga gjiri i njё gruaje. Rënkon gjatë me klithma të forta, si një gjigand që e kanë mposhtur përfundimisht. Të gjitha të fshehtat ua beson njerëzve, qё e shesin pёr pak.
“Hamej!”, bёrtas, “Mё ngrini mua tё parin. Unё peshoj mё shumё se valixhja ime. Jam i mbushur me tharmin e harresёs, por eshtrat e kujtesёs rёndojnё”. A mё dёgjoi kush?! Sigurisht qё jo. Jeta i mposht klithmat. Jeta afrikane e mposhti edhe klithmёn time tё qytetёruar.
Disa gra, qё presin nё radhё para meje, kёndojnё, qeshin, duartrokasin, ndёrkohё qё mbajnё nё ekuilibёr tё pёrkryer shporta mbi krye e fёmijё tё lidhur mbi shpinё. Burrat, tё veshur me tё bardha, u prijnё.
Vijnё pastaj me radhё afreske tё gjalla tё njё jete edhe mё tё gjallё. Zukatje mizash, bezdi mushkonjash, pluhur, pellgje uji tё ndenjur, erё e rёndё erёzash e ushqimesh qё s’i njeh. Shtёpi e madhe, e mbipopulluar, porti i Zanzibarit, rrugicat e bardha e tё ngushta tё kёtij qyteti, si labirinth nervash kujtese. Dielli zhurit. Palmat e larta bëjnё hije mbi turistët qё hapin e ndalin te deti i qetë e i rrëshqitshëm si vaji. Nga pas kanё lёnё male të larta në vende tё mbuluara nga retë. Duan tё harrojnё nxitimin në rrugët e tyre tё gjera, ku turma shtyn instinktivisht. Shallet e rënda dimërore e sofistikimin, gratё i zëvendësojnё me shalle të lehta prej Kashmiri, që kёtu ua merr era e mbrëmjes. Kalojnё orë të tëra nё bare e lokale që kanё si strehë qiellin e ndihen tё ngeshme e tё lehta si harresa. Gratё! Palё-palё rёndesa e tyre. Vishen me kujdes e zhvishen shkujdesshёm, me duar pafajёsie. Nё nxitim e sipёr harrojnё pёrbetimet, zhvishen nga fjalёt. Nё sy u shihet pёrralla andej larg, pёrtej pasqyrёs.
Oh, rrugicat e Zanzibarit si zemёr gruaje, tё padepёrtueshme! Turma njerёzish qё jetёn e kalojnё nёn zhuritjen e diellit. Tё bardhёt, qё i pёrvidhen vetes, monotonisё, dashurive tё dёshtuara. Afrikanёt, qё varfёrinё e pёrballojnё tё zhveshur nga çdo lloj estetike tё njohur, duke ngrёnё moralin tonё me dorё, si chapati[5] i ngrohtё, ugali[6], samosa[7]*, apo fish and chips[8]*. E ç’tё qeshur bёjnё mё pas! Hmmmm, qytetёrimi i pёrqeshur nga klounё tё padjallёzuar, qё i kёndojnё shiut nё rrugё tё pёrbaltura!
Nё ato rrugica mё thanё se do ta gjeja edhe Zizinё. Më thanë se e gjeja lehtë, përveç rasteve kur humbte për të lënë pas një zbrazëti që s’mbushej as nga zhurma e mbytur e detit, as nga barkat e përgjumura dhe as nga qejfi i lirë i atij qyteti magjik.
Mund ta shihja kur perëndimi e thyente fuqinë e diellit nё Forodhani, shёtitoren e gjatё si gjuhё, qё ndodhej pёrkundruall. Pas njё çasti, do tё binte errёsira. Barkat prej letre që lёkundeshin mbi ujё, do tё ngjyroseshin me tё zezё. Njerёzit do ta harronin ditёn, muzika e qejfi do tё fillonin tё bёheshin streha e fundit e natёs.
Atje, në buzë të detit, larg tё gjithёve, Zizija. Ishte lehtësisht e shqueshme një siluetë e gjatë, e brishtë, me kindat e fustanit të zi që ia merrte era. Atje në rërën e bardhë. Vetëm. Ajo. Nuk dihet se ç’mendon, nuk dihet se ç’pret. Nuk sheh askёnd, e shohin tё gjithё.
E bukura Zizi. Shtatёlarta Zizi, qё lumturinё mund ta pikturonte nё qiell. Dhe djalin e saj mund ta donte e djali mund ta pёrkёdhelte pa pyetur pёr legjenda pemёsh, pёr perёndime dielli. Rrёnjёt i donte ndryshe Zizija, degёt duhet tё ishin kurora lumturie mbi flokёt e saj.
Ajo jeton nё tё shkuarёn, e tashmja i duhet si fanar kujtimesh. Ato kujtime qё e shpien gjithmonё nё tё njёjtёn ditё, nё ditёn e rrёnimit. Nё tё njёjtin vend, qё thith si delir. Që prej asaj dite, Zizija bёn tё njёjtёn gjё. Del në të perënduar, kohë kur filloi marrëzia e djaloshit dhe rri e sheh detin, muzgun, natën.
Kështu e gjeta dhe unë. Në atë muzg të përflakur të atij ishulli të vogël, me ndërtesa të bardha e gra të veshura me të zeza.
I afrohem. Bёj gati aparatin. Ajo nuk lёviz. Duket e mёsuar. E shkrep. E fotografoj.
Pёrpiqem tё kap shёmbёlltyrёn e saj. Njё gjest, njё shprehje, njё lёvizje e beftё qё zhduket. Trupi ёshtё i lehtё, pupёl qё ajri s’e pёrfill. Trup i privuar nga çdo realitet, nga fryma, zёri, fёshfёrima qё krijon rroba e gjatё teksa lёviz pёr t’u pёrjetёsuar, pёrfundimisht, si njё portret i ngrirё e i pazё. Dridhet, pastaj fashitet nё heshtje, si hije qё s’ekziton. Lojё iluzionesh nё njё kuti tё errёt, mbyllur e mbёrthyer me tela e vida. Kuti qё thith poshtёrsisht gjallёrinё e njё trupi me mish e kocka dhe e kthen nё njё dukje tё zbehtё, tё pёrkohshme, lojё mekanike iluzionesh nё sytё e mi. Jam pikёrisht unё, ai qё e zhvesh dhe e kthen nё hije tё papeshё kёtё trup. Pulitjen e syve dua t’ia kthej nё pёrjetёsi. Ёshtё çast i brishtё. Por ajo nuk pyet pёr pёrjetёsi, pёrjetёsia ёshtё pёrgjegjёsi e baobabёve. Sytë e saj duken sikur nuk shohin. Ata sy pёrpijnё. Shoh tё pasqyruar diellin. Deti bie nё qetёsi. Shoh blunё qё shkrihet me portokallinё. Prek butёsinё. Janё të kadiftë sytë e Zizisë. Të gjitha nuancat e ngjyrave që i mungojnё veshjes janё mbledhur tek ata sy të vegjël, të butë, të futur pak nga brenda, tё largёt. Sy qё murmurisin. Dikur flisnin, ndonjёherё edhe luanin me mendimin. Ndёrsa tani duken sy tё lodhur, harrojnё tё hapen. Pёrpёliten tё shkёpusin atё fill tё paturpshёm qё ende i lidh me jetёn.
Fillon tё kёndojё nёn zё: “…Edhe baobabi gërryhet si pasioni im, si pasioni yt”.
Mbaj vesh e dёgjoj. Nuk di ku ta kёrkoj veten: te kёnga apo te sytё. Ngul vёshtrimin nё fytyrёn e saj; nё prag, njё njeri i sfilitur qё kёrkon ndihmё, unё. Diçka kёrcet, tёrcёllon, kёrkon tё sfidojё ndryshkun, nё fund pёrplaset duke gjёmuar. Njё portё e rёndё mbyllet.
[1] Mё vjen keq, mё fal (nё kiswahili)
[2] Pilaf
[3] Njeriu i bardhё
[4] Veshje tipike afrikane
[5] Pite
[6] Pjatё tipike me miell misri
[7] Byreçka tё mbushura me mish
[8] Peshk e patate tё skuqura