Press "Enter" to skip to content

Viktori shkon të marrë Elenën nuse

Viktori ka lindur në Kostroma, pranë Kishës së Ringjalljes, buzë lumit Vollga, nga ku filloi jeta e carëve të Rusisë. Është Krishtlindje dhe ai po troket në portën e pallatit të Elenës, po brigjeve të Vollgës në Moskë.
Tak! Tak!
– Kush është?
– Jam Viktori! Kam ardhur “të blej” Elenën për nuse.
– Çfarë keni sjellë?
– Portokaj, mollë dhe rubla!
– Mirë, pa të shohim!
– Është shumë ftohtë, më fusni brenda, ju lutem!
Dera e hyrjes së pallatit hapet dhe tri shoqet e ngushta të nuses fillojnë lojën e gjëegjëzave, sipas traditës ruse “të blerjes” së nuses nga dhëndri. Gjer në katin e shtatë, ku ndodhet apartamenti i Lenës, ka pengesa të tilla, që Viktori, i shoqëruar nga tre miqtë e tij më të mirë, të cilët mbajnë shportat me fruta, duhet t’u përgjigjet pritave e grackave të lojës. Kështu e kanë maskuar historinë e dashurisë së çiftit shoqet e nuses. Nëse ka harruar kujtimet dashurore dhe jep përgjigje të gabuara, Viktori duhet të shpaguajë shoqet o me një frutë, o me para.
– Numri i këmbës së Lenës?
– Tridhjetë e tetë.
– Gabim. Tridhjetë e shtatë e gjysmë.
Viktori jep një mollë nga shporta.
– Ëmbëlsira e preferuar e Lenës?
– Akullorja.
– Gabim. Çokollatat.
– Lulet e saj më të dashura?
– Krizantemat.
– Gabim! Trëndafilat!
Gjashtë tullumbace të fryra janë vënë në sheshpushimin e shkallës. Viktori duhet të shpojë secilën, duke thënë një cilësi – kompliment për Lenën, por nuk duhet të përsëdytë asnjë veti, se dënohet me gjobë.
– E dashur!
– E bukur!
– E bindur!
– E dashur!
– E ditur!
– E bindur!
Kjo i kushtoi pesëdhjetë rubla. Aq kërkuan shoqet.
– Pija alkoolike?
– Vodka.
– Gabim. Vera.
– Pija joalkoolike?
– Mix juice.
– Lëng portokalli.
Viktori vazhdon të japë përgjigje së prapthi për të gjitha sekretet e tyre të dashurisë, udhëtimin në Egjipt, numrin e deveve që ia rriti tre herë arabi, që Viktori të pranonte t’ia shiste Lenën e bukur për grua, për racën “Terrier” të qenit të Lenës, për kujtimet e saj me gjyshen, për puthjen e parë në rrugën “Ostozhenka”, për një çelës që Viktori duhej të gjente për të çliruar ca kushërira, të cilat prisnin mbas kangjellave etj., etj. Shportat e frutave ngelën bosh.
Mbi një derë janë shkruar tetë vargje shifrorë, ku Viktori ngatërrohet. Nuk di më cili përfaqëson datëlindjen e vjehrrës e cili telefonin e së ëmës. Më pas lexon:
– Kamasutra!
Viktori ngutet. Hë. Kamasutra, manuali që nuk i ka të gjitha. Viktori di më tepër se aq.
– Gabim! Është emri i çajit, që keni pirë në takimin e parë!
– Titulli i librit më të dashur?
– “Ne”, romani në vargje nga Zamjatin!
– Jo. “Kortik”, nga Rijbakov.
Shokët janë për ta ndihmuar, por asnjëri, më keq se Viktori, nuk ka ndonjë përgjigje për të qenë. Ai vendos të mos çajë më kokë për gjëegjëzat, që kanë sidoqoftë një hile; janë tepër të thjeshta dhe shfrytëzojnë emocionin e dhëndrit për të mos i gjetur, ndaj do ta lerë veten të gabohet lirisht gjer në fund.
Mbi një karton të bardhë, dymbëdhjetë femra kanë lënë formën e gojës së tyre me të kuq buzësh. Viktori duhet të tregojë cila është goja e Lenës.
Nuk e gjeti as këtë.
I japin një letër ta vizatojë të dashurën me sy të lidhur:
– Lena e bukur të më falë! Lenën s’jam i zoti ta vizatoj dot syhapur, jo më symbyllazi!
Me një lulëz në dorë, Viktori përpiqet të vizatojë në mënyrë lineare, por, prapëseprapë, ata që i quan sytë e Lenës i vendos larg, në një hapësirë boshe. I zgjidhin sytë dhe ia lidhin duart prapa. Vjen një legen plot ujë, ku notojnë shumë fruta. Duhet të marrë me gojë frutin që Lena ha më shumë. Kap një mandarinë.
– Mooos! Është portokalli!
Para derës së mbyllur, ku pret në këmbë Elena nuse, është vënë një tepsi me mbishkrimin: “Vendos këtu gjënë më të çmuar që ke sjellë për nusen!”.
Më në fund!
Viktori fut dorën në xhep dhe vendos ku i thonë rrethin e martesës. Leqet mbaruan. Ndonëse përgjigja e drejtë qe brenda tij, prirja kah e gabuara i vinte e pashmangshme. Porse tani do të hapej një portë; ai e dinte Lenën përmendësh nga jashtë e nga brenda, fustanin e nusërisë e kishin zgjedhur bashkë, modelin e buqetës së luleve, peliçen mink ia kishte blerë Viktori, por të tëra këto, në ditën e dasmës, janë turbulluese. Viktori e di, ky çast lumturie rinore do të ushqejë zemrën e tij për gjithë jetën, çfarëdo që të ndodhë më vonë me ata të dy.
– Gabim!
Viktori nxjerr nga kuleta kacidhet e mbetura për të dëmshpërblyer tri shoqet e ngushta të nuses. Vërtet dinin dhe përjetonin emocionalisht gjithçka qe e botës së Lenës?
Jo, unaza! Duhet të hyjë ai vetë e të presë mbi sini gjersa të çelet dera e nuses.
Gabim dhe e fundit:
Viktori vetë qe gjëja më e çmuar për Elenën!

 

(Shkëputur nga Revista Letrare – Verë 2022. Lexuesit jashtë Shqipërisë, mund ta porosisin në RL Books.eu dhe Amazon, të tjerët në Bukinist.al)

Të tjera nga ky autor:

error: Content is protected !!