Press "Enter" to skip to content

Dashuria ime përlot dhe Zotin (Cikël poetik)

∗∗∗

Lakohem, bëhem fjongo për një ledhë tënden,
një puthje që shijon si ajkë kur je grua e rritur.
Dora ime te jotja… zambakth i vyshkur.
Cigarja e fundit… dredhur shpejt.
Prek, çjerr çantën lëkurë-shtrenjtë.
Dalim. Jashtë. Mes vjeshtës.
Nën diellin bujar dukesh si këpucë e vjetër e lustruar mirë.
Të shmangem. Afrohesh. Pak.
Ngutem. Të zhdukem.
Më rregullon shallin. Më mbyt kujdesi yt i mëndafshtë.
Asgjë nuk ndodh.
Vetëm një vrasje. Pa bujë.

∗∗∗

Bijëza ime e violë, e bardhë, e purpurt!
Ji n’paq me natyrën,
me ligjësinë që të rrit flokët, gjymtyrët dhe thonjtë.
Jepju me kodin tënd
të njëjtës natyrë që çel dorëzonjat në mure
e ngop insektet me diell e dhe.
Dashuro pa vramendje, pastër, sojnike, ethshëm, harbute.
Ji errësira e gjakut në damarët hollakë, të gjatë, të gjarpërt.
Ji larva e përsosur!
Më lër të iki me këngën e jetës tënde në buzë,
me besimin që ti e di mirë rrugën,
ku u rrëzova me perlat në qafë…

∗∗∗

E përqafon. Me hijen e tij.
I mbulon vetminë me aromë të harruar.
Prek butë skeletin e dashurisë (dikur delikate)
E bën shpesh këtë rit pendestar,
urtësisht fyes,
artistikisht të pashpirt.
Një përqafim me perimetër real.
Nga supi i tij ajo mund të shohë
ngjyrën e kekut në furrë…

∗∗∗

Dashuria ime është e urtë.
Dashuria ime është syri i mbyllur në diell.
Dashuria ime është letra jote, që i shkruaj vetes.
Dashuria ime lëçit të moçmit.
Dashuria ime pi verë me gota plastike.
Dashuria ime nuk ankohet.
Dashuria ime do vetëm të dojë.
Dashuria ime përlot dhe Zotin…