Dedikuar bashkëshortes
1
Dëshmoj se s’ka grua tjetër,
që ka ditur ta luajë lojën, si ti,
që ka toleruar marrëzinë time
dhjetë vjet, siç bëre ti.
Që duroi çmendurinë time,
siç durove ti,
që mi preu thonjtë,
më sistemoi shënimet
dhe më futi në kopshtin e fëmijëve
siç bëre ti…
2
Dëshmoj se nuk ka grua tjetër,
që më përngjan si një tablo në vaj
si në mendime, sjellje,
gjykim dhe çmenduri, si ti.
Në mërzinë e shpejtë
dhe lidhjen e shpejtë,
siç bëje ti…
Dëshmoj se nuk ka grua tjetër,
që ka marrë nga vëmendja ime
as gjysmën e asaj që more ti,
që të më ketë pushtuar, siç më pushtove ti
dhe të më ketë çliruar, siç më çlirove ti.
3
Dëshmoj se nuk ka grua tjetër,
që më ka trajtuar si fëmijë dy muajsh,
siç më trajtove ti…
Që më ushqeu me qumësht dallëndysheje,
me lule e lojëra,
siç bëre ti…
Dëshmoj se nuk ka grua
që ka qenë me mua bujare si deti,
me klas të lartë si poezia,
që më ka përkëdhelur
dhe ledhatuar siç ke bërë ti.
Dëshmoj se nuk ka grua tjetër,
që e e shtriu fëmijërinë time
deri në të pesëdhjetat,
siç bëre ti…
4
Dëshmoj se nuk ka grua tjetër,
që guxon të thotë se përfaqëson të gjitha gratë…
përveç teje
dhe të thotë se kërthiza e saj
është qendra e universit.
Dëshmoj se nuk ka grua tjetër,
që kur ecën të ndiqet nga pemët,
siç bëjnë me ty…
Nga trupi i bortë i së cilës pijnë ujë pëllumbat,
siç bëjnë me ty…
Nga barishtet e sqetullave të hanë delet,
siç bëjnë me ty…
Dëshmoj se nuk ka grua tjetër
që ka përmbledhur në dy fjalë, historinë e feminilitetit
dhe që ka rebeluar burrërinë kundër meje,
siç bëre ti…
5
Dëshmoj se nuk ka grua tjetër,
së cilës i ndaloi koha te gjiri i djathtë,
siç bëri me ty…
e shpërthyen revolucione nga gjiri i majtë,
siç ndodhi me ty…
Dëshmoj se nuk ka grua tjetër,
që ndryshoi ligjet e botës, siç bëre ti
e ndryshoi
hartën e hallallit e haramit,
siç e ndryshove ti…
6
Dëshmoj se nuk ka grua tjetër,
që në çaste pasioni të më pushtojë si tërmeti.
Më djeg… më mbyt,
më vë flakën… më shuan,
më thyen në dy pjesë, si hëna.
Dëshmoj se nuk ka grua tjetër,
që më ka pushtuar kaq gjatë
dhe kaq lumturisht,
që më mbjell në shpirt
trëndafila damasku,
nenexhik
dhe portokaj.
O grua,
nën flokët e së cilës i fsheh pyetjet e mia
dhe që nuk i është përgjigjur asnjërës prej tyre.
O grua, që përmbledh të gjitha gjuhët,
por që rroket veç me mendje
e nuk thuhet.
7
O sykaltër,
o duardylltë,
o prezencë mrekullie,
o bardhoshe si argjendi
dhe e lëmuar si kristali.
Dëshmoj se nuk ka grua tjetër
në oqeanin e belit të së cilës takohen kohërat
dhe një mijë e një planete rrotullohen.
Dëshmoj se nuk ka grua tjetër… si ti, e dashura ime,
në krahët e së cilës edukohen djemtë e parë
dhe të fundit.
8
O finoke e tejdukshme,
o shtatdrejtë, bukuroshe,
e lezetshme, engjëllore,
me fëmijëri të pakaluar,
dëshmoj se nuk ka grua tjetër si ti,
që u çlirua nga sundimi i shpellarëve, siç bëre ti,
që ua shkërmoqi idhujt,
ua zhbëri iluzionet
dhe autoritetin fshataresk, siç bëre ti.
Dëshmoj se s’ka grua tjetër,
që priti me gjoks hanxharët e fisit
dhe dashurinë time e konsideroi
si thelbin e virtytit.
9
Dëshmoj se s’ka grua tjetër,
që të më dilte siç e prisja,
flokët e saj ishin më të gjata sesa i ëndërroja,
forma e gjirit ishte
pikërisht siç e kisha vizatuar.
Dëshmoj se s’ka grua tjetër,
që del nga retë e tymit… kur tymos
dhe fluturon si pëllumbeshë e bardhë në mendimet e mia.
O grua… që të kam dedikuar libra
dhe pavarësisht gjithë poezive të mia për ty
mbete… më e bukur se gjithçka kam shkruar.
Dëshmoj se s’ka grua tjetër,
që ka bërë dashuri me mua në mënyrë të civilizuar,
duke më nxjerrë nga pluhuri i botës së tretë,
siç bëre ti.
Dëshmoj se nuk ka pas grua tjetër para teje,
që më ka zhveshur,
ma ka shpuar trupin
dhe ka komunikuar me të si me një harpë, siç bëre ti.
Dëshmoj se nuk ka grua tjetër
si ti…
si ti…
si ti…
Përktheu: Elmaz Fida
Të tjera nga ky autor:
- Tri poezi
- Shtatori
- Nizar Kabani: Poemë e egër
- Nizar KABANI: Bota ma hedh fajin mua
- Nizar KABANI: Të premtova
- Nizar KABANI: Mes një dashurie dhe një tjetre
- Zemërohu!
- Takime sekrete
- Faqe të mbyllura
- I urrej pyetjet (Poezi)
- Dy mikrotregime
- Ku ka dashuri, ka paqe (Cikël poetik)
- Poezi
- Poezi
- Unë jam nëna e të gjithëve
- Nizar KABAN: Kaposhi delenxhi