S’e tërheqim dot fillin e këputur,
as mërgatën e shpendëve s’mund ta ndalim,
ndaj le të biem në gjumin letargjik.
Kur shiu, breshëri dhe bora të vijnë
le të shikojmë ëndrra të blerta,
pas dekadash të zgjohemi si zvarranikë,
të pështirë, të rrudhur, të akullt.
Të plakur.
Shkoi si shkoi, më mirë që shkoi
dhe zeheri i mbetur ka për të shkuar,
natyrisht gjithçka do avullojë,
hiri do t’i mbysë thëngjijtë e pashuar.
Shkoi si shkoi, në djall le të shkojë.
Nuk çojnë heler ca ëndrra më pak,
as ca dhimbje më shumë.
Është marri të zhytesh me gur lidhur pas qafe,
çmenduri, këmbëzbathur të futesh në xhungël.
Të digjesh në një flakë kashte.
E di. Ti do thuash: ”Veç marrëzitë kujtohen”,
por marrëzitë janë si humnerat,
të ftojnë në zbrazëtinë e tyre
dhe s’të lënë të dalësh që andej.
Ndaj them më mirë që shkoi.
E kam të qartë se çfarë më pret,
do jem ca kohë as në tokë, as në tra,
do filloj të flas përçart,
broçkullat do t’i shes si poezi.
Tek-tuk ndonjë lot do më shkasë,
tek-tuk ndonjë qetësues do e pi,
Pastaj retë do të davariten,
stuhia do të kalojë
e do marrë me vete imazhin tënd.
Kështu do harrosh ti.
Kështu do të harrohem edhe unë.
Sepse nga të gjitha speciet,
koha, dështakët urren më shumë!