Press "Enter" to skip to content

Pylli

(Poemth)

I butë,
i ngrohtë dhe i bukur
është pylli.

Terri i tij më tërheq dhe më tundon
me hijet e verbëra e naziqe.
Magji të hijshme dhe gracka tunduese më ndjellin
dhe kërkojnë që të vrapoj, si i marrë,
drejt qendrës së fshehtë të tij.

Dihas i tëri.
Nga zgafellat e mia dalin jehona kënaqësish,
të buta si trungjet e ngrohtë,
të lagështitura prej ujërash të bukur,
që ma nxjerrin avullin nga brenda vetes.

Pemët e brishta, delikate, naziqe,
ofshajnë lehtë,
klithin butë,
fërgëllojnë të tëra,
tunden e shkunden,
dihasin frymën e këndshme,
kënaqësitë ndjellëse.

E unë dehem
tek ndjej aromën e trungjeve të lëmuar.

Nga pylli kuqëlojnë luleshtrydhet,
që lëngëzojnë dhe pikojnë atje poshtë pemëve të bukura.
Puprrat e manaferrave të virgjëra,
që nuk janë skuqur akoma për t’u ngrënë,
më ndjellin gjithë turp.

(E atëherë) gjithë shkulme dhe dallgë, tërë shkumë,
derdhet,
rrëshqet ngadalë,
brenda pemëve të thara,
e butë dhe e bukur,
(dhe futet thellë zgavrash,
honesh e shtigjesh të fshehta),
Rrëshira.
E bekuara Rrëshirë,
bie brenda, tërë duf
futet thellë,
në trupin e ngrohtë të pemëve.

Të lagështa degët e virgjëra, (prej ujërash,
që u rrjedhin trupave të butë),
drithërohen e u shkon lëng
sa herë që pranë tyre kalon ndonjë shi.

I këputur,
i lodhur e i sfilitur prej rendjes në pyllin e errët,
rrëzohem në të
dhe dihas e marr frymë me zor.
Dhe e ndjej se diku nëpër pyll
këndon melodia e pikave të rrëshirës.

Bie përmbys mbi pyllin e ngrohtë e të madh,
(në terrin e tij magjik)
dhe prej trupit tim
si prej shpellash (kur dalin zogjtë e bukur),
fluturojnë “Ohe!” të nxehta
ethesh e afshesh të buta.
Teksa akoma nëpër lëkurat e lëmuara të pyllit,
(që vijnë erë gjethesh, luleshtrydhesh dhe ujërash),
vazhdon të rrjedhë, të rrëshqasë ngadalë e me ngulm,
brenda honeve të pemëve,
nëpër zgavra, skutash e zgafellash,
gjithë kënaqësi, gjithë afsh,
Rrëshira e butë dhe e bukur.

error: Content is protected !!