Lotimi i rrëshirës
Rrëshira e ndjesive i jep erës në prekje
formë gruaje.
Hija e saj, dre që loton epshin e një pylli.
Ti je trupi i gjahtarit që shtin kur presin
një pemë
dhe hedh në sup erën e trembur,
pa shkelur aty ku fle
hija e pyllit.
Hëna në shtrat
Aty nga mesnata e pashë kruspull,
si fëmijë zbuluar.
Dhe natë e shtryllur nga etja e yjeve,
i hodha gjumin tim.
Hëna hingëlliu si kali
i kalorësit, që zjarrin mban për shalë
ëndrrash.
Ia hoqa hënës frerët e erës.
U fërkua patkua sa pluhuri i ngritur
ndërtoi kodër prej kështjelle.
E ngrita hënën pa zgjuar trupin e gruas.
Gjumi im kishte qenë lugina e një shpate,
me qiellin e natës në majë.
Era
Gjithmonë era më është dukur veshja e dikujt,
që s’i erdhi në masë as vdekur.
Qenie e zbathur. E pangrënë. E pangopur.
Ëndërr që s’mbërrin në asnjë hije.
Në rënie më shumë mbytet,
se i hapen plagë.
Lutje në pranverë të ndjehet aromë
gruaje me trup të rrëshirtë.
Një meshë për vjeshtën.
Flatrat e gjetheve i mbeten tokës
Përjetësi.
Gjithmonë era më është dukur
fëmijëria ime në arrati.
I kthyer tani një burrëri peme,
i përkulur nga forca e saj deri
në çarje mëngjesi.
Gjethet mbeten i vetmi muzgu im.
Gjithmonë më është dukur era,
veshja e dikujt,
që ia bleva në heshtjen e zhveshur…
Të besoj
Të besoj në ringjallje më duhet:
të marr hua më shumë qiell,
të zbres te vdekjet më shumë ditë,
të marr nga shpirti aromë trupi
dhe djersën e diellit në kurriz.
Që të besoj në ringjallje duhet
të marr hua lindjen time
dhe burrërinë ta kthej fëmijëri.
Të besoj në ringjallje më duhet…
një vjeshtë jo e vdekur bukur…