“Liqeni në mes të detit”, roman, Durim Taçi, “UET Press”, Tiranë, 2022.
Si rrathë të brendashkruar, si shtjellat e emocioneve njerëzore, romani i fundit i Durim Taçit sjell me një përqendrim dhe elegancë të veçantë një gamë të gjerë emocionesh, gjendjesh e bashkë me to edhe pasojat; një personazh e paguan me jetë – do doja të thosha më i pafajshmi, por kjo do nënkuptonte gjykim për të tjerët. Ky roman është aq i hapur e kompleks, sa që gjëja e fundit që i shkon ndërmend lexuesit mund të jetë gjykimi i personazheve. Pa asnjë drojë mund të them që romani ia ka arritur të sjellë njëherësh denduri drame dhe emocioni, pakujtueshmëri në sjelljen e subjektit dhe personazhe që të mbeten në mendje.
Nga ana e stilit, Taçi ndjek me këmbëngulje teknikën e rrëfimit në vetën e dytë njëjës, që shquhet për dinamizëm, për atypëratyshmërinë, për qartësinë e drithërimave, që shpesh të kujtojnë filmat që ndiqen prej miliona shikuesve.
Katër italianë të rritur vendosin të bëjnë një javë pushime së bashku, gjatë së cilës ndodh një flirt, që, siç e marrim vesh më vonë, s’ishte një koketëri emocionale, por një shtysë instinktive mëmësie. Një qytet i vogël italian në veri, në një anije me vela mbi një liqen, disa herë më të madh e më të trazuar se qyteti, përbëjnë skenat ku vendosen ngjarjet. Nëpër ato hapësira jeton autori i romanit, ndaj saktësia e përshkrimit s’i lë gjë mangët detajeve që mund të sillte një skenarist në ndihmë të aktorëve, kamerave e realizuesve të një filmi super realist. Gati 20 vjet më vonë, në po të njëjtin dekor, fillon edhe zhbërja e enigmës, vijnë njëra pas tjetrës keqkuptimet dhe të vërtetat, kompleksiteti i natyrës njerëzore e thjeshtësia e pashpirt e së vërtetës.
Nëse deri në këto çaste, autori ka pasur kontroll të plotë mbi rrëfimin, mbi instrumentin e tij të preferuar, rrëfimin në vetën e dytë, njëjës, por, kur ngjarjet ngjishen, kërkimi i thellësive të sofistikuara psikologjike të personazheve e motivimeve të tyre, i shpjegimit të arsyeve se pse e bëjnë një gjë ose nuk e bëjnë një tjetër, vihet re kufizimi i saj ose nevoja për të kaluar pa druajtje në një regjistër tjetër rrëfimi.
Kjo gjë ndjehet nga një lexues i rafinuar, por libri, në përgjithësi, të rrëmben me elegancën e rrëfimit, me ritmin e dendur, me mençurinë e gjetjeve kompozicionale e sidomos me pasurinë e madhe emocionale, me shkëlqimin e mungesës së gjykimit moral për personazhet. Ata bëjnë jetën e tyre dhe lexuesit i pëlqen të identifikohet herë me njërin, herë me tjetrin, duke ndjerë brenda vetes trazimin dhe shkëlqimin e tyre.
“Liqeni në mes të detit” përbën për letërsinë shqipe një shpengim, një risi, një roman të hapur. Pavarësisht se personazhet janë italiane, romani është shkruar nga një autor i talentuar shqiptar: Durim Taçi.
Të tjera nga ky autor:
- Hija e objektit të munguar
- Arbër AHMETAJ: Kërkohet “Kohë shtesë” për të lexuar një roman të pazakonshëm
- “Të dua!”, nga Xhovani
- “Një prani në ikje” botohet edhe në italisht: fragment nga libri në shqip
- Durim TAÇI: Nga një derë tjetër
- Durim TAÇI: Kali i kuq i Tare Çelës
- Durim TAÇI: Të vësh një emër (“Extra Time”)
- Durim TAÇI: Një prani në ikje (Fragment)
- Durim TAÇI: Mbi gjurmët e tua (Pjesa e tretë)
- Durim TAÇI: Mbi gjurmët e tua (Pjesa e dytë)
- Durim TAÇI: Mbi gjurmët e tua (Pjesa e parë)
- Shtëpia ‘Markarian’
- Ervin NEZHA: Të lexosh një “Extra Time”
- Mes botëve që njohim e nuk njohim – pas leximit të “Extra time” e “Një prani në ikje” të Durim Taçit
- Ujk i vetmuar
- Loja, shembja e qiellit
- Zarfi misterioz
- Plaga
- Llambë në dritare
- Verë e pasur

Arbër Ahmetaj
Arbër Ahmetaj lindi në Tropojë në vitin 1965. Është diplomuar për farmaci në universitetin e Tiranës dhe atë të Gjenevës. Në vitin 1986 filloi bashkëpunimin me shtypin shqiptar të asaj kohe dhe më pas punoi si gazetar në departamentin e informacionit në TVSH. Në vitin 1993 iu bashkua Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe u specializua për diplomaci në Oksford, Uashington, Gjenevë dhe Maltë. Pas detyrave të ndryshme në këtë ministri u emërua Sekretar i Parë në Ambasadën Shqiptare në Bukuresht. Nga shtatori i vitit 1997 jeton në Sion të Zvicrës, ku ushtron punën si farmacist. Disa nga veprat e tij në prozë janë "Fletëhyrje për në varr", "Varri i braktisur", "I huaji, ai kosovari", "Një natë te Luiza", "69 gra", "Procesi 3K", si dhe librat me poezi "Më mori malli e dashur" dhe "Poezi". Nga viti 2020 është Kryeredaktor i Revistës Letrare.