Press "Enter" to skip to content

Ku ka dashuri, ka paqe (Cikël poetik)

∗∗∗
Më vjen ndërmend hija,
hija jote, që ndenji me mua pasi ra nata,
kur ne të dy u ndamë një herë e përgjithmonë.
Më vjen ndërmend emri yt i çuditshëm,
i shkruar në librat që kemi blerë bashkë,
sa herë hap ndonjërin prej tyre,
një flutur fluturon jashtë.
Më vjen ndërmend barishtja nën sqetullat e tua,
me shije të njelmët, me aromë balte,
ai çast i neveritshëm,
ai çast shthurjeje, i pamenduar,
s’e kisha bërë me ndonjë grua para teje,
as pas teje,
atë çast kur të mbështeta pas murit:
e pashë fytyrën tënde të vogël,
atë fytyrë të bukur dhe të shëmtuar,
të mrekullueshme,
të thatë dhe epshore:
zhyta kokën në kraharorin tënd,
kambanat e të cilit binin egërsisht,
në kërkim të nënës sime të humbur,
në kërkim të vendlindjes,
të shtëpisë dhe mikut,
pastaj fshiva lotët dhe u largova:
i lashë pas flamujt
teksa thyheshin njëri pas tjetrit
e binin në atë fushëbetejë,
ku të vrarët ishin shpërndarë nën këmishën tënde.
Të lashë të hutuar, të trazuar dhe të ndezur,
e unë vazhdova jetën time pa kokë!

 

Fytyra jote është…
Si një përrua që gjarpëron shtratit të vet
Si një diell që lind nga kristali pas reve
Si një tallaz që shushurin në kapërcyellin e kohës
Si një ag që hap sytë ndaj fëmijërisë së vjedhur
Si një flutur që fluturon befas, mes faqeve të një libri të vjetër…

 

Sekrete

Sa e vështirë ishte të mbaja prushin në pëllëmbën e dorës,
e të pretendoja se është valë?
Sa e dhimbshme ishte ta mbaj pranë mikun e hapërdarë,
e mua mos më mbajë veçse armiku?
Sa e rëndë ishte që shelgu mos të çelë asnjëherë,
e mos ta shtrijë hijen veçse si bindje ndaj natyrës?
Kam parë ç’kam parë e s’kam bëza për ç’pashë,
Mandej, e harrova çfarë mbaja të fshehtë,
derisa harrova edhe vetë harresën.
Por…
sa bukur ishte t’i laje kujtimet me lot që të mos ndryshken
e t’i mbuloje sekretet me sekrete,
që mos të publikohen.

 

Ku ka dashuri, ka paqe

Ai vajti t’i tregojë shkakun e dashurisë së tij dhe i tha:
E qeshura jote përmbledh të gjitha gjuhët…
trishtimi yt përmbledh gjithë heshtjen,
lindjen tënde e bart një harabel nga perëndimi,
sakaq, perëndimin e sjell nga lindja…
ti je imagjinata që ia prish vdekjes planet…
ti je ndarja e vesës nga uji…
ti je vite kallinjsh…
ti je metropoli i surprizës
dhe atdheu i endacakëve në gjumë…
ti je falja e disponueshme për të gjithë…
ti je trëndafil lundrues…
dhe stuhi parfumi…
ti shkon dhe vjen, je aty ku je, e fshehtë dhe e dallueshme…
ti je e gjitha kjo dhe e kundërta e saj,
sepse e gjitha kjo s’të përngjet, se ti je ti…
ti je fushnajë gjumi dhe shteg dëshirash…
ti i shpik festat, dritaret dhe llambat…
ti llamburit në thellësinë e zemrës…
ti ledhaton të vuajturin dhe manipulon akthet e botës…
në zërin tënd mishërohet ndrojtja…
qiellin, të gjithë qiellin e përmbledh hija jote nga larg…
Unë nuk e di çfarë pëlqej tek ti që të dua,
praktikoj një injorancë që më çon drejt dijes,
e cila më shpie në misterin tënd…
Se të dua të thërras nga çdo vend,
edhe pse e di që s’je kudo dhe se çdo vend emrin tënd thërret.

Përktheu Elmaz Fida

Të tjera nga ky autor: