Press "Enter" to skip to content

Ne fjetëm aty

Një burri të quajtur Alzan, i vdiq gruaja nga një sëmundje e rëndë. Ata kishin kaluar mirë bashkë dhe kjo humbje e dëshpëroi Alzanin. Në frymën e fundit i premtoi gruas se do të kujdesej që dy fëmijëve të tyre të vegjël, Zoradit dhe Silorias, të mos u mungonte asgjë. I premtoi edhe besnikëri të kurorës në jetë të jetëve. Dhe kështu ndodhi vërtet në fillim. Ai kujdesej shumë për fëmijët. I ushqente, luante me ta dhe i merrte me vete kudo që shkonte.
Një ditë, Alzani zbriti në qytet të shiste një dele dhe i la fëmijët në shtëpi. U lodh shumë, sepse delja mezi ecte dhe rruga qe e gjatë. Kështu që vendosi të çlodhej pak te një burim që i thoshin Kroi i Zogjve. Piu ujë sa u ngop dhe u ul në një hije lofate të çlodhej. Pas pak aty erdhi një vajzë e re të mbushte ujë. Vajza ishte e bukur, me shtat të gjatë dhe Alzani po e shikonte me admirim kur ajo u ul të mbushte shtambën. Në fillim, ajo bëri sikur nuk e vuri re burrin, por pasi mbushi enën i tha se mund të pinte ujë aty po të donte. Alzani kishte pirë ujë sa qe ngopur në burim, por nuk deshi ta prishte bujarinë e vajzës, ndaj piu prapë nga ena e saj. Pastaj e pyeti vajzën se ku jetonte dhe ajo i tregoi me gisht një kasolle të vjetër, thuajse të mbuluar nga ferrat dhe fieri. Aty jetonte e vetme, se qe jetime. Kjo përgjigje i ngjalli një dëshirë burrit që ta merrte për grua. Kështu ai harroi premtimin që i kishte bërë gruas së ndjerë dhe i tha vajzës se edhe ai qe i ve dhe do donte të martohej me të. Vajza pranoi. Kështu Alzani e mori me vete. Dhe vendosi që në pazar të shkonte një ditë tjetër. Rrugës folën për shumë gjëra, por Alzani nuk i tregoi se kishte dy fëmijë të vegjël.
Në shtëpi mbërritën në të ngrysur, por dielli nuk qe ulur akoma pas malit. Fëmijët po luanin në oborrin e shtëpisë. Ata u gëzuan shumë që panë babanë, por u habitën kur panë gruan e re. Ajo u dukej e huaj dhe e tepërt. Edhe gruas nuk i pëlqeu kur pa fëmijët në oborr. Madje ajo i tha burrit se po ta kishte ditur që ai kishte fëmijë, nuk do ta kishte ndjekur pas. Mirëpo burri i kërkoi mirëkuptim dhe i premtoi se do bënte gjithçka që ajo të ndihej e lumtur.
Kështu kaluan mjaft ditë, por gruaja nuk dukej e lumtur. Edhe pse burri e trajtonte mirë dhe fëmijët i mbante larg saj, që mos ta shqetësonin, sërish dukej e palumtur. Një ditë, ajo i tha burrit se kishte vendosur të largohej. Por Alzani tanimë e donte aq shumë, sa do bënte gjithçka vetëm që ajo të mos ikte. Gruaja tha se mund të qëndronte vetëm nëse burri do pranonte të largonte fëmijët nga shtëpia. Kjo kërkesë qe e ashpër, por e prerë. Alzani u vu në një situatë të vështirë; nuk mund ta imagjinonte jetën as pa fëmijët dhe as pa gruan e re. Mirëpo i turbulluar ashtu siç ishte, iu lut edhe një herë gruas që të mos i kërkonte një gjë aq të padrejtë. Por kërkesa e saj qe e prerë dhe burri tanimë duhet të merrte një vendim.
Një buzëmbrëmjeje, ai nxori mushkën nga kasollja, hipi mbi të dy fëmijët dhe u nis për në malin e Kokutës. Kaloi qafën e Valironishtit dhe u fut në pyllin e errët të pishave. Binte borë e imët dhe e thatë, por ajri qe i ngrohtë. Burri u tha të vegjëlve se po kërkonin dru, por fëmijët e kuptonin që diçka nuk shkonte. Kështu burri i la pranë një ledhi të dystë dhe bëri gjoja sikur u fut në pyll të bënte dru. Dhe i ra disa herë me sëpatë një trungu të madh panje. Kështu fëmijët do kuptonin se gjithçka qe në rregull. Pastaj nxori nga xhepi një dorë kashtë dhe e futi te zilja e mushkës, që mos të ndihej kur të lëvizte. I pa edhe një herë fshehurazi fëmijët që qëndronin ulur, frymonin duart e mardhura dhe prisnin. Pastaj hipi mbi kafshën dhe u nis për në shtëpi. I erdhi turp nga vetja që i braktisi aq tinëz fëmijët, por edhe pse zemrën e kishte të copëtuar, nuk kishte ç’bënte. Madje një herë deshi të kthehej pas t’i merrte, por ndjeu se dashuria për gruan e re qe më e madhe dhe ai u ngushëllua me faktin se do kishte fëmijë të tjerë me të.
Kur arriti në shtëpi, qe gati në të zbardhur. Qielli qe pastruar nga retë e borës dhe hëna pati marrë një ngjyrë të tejdukshme. U fut brenda dhe deshi t’i jepte lajmin gruas së re, se porosinë e saj e kishte kryer, por ajo nuk ishte në shtëpi. E kërkoi gjithandej, por kishte humbur si kripa në ujë. Atëherë burri mendoi se ajo qe larguar dhe vendosi ta kërkonte në kasollen e vogël, afër Kroit të Zogjve. Kur mbërriti atje, pa se as kasollja nuk ishte më. Dukej sikur e kishte gllabëruar pylli. Burri u habit shumë dhe nuk po kuptonte çfarë po ndodhte. Kështu u kthye i dëshpëruar në shtëpi. Por nuk ndenji gjatë aty. E kuptoi gabimin e rëndë që kishte bërë, mallkoi veten që i qenë errur sytë dhe u nis në malin e Kokutës për të gjetur fëmijët.
Arriti në ledhin ku i kishte lënë, por aty nuk kishte gjë. Bora që binte akoma në pyll i kishte mbuluar gjurmët. Burri kërkoi sa i ranë këmbët, por nuk i gjeti askund. Thirri me zë të lartë, por nuk u përgjigj askush. Vetëm zëri iu kthye pas nga pylli. Më pas u dëgjua një ulërimë e zjarrtë ujku. Atëherë i dëshpëruar u ul në një shkëmb të madh, mbuloi fytyrën me pëllëmbët e duarve dhe nisi të qante. Qau aty me orë, ndjeu borën që i lagte flokët dhe qafën. Ishte aq i dëshpëruar sa donte të vdiste. Papritur ndjeu aty pranë zëra. Shkoi në drejtim të tyre dhe pa një grua, që kishte mbështjellë me një velenxë leshi dy fëmijë të vegjël. Burri i njohu të tre. Deshi të afrohej, por vështrimi i gruas qe i akullt dhe i tmerrshëm. Alzani u tremb. Deshi të bënte pas; e njohu fytyrën e gruas së tij të vdekur. Por këmba iu pengua në një gropë dhe koka i ra në një dru të rrëzuar. Kur u zgjua, pa se bora e dendur e kishte varrosur së gjalli, por ai, për fat, nuk kishte vdekur. Atëherë u çua dhe zuri të kërkonte sërish fëmijët. I gjeti prapë në një lug me borë, mbështetur pas një rrënje të madhe, të përqafuar me njëri-tjetrin, të mbuluar me velenxën e leshit. Gruaja nuk ndodhej më aty. Ai u ceku me buzë duart e imëta, por fëmijët kishin vdekur nga i ftohti. Burri u shkreh në vaj. Më pas deshi të merrte mushkën për t’i ngarkuar trupat e ngrirë të fëmijëve. E pati lidhur në një pishë të harkuar si urë, në një shesh të vogël pak më tutje. Mirëpo, çuditërisht, pisha qe drejtuar dhe e pati marrë mushkën përpjetë. Burri u tmerrua edhe më shumë kur pa kafshën që po mbytej, varur prej kapistalli, por nuk mundi të bënte asgjë. Besonte se të gjitha këto po i ndodhnin nga mëkati i madh që kishte bërë. Dhe u mundua që të kthente gjakftohtësinë. Mori trupat e fëmijëve në krah dhe doli nga pylli. Rrugës qante dhe psherëtinte. Kur mbërriti në shtëpi, i shtriu trupat e fëmijëve në oborr. U pastroi fytyrat me ujë të ngrohtë dhe u lau duart me lotët e tij. Pastaj mori një lopatë dhe deshi t’i varroste aty, që t’i kishte pranë. Moti u bë më i ftohtë. Bora që binte në pyll filloi të binte edhe aty. Pasi i mbuloi me dhe, u fut në shtëpi. Nga dritarja shihte se si bora mbulonte tumat e freskëta të dheut dhe qante. Nuk dihet sa ndenji ashtu, me lot në sy, por erdhi një moment që në flokët e borës burri pa të ravijëzuar dy fëmijë të vegjël që luanin në oborr. Nuk duroi më brenda dhe doli të luante me ta. Por imazhi i tyre qe i gënjeshtërt; jashtë nuk kishte njeri. Kështu burri u fut brenda i dërrmuar shpirtërisht dhe e priti mëngjesin në dritare. Nën dritën e një pishtari që la ndezur në strehe, vështronte vetëm borën që mbulonte oborrin.
Mëngjesi zbardhi me kohë të mirë dhe ndrinte një diell i bardhë, që nuk ngrohte. Alzani doli në oborr, largoi borën me lopatë, por poshtë shtresës nuk gjeti më varre. I pasigurt për atë që kishte bërë një natë më parë, u ngjit edhe njëherë në pyll të kërkonte fëmijët. U end sa në një vend në tjetrin, por nuk i gjeti dot. Thirri, qau, mallkoi dhe mend po çmendej nga dhimbja. Atëherë iu kujtua se duhet të kërkonte ndihmën e së shoqes së vdekur. Ra në gjunjë dhe thirri emrin e saj me sa fuqi kishte. E thirri me të qarë dhe i kërkoi falje i shkrehur në vaj. Por askush nuk u përgjigj, oshtiu fort vetëm zëri. Pastaj, pas heshtjes, u dëgjua vetëm uturima e një orteku që ra në qafën e malit përkarshi. Burri e mori për shenjë, sepse pikërisht në atë drejtim ndodhej varri i gruas. Dhe u nis për atje. Kaloi lugjet me borë, të përpjeta dhe ledhe. Aty gjeti dy fëmijët e tij, shëndoshë e mirë, me rroba të thata dhe të ngrohta, sikur të kishin qëndruar brenda një dhome me zjarr. Burri sa nuk luajti mendsh nga gëzimi kur i pa. Donte t’i përqafonte, por fëmijët e shihnin me mosbesim dhe nuk iu afruan. Kjo ia bëri zemrën copë dhe i pyeti se ku e kaluan natën. Fëmijët nuk folën, por treguan me gisht nga toka.

Të tjera nga ky autor: