Press "Enter" to skip to content

Cikël poetik

***
I zhveshur n’univers,
grimca më e vogël,
që takon lëkurën time,
më djeg në shkallë të tretë.
Të jesh tepër i ndjeshëm,
pluhurin që prek,
e shndërron menjëherë
në asteroid.

***
Gjuha frënge është shtrembaluqe,
ja pse e shtrembëroj prapë,
si tel hekuri,
e shndërroj në sustë,
ta dëboj veten
jashtë skene,
jashtë vetes.
Nxjerr një shpatë fjalësh
të mprehtë;
jam muri i
senegalezëve dhe
algjerianëve
në llogore,
vdes për arsye
të këqija,
për të tjerët,
për një gjë të pakuptimtë
vdes e para.

***
Në qoftë se gjatë goditjeve
koka ime zhvidhoset,
s’do të ketë qenë asnjëherë e fiksuar mirë;
gjithmonë në re,
duke ëndërruar realitete më të ëmbla,
më pak shtrënguese;
të dashuroja,
të më donin,
ëndërrova.
Nuk jam poete,
them çfarë shkon
dhe çfarë nuk shkon.
Ndonjëherë është e vështirë,
ndonjëherë më e lehtë.
E të dëgjosh të tjerët,
është si t’harrosh të dëgjosh
veten.
Më shqetësojnë
zhurmat
e zemrës,
rrahje
që godasin
cipën
e veshit,
s’më lënë
të dëgjoj,
të fle,
të marr frymë
dhe shpërthej
me ata që takoj
e mallkoj
fatin tim.

***
Shkrimi është arma
Dhe sheshi i betejës
Është përfundimi dhe fillimi
Shpresa dhe dëshpërimi
Letrat e çuara
Dhe ato që vdiqën
Në fund të sirtarit
Në qoftë se nuk shkruaj
Vdes
Kur shkruaj
Qaj
E gjithë kjo gjëmë
Plas mbi letër
Që thith bojën
Dhe dhimbjen
Fjalët kërcejnë
Luhaten
Buzë humnere
Dhe humnera
Është fleta e bardhë
Një gjë
E pafundme
Një gjë që s’ka
Ekzistuar kurrë
Është e ardhmja
E kaluara
Është trillim
Realitet
Por materializohet
Fjalët marrin formë
Në terr
Më flasin
Fantazmat e mesnatës

***
Mos më shih ashtu,
si të isha dikushi.
Bukuria nuk shpjegohet
dhe kurrë s’ka pyetur
për mua.
Mos më shiko pra!

Mos më fol sikur
fjalët të kishin kuptim.
Gënje,
bëj lajka,

toka për fundi
shndërrohet në asgjë,
kur fjalët e tua
të ëmbla
më përndjekin.

***
Universi
i mbështolli tërësisht
dhe menjëherë
të gjitha emocionet.
U bënë të prekshme,
një mbulesë e butë
mbi supe,
si nënë,
që përqaf’ fëmijën.
Dhe kjo është
Dashuria,
ta ndjesh shpirtin
të shkëputur nga vetja.

***
Në qoftë se zemra jote s’ka jehonë
e imja mbytet në zhurma.
Lulet e sapolindura japin frymë
dhe ashtu vyshken në shpirtin tim.
Dhe pse tek ti bie shi,
asgjë s’ka për t’i ringjallur;
kurrë më.
Fytyra jote mbi timen,
është si të dëgjosh detin të zemëruar
në një guaskë,
ta shikosh botën nga një kënd tjetër,
të zhveshur dhe pa grim.

***
Buburreca në zemër.
Mora ashensorin
të zbrisja deri te fundi,
te qendra e botës,
në fund të frikërave të mia,
të tuave,
pa asnjë mençuri,
pa prova inteligjence,
pasi dashuria
është
pa llogari,
e papërlyer,
e thellë.
Ja se çfarë jetoj,
ja se çfarë kërkon.
S’ka vepër
më të paanë
se të dashurosh.
Që zjarret e hershme
të çlirohen edhe një herë,
më duhet
të shkoj deri te bërthama,
ta pëlcas,
që gjithçka të nisë nga e para,
të shpërthejë.

Shfryj,
flas,
shkul këtë gjeni,
që ti frymëzon me një shikim.
Gjirit ia shkul lëkurën,
ta çliroj trupin,
që i merret fryma
nga kjo dashuri idiote,
e ngjyer në kafshëri,
në ëmbëlsi të liga,
në hile dhe
në qeshje,
në lutje të fshehta
të ofshamave në mes
të natës.

Përktheu nga frëngjishtja Erih Ahmetaj

Të tjera nga ky autor: