Press "Enter" to skip to content

Përdhunimi

Salloni ish kredhur në një gjysmë errësirë të ëmbël e sapo kisha nisur të nanurisesha lehtë në krahët e Orfeut. Aty në kanape. Duke fantazuar figurina e mandej lloj-lloj historish, si dikur fëmijë, me hijet që flakët e qirinjve vizatonin nëpër mure e tavan. Si përtej kësaj bote ndjeva çelësin të futej në bravë, rrotullimin dy herë, mbylljen e derës së jashtme dhe avitjen e tij përmes korridorit deri në sallon. Ja ashtu, nëpër atë kalamendje mes gjumit dhe zgjimit, prita të më afrohej e të më puthte siç bënte zakonisht. M’u duk se zgjati shumë ajo pritje, sikur fjeta e u zgjova disa herë. Pritshmëritë janë fantastike për të shkatërruar gjithçka, ndaj hapa sytë si e trembur. Im shoq qe mbështetur te muri që vesh shkallët, që të ngjisin lart për te dhomat e gjumit. Krahët e lidhur kryq poshtë kraharorit, kokën e mënjanuar lehtë në të majtë, rrinte e më këqyrte. E ka zakon këtë. Sa e sa herë përgjatë njëzet vjetve të bashkëjetesës e kam kapur në befasi me atë ngulje sysh, që i ndjej si një rëndesë e ëmbël nga lart, aq sa më zgjojnë.
Kur pa se i çela “bajamet e majit” – kështu m’i ka emëruar sytë – m’u afrua, u përkul e më puthi: “Bebushja ime, sa e paqtë dhe bukur fle”, më pëshpëriti lehtë. Ndjeva duhmën e uiskit. Nuk më la kohë as ta pyesja për të shuar merakun nëse i kish dhënë vetë makinës apo ish kthyer me taksi; fundja e kisha përpara syve e kjo ishte e rëndësishme. E flaku tej batanijen e hollë që më mbulonte, m’u hodh sipër e më mbyti me të puthura. Iu përgjigja atij përvëlimi të shpejtë si zgjimi i papritur i një vatre vullkanike. Duart e shkathëta dhe fryma mbi lëkurë, gjithçka e nxehtë prej alkoolit dhe pasionit, më ndezën deri në rrënjë të flokëve. Me padurimin e një të urituri përpara panines që avullon, më zhveshi krejt, ndërsa për veten nuk e priste puna. U lirua nga rripi dhe zinxhiri i pantallonave aq sa i duhej e hyri brenda meje mes spazmash e klithmash si luan i plagosur. Nga bota e Orfeut brenda pak minutash kalova në atë të kaosit fillestar e në më pak kohë do të kridhesha në një tjetër gjendje.

Kur çka vlonte brenda u derdh jashtë, ai u plandos mbi mua e nuk lëvizi më. Pesha e tij erdh e m’u rëndua mbi trup. Rrëshqita ngadalë e u çlirova. U kruspullosa në atë pak vend të mbetur bosh në kanape. Ishim frymë më frymë. Ia ledhatova lehtë fytyrën e një cullufe floku rënë mbi ballë ia shtrova bashkë me të tjerat. Asnjë reagim. Ndoshta nuk do ta kuptoni llavën e nxehtë që më pushtoi atë çast kraharorin e u derdh jashtë me shkulmim. Një tjetër lloj llave. Si ajo që të djeg përbrenda kur befas të kaplon një zemërim pas një lëndimi, fyerjeje apo tradhtie. Ai më zhveshi jo vetëm nga rrobat, por edhe nga përjetimi i shkëmbimit të asaj energjie të ëmbël pas aktit, vështrimit në sy, që flasin aq shumë, e atij emocioni të epërm, ndonëse trupat kanë rënë. Më veshi me heshtje. E ndjeva të huaj, të largët; një burrë të kënaqur, por të papërfshirë.

U ngrita. Hodha në trup penjuarin, fika qirinjtë e ngjita shkallët për në dhomën e gjumit, duke tërhequr zvarrë veten e përdhunuar.

Të tjera nga ky autor:

OM
Ornela Musabelliu

Ornela Musabelliu është shkrimtare dhe botuese e Revistës Letrare.